Incentivat fiskale për pensionet private janë të pamjaftueshme 

09/04/2021 10:06 PM 0 komente

Intervistë me Estela Koçi, drejtore e përgjithshme e shoqërisë administruese të fondeve të pensionit dhe e aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive Credins Invest

 

Estela Koçi, drejtore e përgjithshme e shoqërisë Credins Invest, mendon se incentivat fiskale për të nxitur zhvillimin e pensioneve private sot janë të pamjaftueshme. Sipas saj, nevojitet një limit më i lartë i përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin për shoqëritë punëdhënëse.

Znj. Koçi shprehet se fondet e pensionit vullnetar si kolonë e tretë mund të jenë zgjidhje e problemit të pensionit për shqiptarët. Ajo mendon se kjo kolonë, sikurse edhe në vendet e zhvilluara, do të jetë plotësuese e dy kolonave kryesore, të detyrueshme.

 

Si do ta vlerësonit ecurinë e fondit tuaj të pensioneve në vitin 2020?

Për të disatin vit me radhë, Fondi Credins Pension renditet i pari në treg për numrin e anëtarëve dhe i dyti për volumin e aseteve, pozicione të cilat i ruajti edhe në vitin 2020. Më 31.12.2020, Fondi Credins Pension kishte afërsisht 18,000 anëtarë dhe një vlerë asetesh prej afro 1.1 miliardë lekësh, duke zotëruar përkatësisht 57% dhe 30% të tregut në numër dhe në vlerë. Ndonëse 2020-a ishte viti i jashtëzakonshëm i pandemisë, Fondi Credins Pension pati rritje prej 31% në vlerë dhe 3% në numër anëtarësh krahasuar me një vit më parë.

Kuptohet që vihet re një ngadalësim i trendit të rritjes krahasuar me 3 vitet e fundit, ku rritjet kanë qenë të konsiderueshme si në numër (mesatarisht mbi 20% në vit) ashtu edhe në vlerë (mesatarisht mbi 50% në vit). Por nisur nga vështirësitë e vitit 2020, mbajtja e trendit rritës është një tregues mjaft pozitiv. Mund të themi se kriza nuk ndikoi në portofolin ekzistues të anëtarëve, të cilët vijuan të kontribuojnë në llogarinë e tyre të pensionit vullnetar. Nuk është ndier aspak efekti i panikut në anëtarët e fondit të pensionit, e për rrjedhojë, nuk ka pasur tërheqje fondesh si pasojë e situatës së gjendjes së jashtëzakonshme.

Në përgjithësi, anëtarët e fondeve të pensionit janë të qëndrueshëm dhe të ndërgjegjshëm që investimi në këto fonde është afatgjatë dhe me objektiv të përcaktuar moshën e pensionit. Për më tepër, në kushtet e gjendjes së pandemisë që rriti pasiguritë e njerëzimit për të ardhmen, anëtarët shprehen se fakti që kanë një llogari kursimi për pension, ka ndikuar pozitivisht, duke i bërë të ndihen më të mbrojtur për të ardhmen. Edhe punëdhënësit që kanë krijuar skema profesionale për punonjësit në Fondin Credins Pension nuk i kanë ndërprerë kontributet në vitin 2020 e në vazhdim dhe ky është një tjetër tregues pozitiv për fondin.

 

Sa u ndikua tregu i pensioneve private nga efektet e pandemisë dhe të krizës ekonomike të lidhur me të? 

Nisur nga të dhënat, fakti që tregu ka pasur rritje në treguesit kryesorë, pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme, tregon se ecuria ka qenë pozitive dhe përgjithësisht e pandikuar nga kriza. Por, sigurisht që trendi rritës si në vlerë, ashtu edhe në numër, që ka pasur ky treg vitet e fundit (2019: 47% rritje në numër dhe 27% rritje në vlerë asetesh) ka pësuar rënie në vitin 2020, sidomos numri i anëtarëve të rinj.

