Indeksi i Besimit të Dhomës Amerikane, që mat klimën e të bërit biznes për anëtarët e Dhomës, ka shënuar rënien më të madhe në tetë vjet.
Si asnjëherë tjetër, pothuajse të gjithë treguesit janë në përkeqësim, me vetëm 4 nga 27 indikatorë me përmirësim te lehtë.
Një rënie shumë të madhe ka shënuar klima e brendshme politike, me përkeqësimin më të madh, qe është problemi i parë i bizneseve të anketuara. Vitin e kaluar, problemi kryesor ishte monopoli dhe konkurrenca e pandershme.
Shqetësimi i dytë më i madh i anëtarëve është monopoli dhe konkurrenca e pandershme, i ndjekur nga gjetja e stafit të specializuar.
Performanca e ekonomisë shqiptare është shqetësimi i katërt. Më pas renditet klima e biznesit, korrupsioni, e ndjekur nga informaliteti dhe burokracia e qeverisë.
Më pak problematike për bizneset janë marrëdhëniet me taksat e tatimet, si dhe furnizimi me energji, i cili është nga të paktat çështje që janë në përmirësim.
Indeksi mat elemente të rëndësishme si politika qeveritare, niveli i taksave, korrupsioni, informaliteti, zbatimi i ligjit, si dhe elementet që lidhen me performancën e bizneseve dhe ekonominë shqiptare.
Indeksi i Biznesit 2019 – 2020 ka sjellë opinionin dhe vlerësimin e anëtarëve të AmCham-it, duke reflektuar shqetësime të thella për disa nga parametrat themelorë të klimës.
Si rezultat, Indeksi i Biznesit shënoi një ulje me -4.99 pikë, duke zbritur për 2019-n në 38.17 nga 43.16 që ishte në 2018-n.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.