Në fund të vitit 2016, kompania “Integrated Energy B.V.” sh.p.k. fitoi koncesionin e ndërtimit të Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë. Projekti koncesionar/PPP i paraqitur ka parashikuar kryerjen e pagesave për ofrimin e shërbimit në shumën 7.4 milionë euro në vit pa TVSH, nëpërmjet garantimit të një minimumi ditor prej 700 tonë/mbetje në ditë me tarifë prej 29.05 euro/ton, që për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit parashikohen në shumën 222.7 milionë euro pa TVSH.
Këto pagesa, sipas studimit të fizibilitetit dhe kërkesës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) për parashikimin në tavanet buxhetore, janë të detajuara në shumën 130.9 milionë euro mbështetje nga qeveria shqiptare dhe 91.8 milionë euro pa TVSH nga buxheti i bashkive në përbërje të Qarkut të Tiranës, për të gjithë kohëzgjatjen 30-vjeçare, sipas raportit. Në kontratë parashikohet minimumi i garantimit ditor si dhe neni që çmimi indeksohet me inflacion, të cilave u është bashkangjitur propozimi financiar.
Por, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjeti se vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritjes së saktë të volumit të plehrave që përpunohen në ditë, shteti rrezikon të paguajë edhe 104 milionë euro shtesë, nga të cilat gati 78 milionë euro janë indeksim i inflacionit, që e merr përsipër shteti dhe pjesa tjetër, si rrjedhojë e llogaritjes së ulët të kufirit minimal të sasisë së mbetjeve ditore të garantuara. Këto i shtohen vlerës fillestare të kontratës prej 222.7 milionë eurosh pa TVSH, ose 267 milionë euro me TVSH, duke e çuar në total koston në të paktën 370 milionë euro, ose 27% më të lartë sesa vlerësimi fillestar.
KLSH konstaton se në lidhje me sasinë minimale të garantuar, në studimin e fizibilitetit është përcaktuar kompensimi prej 700 tonë mbetje/ditë minimalisht. Në këtë mënyrë, i gjithë risku i kërkesës është transferuar në sektorin publik, duke garantuar kthimin e investimit, edhe nëse nuk realizohet sasia minimale ditore e garantuar. KLSH thekson se rasti i tejkalimit të kësaj sasie e vendos në risk thelbësor Buxhetin e Shtetit në lidhje me pagesat e nevojshme përtej nevojës së planifikuar, si dhe rrit fitimet koncesionarit në mënyrë të pakufizuar.
KLSh, nga auditimi, ka konstatuar se nuk ka asnjë argumentim në studimin e fizibilitetit në lidhje me kostot e konsulencës (2 115 000 euro), telekomunikacionit (507 600 euro) dhe mbi të gjitha, të shpenzimeve të tjera administrative, të cilat janë paraqitur në vlerën 58 556 632 euro). Përfshirja e kostove administrative në masën 20% të vlerës totale të kostove të operimit të paargumentuara dhe të pambështetura paraqet dyshime në lidhje me fluksin dalës të projektuar për to me ndikim të drejtpërdrejtë në vërtetësinë e llogaritjeve të kryera për përcaktimin e tarifës së ofrimit të shërbimit.
Inceneratori rrit tarifat e pastrimit për bizneset e qytetarët
Tarifat e pastrimit në kryeqytet kanë shënuar rritje për të gjithë këtë vit, bazuar në vendimin 158 të Këshillit Bashkiak, të marrë në datën 26.12.2019. Për familjet, tarifa është rritur me 15%, nga 5 000 lekë në vit që paguanin më parë, në 5 750 lekë. Rritja ka qenë më e fortë për bizneset e vogla, me xhiro nga 0-2 milionë lekë në vit. Për këtë kategori, tarifa është rritur me rreth 64%, nga 3 500 lekë në 5 750 lekë. Vetëm për disa kategori si shërbimet e fotokopjimit, sallonet e bukurisë, agjencitë valutore, transport etj., tarifa e pastrimit është 4 mijë lekë. Për bizneset e mëdha, tarifat janë shtuar me 15%. Për disa kategori biznesi, tarifa vjetore e pastrimit është 85 100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme (shiko faturën në fund), me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogël me xhiro nga 2-8 milionë lekë) rritja është nga 10 mijë në 11 500 lekë, po me rritje 15%.
Në relacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm, 2020-2022 të Bashkisë Tiranë argumentohet nevoja për rritjen e tarifave, me rritjen e kostos së shërbimit të lidhur edhe me zbatimin e kontratës koncesionare të inceneratorit. “Në bazë të analizës së kostos së shërbimit të pastrimit dhe përpunimit të mbetjeve është evidentuar një diferencë e theksuar mes kostos së shërbimit dhe të ardhurave të arkëtuara për mbulimin e tij. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht për shkak të hyrjes në fuqi të kontratës së inceneratorit në vitin 2018, në bazë të PPP të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe që po zbatohet nga bashkitë e qarkut të Tiranës. Gjithashtu, një rritje e konsiderueshme vërehet edhe në koston operative vjetore të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e këtij shërbimi. Për sa më sipër është vlerësuar i nevojshëm rishikimi i nivelit të tarifës për të gjitha kategoritë, në mënyrë që të lehtësohet mbulimi i kostove, të cilat janë në rritje çdo vit, pa arritur mbulimin total të saj, dhe në mënyrë të tillë që të mos ketë një rritje të theksuar në barrën fiskale të kategorive duke synuar një shpërndarje të drejtë të kësaj barre në përputhje me impaktin që secila prej këtyre kategorive mbart”, thuhet në relacionin e bashkisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.