Incentivat e Teorës së Italisë për të rritur numrin e popullsisë

20/02/2020 12:09 PM 0 komente

Kryebashkiaku i qytetit të vogël italian Teora, që ndodhet në provincën e Avellinos ka një ofertë: Qira falas dhe taksa zero për të gjitha familjet italiane me fëmijë që vendosin të transferohen për të jetuar këtu. I ndodhur në rajonin jugor të Italisë, pranë bregut Amalfi, Teora dëshiron të luftojë një prej problemeve më të rënda me të cilat po përballet, rënia drastike e numrit të popullsisë.

Administrata synon të ripopullojë qendrën e bashkisë Alto Adige, duke krijuar një sistem të ri arsimor dhe duke ofruar incentiva për të gjithë ata që vendosin të blejnë apo të marrin një shtëpi me qira në Teora, shprehet Kryebashkiaku Stefano Farina.

Edhe qytete të tjera italiane po vuajnë nga rënia drastike në mënyrë të qëndrueshme e popullsisë dhe kanë vendosur të ofrojnë incentiva të ndryshme si shitja e shtëpive kundrejt një vlere qesharake. Teora ka vendosur që për dy vitet e para do të mbulojë qiranë e të gjitha familjeve me fëmijë që venodsin të tranferohen këtu, dhe pasi këto dy vite të kenë përfunduar bashkia do t’i ndihmojë këto familje që t’i blejnë këto shtëpi duke u ofruar atyre norma shumë të ulëta kredie.

Bashkia do t’u japë të gjitha familjeve që vendosin të tranferohen këtu 150 euro në muaj, ndërkohë që qiratë e shtëpive kushtojnë rreth 200 euro, duke u lënë kështu kryefamiljarëve të paguajnë vetëm 50 euro. Bashkia do t’i huazojë atyre rreth 5,000 euro në rast se vendosin të blejnë një shtëpi, sasi kjo e cila është ekuivalente me 10-20 për qind të vlerës totale.

Popullsia e Teorës tani është më pak se 1,500 banorë dhe kurrë nuk e rimori veten pas tërmetit shkatërrues të vitit 1980. Sipas të dhënave të bashkisë, vetëm dy fëmijë lindin mesatarisht në vit në Teora kundrejt 20 vdekjeve, pjesa më e madhe e të cilave ndodhin si pasojë e plakjes së popullsisë.

“Unë dua ta përmbys këtë trend negativ. Fëmijët janë e ardhmja, prandaj ne nxisim familjet me fëmijë që të transferohen këtu”, tha në fund z. Farina.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of