Fakti lidhet me gjendjen e pandemisë, për shkak të së cilës u limituan kontaktet e drejtpërdrejta me publikun për të rritur ndërgjegjësimin drejt anëtarësimit në fondet e pensionit vullnetar, me gjithë masat e marra nga Credins Invest për një ecuri normale të informimit dhe transparencës ndaj publikut. Gjithashtu, vështirësitë financiare dhe pasiguritë për ecurinë e pandemisë i bënë individët, por edhe kompanitë punëdhënëse, më të kujdesshme në drejtim të shpenzimeve në vijimësi, valë e cila ndihet edhe në tremujorin e parë të vitit 2021.

 

Cila ishte tendenca e kthimit nga investimi për vitin 2020? Si ndikoi kriza në këtë tregues?

Fondi i pensionit vullnetar Credins Pension operon në treg që nga viti 2011 dhe ky fond ka gjeneruar kthim neto pozitiv mesatarisht 4-5% në vit. Asetet e fondit të pensionit investohen në tituj të emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, kryesisht tituj afatgjatë për vetë natyrën afatgjatë të fondit të pensionit. Për këtë arsye, ecuria e normës së kthimit të Fondit dhe çmimit të kuotës ndikohet nga lëvizja e normave të interesit në ankandet e titujve të Qeverisë Shqiptare. Normat e titujve shtetërorë karakterizohen nga luhatshmëri e ulët e për këtë arsye, lëvizjet e çmimit të fondit janë minimale.

Fondi i pensionit Credins Pension është konservator nga pikëpamja e titujve që e përbëjnë portofolin dhe për rrjedhojë, është i pandikuar nga kriza të tilla si kjo e pandemisë. Ndryshimet e normave të titujve afatgjatë gjatë vitit kanë ndikuar lehtësisht në rënie të normës vjetore të kthimit. Gjithsesi, fondi i pensionit është një produkt investimi financiar afatgjatë dhe elementi thelbësor është qëndrueshmëria në afat të gjatë. Anëtarët e fondeve të pensioneve i presin përfitimet në afat 30-40 vite dhe ndryshime minimale të kurbës së yield-eve të titujve shtetërorë gjatë viteve të akumulimit nuk ndikojnë shumë në performancën e fondit të pensionit.

 

Cilat janë vlerësimet tuaja lidhur me projektligjin “Për Fondet e Pensionit Vullnetar” që u hodh për konsultim vitin e kaluar?

Ligji në fuqi, që rregullon veprimtarinë e fondeve të pensionit vullnetar, është ligji nr. 10197, datë 10.12.2009. Që nga kjo kohë, 11 vite, ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, kanë mbetur të pandryshuara, ndërkohë që tregu i pensioneve vullnetare ka pasur zhvillime pozitive dhe ka kërkuar në mënyrë konstante rishikimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor.

Kërkesat e kanë burimin nga përvoja e gjatë e shoqërive administruese, si zbatuese në praktikë të ligjit dhe rregulloreve të dala në zbatim të tij, si dhe nga kërkesat në rritje të klientëve për të pasur stimuj të tjerë nxitës. Në shumë aspekte të tij, ligji nr. 10197 mund të konsiderohet jashtë kohe dhe i vjetruar.

Së pari, ajo që vihet re është se fondet e pensionit vullnetar vijojnë të trajtohen si të mëvetshme dhe jo si pjesë e sistemit tërësor pensional në Shqipëri. Me keqardhje vërehet se nuk ka asnjë strategji afatgjatë që të adresojë problemin madhor të sistemit të pensioneve në Shqipëri.

Nisma e dy viteve më parë, për të zhvilluar sistemin privat të pensioneve dhe specifikisht kolonën e detyrueshme private, duket sikur është lënë përsëri në harresë. Është fakt që kolona e parë apo skema e detyrueshme shtetërore në Shqipëri nuk është vetëfinancuese, aktualisht ka më shumë përfitues (pensionistë) sesa kontribuues (të punësuar që derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore) dhe raporti parashikohet të rritet në 140% në 2040, sipas parashikimeve demografike.

