Indeksi i barazisë gjinore që u publikua sot për herë të parë nga INSTAT tregoi se për vitin 2017 shënoi 60.4 pikë, duke demonstruar një hendek gjinor të konsiderueshëm. Indeksi i Barazisë Gjinore për Shqipërinë është 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE-28 (67.4), me përjashtim të fushës së qeverisjes, ku Shqipëria ka më shumë barazi gjinore sesa BE-28.
INSTAT referoi se, kjo gjetje konfirmon nevojën për ripërtëritjen e angazhimeve dhe përpjekjeve të aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe qeverinë, sektorin privat, shoqërinë civile dhe qytetarët për arritjen e barazisë së plotë gjinore
Mangësitë më të mëdha në krahasim me BE-28 hasen në fushat e njohurive, parasë dhe kohës, kurse të ngjashme. Shqipëria renditet mes të gjitha vendeve që e raportojnë Indeksin e Barazisë Gjinore, që përfshin të gjitha Vendet Anëtare të BE-së dhe dy vendet kandidate të BE-së, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Një faktor që kontribuoi në renditjen më të mirë të Shqipërisë krahasuar me vendet e listuara janë arritjet e saj më të mira në fushën e qeverisjes sesa në shumicën e vendeve anëtare të BE-së (60.9 përkundrejt 51.9 për BE-28).
Rezultati për fushën e punës është 67.6, me një situatë më të mirë në fushën e pjesëmarrjes sesa në fushën e ndarjes dhe cilësisë së punës. Ashtu si në situatën në të gjithë BE-në, ndarja gjinore në tregun e punës është ende e dukshme dhe e pasqyruar në përqendrimin më të lartë të grave në sektorë si shërbimet sociale.
Në fushën e parasë, rezultati prej 59.6 rrjedh nga një situatë veçanërisht e pafavorshme në nënfushën e burimeve financiare, ku maten pabarazitë në të ardhura dhe fitime mes grave dhe burrave.
Në fushën e dijes, rezultati prej 55.6 tregon një hendek ende të madh gjinor në të dy këto nënfusha: arritjet dhe pjesëmarrja, dhe ndarja e punës. Ndonëse ka më shumë gra të arsimuara sesa burra në Shqipëri, ato zënë një vend relativisht më të vogël krahasuar me nivelet e BE-së dhe objektivat kombëtarë.
Ndarja sipas fushave të arsimit është ende e dukshme, ku studentet femra që ndjekin arsimin e lartë përqendrohen në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies, shkencave humane dhe arteve, ndërsa studentët meshkuj që studiojnë në këto fusha janë të pakët.
Fusha e kohës ka rezultatin më të ulët të indeksit (48.1), duke treguar përgjegjësi shumë të paekuilibruara lidhur me kujdesin për anëtarët e familjes dhe punën e papaguar në familje.
Ndonëse gratë mbajnë shumicën e këtyre përgjegjësive, ato nuk marrin pjesë aq sa burrat në aktivitetet sociale të rëndësishme për mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre. Fusha e pushtetit shënon 60.9 dhe e rendit Republikën e Shqipërisë në vendin e të në krahasim me pjesën tjetër të vendeve që raportojnë mbi Indeksin e Barazisë Gjinore. Ky rezultat i lartë vjen nga përfaqësimi i lartë i grave në pushtetin politik dhe ekonomik.
Nga ana tjetër, pushteti social i grave, d.m.th. përfaqësimi në organet e bordeve organizative të kërkimeve shkencore, financimit, medias dhe sporteve kryesore mbetet prapa me progresin në pushtetin politik dhe ekonomik. Fusha e shëndetësisë shënon rezultatin më të lartë prej 81.8 (ndonëse ende nën rezultatin e BE-28 prej 88.1). Nënfushat e statusit shëndetësor dhe aksesit në kujdes shëndetësor paraqesin hendeqe më të ulëta gjinore sesa sjelljet e shëndetit që prekin faktorët e rrezikut dhe mënyrat e shëndetshme të jetës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.