Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet ceremonia e përurimit të përfundimit të projektit madhor për vendin tonë – Autostradës së Kombit. Ceremonia do të mbahet në fshatin Mazgit, të Komunës së Prishtinës. Ndërkaq Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se Autostrada e Kosovës, për qarkullim do të hapet më 27 nëntor e mërkurë nga ora 07:00. Ndërtimi i kësaj vepre nisi në prill 2010, me nënshkrimin e kontratës në mes Bechtel & Enka dhe Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e korridorit më të rëndësishëm të infrastrukturës së Republikës së Kosovës, që fillon në Morinë, kufiri jugor me Shqipërinë, në drejtim të Merdarës kufiri Verior me Serbinë. Standardet e projektit të Autostradës në Kosovë janë TEM (Trans European Motorway), shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së Autostradës në Kosovë është 120 km/orë, aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të miratohet një shpejtësi e projektit prej 140 km/orë.
Autostrada Morinë- Prishtinë do të jetë Autostradë e sistemit të mbyllur (hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës). Gjerësia prej 28 metra, ku do jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 m, 2 shirita për ngadalësim me nga 3.0 m si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.
Autostrada në Kosovë do të ketë mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës ku përfshihen: Sinjalizimi dinamik (Display), Sistemet e komunikimit ,ndriçimin në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës. Periudha e defekteve është 18 muaj në Kosovë, ndërsa periudha e garancisë është 6 vite
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.