Nga ana tjetër, është miratuar në Kuvend Ligji nr. 29/2019, datë 23.05.2019 “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Ligji është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 88, në datë 20.06.2019 dhe ende nuk është plotësuar me aktet nënligjore për zbatimin e tij. Sipas këtij ligji, për të punësuarit e 3 kategorive të profesioneve të vështira, minatorë, metalurgë dhe naftëtarë, të cilët i takojnë moshës nën 48 vjeç, do të derdhen kontribute shtesë në masën 5%, në skemat e pensioneve private, të ndara mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Kjo do t’u mundësojë këtyre kategorive të përfitojnë një trajtim financiar më të plotë, një pension shtesë përveç pensionit shtetëror. Ligji ka për qëllim të mbulojë me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sa më shpejt të plotësohet kuadri ligjor në zbatim të këtij ligji dhe të bëhet harmonizimi me kuadrin ligjor të pensioneve, aq më shpejt do të fillojë zbatimi i tij dhe aq më parë do të nisë të lehtësohet barra që ngarkohet për këto kategori në buxhetin e shtetit.

Kolona e tretë, fondet e pensionit vullnetar, nuk mund të pretendohet të jetë zgjidhje e problemit të pensionit për shqiptarët. Kjo kolonë, sikurse është edhe në vendet e zhvilluara, do të jetë plotësuese e dy kolonave kryesore. Gjithsesi, ka ende shumë vend për përmirësim të kuadrit ligjor të pensioneve vullnetare, ku pikën kryesore e përbëjnë nxitësit fiskalë.

Në tërësi, thelbi i ndryshimeve të paraqitura në projektligjin e ri është përmirësimi i problemeve të dala nga zbatimi i ligjit në praktikë dhe azhurnimi me dispozitat ndërkombëtare që rregullojnë aktivitetin e fondeve të pensionit vullnetar. Me gjithë ndryshimet pozitive, gjykoj që ato nuk janë të mjaftueshme për të zhvilluar më tej tregun e pensioneve, i cili ndonëse është 10-vjeçar, tashmë është mjaft i papërfillshëm krahasuar me potencialin.

Përmes Shoqatës së Siguruesve, Fondeve të Pensionit dhe Fondeve të Investimit, prej më se një viti, shoqëritë administruese kanë paraqitur mendimet dhe sugjerimet për projektligjin e fondeve të pensionit vullnetar. Në këtë dokument është paraqitur një analizë e vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe janë parashtruar disa skenarë të propozuar për trajtimin fiskal të përfitimeve nga fondi i pensionit vullnetar në Shqipëri. Konkretisht, tregu ka kërkuar një limit më të lartë të përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin për shoqëritë punëdhënëse.

Limiti i propozuar me projektligjin e ri është ende i ulët, duke marrë në konsideratë që është i pandryshuar që nga viti 2009, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më i pamjaftueshëm bëhet. Gjithashtu, për sa i përket tatimit të përfitimeve, skenarët e propozuar janë: 1) përfitimet të mos tatohen, kur plotësohen kushtet për pension, pra sistemi Exempt-Exempt-Exempt, ose 2) të aplikohet sistemi progresiv i tatimit sikurse mbi të ardhurat nga paga, ose 3) tatimi të aplikohet vetëm mbi kthimin nga investimi.

Gjithashtu, gjatë 11 viteve të fundit, zhvillimet teknologjike kanë qenë të konsiderueshme dhe kanë ndikuar dukshëm në qasjen e shoqërive kundrejt komunikimit me publikun dhe klientët. Kjo ka bërë që disa kërkesa të ligjit mbi transparencën apo komunikimin me klientët janë të panevojshme në kushtet kur komunikimi dixhital lejon mënyra moderne dhe koherente.

 

Besoni se stimujt aktualë që ofron ligji për nxitjen e investimeve në një pension privat janë të mjaftueshëm? Si mund të përmirësohen më tej këta stimuj?

Përfitimet fiskale janë ndër stimujt kryesorë dhe të matshëm për ta vlerësuar fondin e pensionit vullnetar, si formën e investimit afatgjatë më të leverdishme krahasuar me çdo formë tjetër tradicionale kursimi. Konkretisht, sipas nenit 88, të Ligjit nr. 10197, kontributi i bërë nga çdo anëtar në fond pensioni vullnetar zbritet për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, gjë që u bë e zbatueshme vetëm nga 1 janari 2015, datë kur u reflektua në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, si dhe në Udhëzimin nr. 23, datë 9.12.2014, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

Ndonëse pas 1 Janar 2015, mangësitë e kuadrit ligjor për zbatimin e ligjit të vitit 2009, u sistemuan, mbeti sfidë zbatimi, duke bërë që mjaft individë të penalizohen duke u tatuar dyfish, si gjatë derdhjes së kontributeve periodike, ashtu edhe në momentin e tërheqjes në fund.

Teorikisht individi, që kontribuon në mënyrë individuale, mjafton të paraqesë pranë institucionit ku është i punësuar kontratën e anëtarësimit në fondin e pensionit vullnetar që ka zgjedhur, ku është i specifikuar kontributi, i cili duhet të deklarohet si i zbritshëm për punëmarrësin, përpara se t’i aplikohet tatimi mbi të ardhurat personale, por praktikisht individi përballet me refuzimin e institucionit punëdhënës, për të zbatuar zbritjen fiskale të kontributit, që vjen si pasojë e paaftësisë për të përthithur të gjithë kuadrin ligjor, deri te papërgjegjshmëria për ta zbatuar atë.

Ndërkohë që nëse çdo punëmarrës do të ishte pjesë e një skeme profesionale me kontribute nga punëdhënësi, infrastruktura për të mundësuar kontributet vullnetare dhe për të automatizuar pagesën periodike të kontributeve do të ishte lehtësi e konsiderueshme dhe mjaft e prekshme për individin. Punëdhënësit që aktualisht kanë krijuar plane profesionale janë të paktë.

Shoqëritë e konsiderojnë një barrë në buxhetin e tyre një shpenzim të shtuar për punonjësit, krahas sigurimeve të detyrueshme shtetërore, dhe në kushtet që anëtarësimi është vullnetar thjesht nuk e ndërmarrin si nismë. Pra, stimujt fiskalë ekzistues nuk janë tërësisht të zbatueshëm e për më tepër, tashmë janë bërë të pamjaftueshëm, sikurse shpjegova me detaje më sipër dhe sikurse tregu është shprehur me sugjerime drejtuar rregullatorëve dhe ligjvënësve.

 

Shihni instrumente të reja investimi të përshtatshme ku fondet private të pensioneve në Shqipëri mund të investojnë?

Aktualisht, fondet e pensionit vullnetar që operojnë në Shqipëri kanë profil konservator me nivelin minimal të riskut, pasi investojnë në tituj borxhi të Qeverisë Shqiptare, të cilat kanë gjeneruar një kthim pozitiv dhe relativisht të kënaqshëm.

Ligji aktual dhe projektligji rregullojnë me dispozitë vetëm asetet e palejuara dhe për momentin nuk është i qartë kuadri ligjor, përfshirë edhe rregulloret në këtë aspekt, pasi asetet e lejuara rregullohen me rregullore specifike, e cila ende nuk është paraqitur në formë projekti për konsultim. Instrumentet e lejuara në ligjin e pensioneve vullnetare dhe në rregullore kanë qenë të pazbatueshme për shkak të mungesës së një tregu të rregulluar funksional. Me fillimin e operimit të Bursës së Titujve ALSE, edhe për fondet e pensionit vullnetar, shtohen alternativat e lejuara të investimit.

Specifika e fondeve të pensionit vullnetar është jetëgjatësia e tyre 35-40 vite nga fillimi i fazës së akumulimit të kontributeve deri në fazën e përfitimit të pensionit, e këtij afati nuk i përgjigjet aktualisht asnjë instrument investimi. Obligacioni i Thesarit me maturitet 10 vite është instrumenti më afatgjatë në dispozicion për investim, duke krijuar një “gap” të konsiderueshëm maturiteti së bashku me përfitime të munguara të instrumenteve më afatgjatë.

Asete shumë të përshtatshme për investimin e fondeve të pensionit janë asetet e paluajtshme dhe projektet infrastrukturore që kanë një jetëgjatësi dhe përfitueshmëri më të lartë në afat të gjatë, sikurse edhe obligacionet me afat më të gjatë se 10 vite, të cilat janë të indeksuara me inflacionin. Këto nuk janë të përfshira në asetet e lejuara në rregulloren aktuale të investimeve të lejuara dhe mund të përbëjnë objekt diskutimi mes tregut dhe rregullatorëve për të nxitur këto instrumente të reja të përshtatshme për fondet e pensionit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of