Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën mesatarisht me 7.4% vitin e kaluar raportoi INSTAT, por për disa artikuj si drithërat, bimët foragjere, frutat dhe ullinjtë rritja ishte nga 12-28% (shih tabelën bashkëngjitur).
Në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 112,6 nga 104,8 që ishte në 2020, duke shënuar rritje me 7,4%.
Gjatë këtij viti, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rritje me 10,8%, gjithashtu rritje ka shënuar edhe indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale me 3,1%, krahasuar me një vit më parë.
Rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar çmimet e grupit “Patate”, “Bimë foragjere”, “Drithëra”, “Drufrutorët”, “Perime”, “Bimë Industriale”, “Qumësht” dhe çmimet e grupit “Mish peshë e gjallë”
Indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten bazuar në standardet dhe rregullat e përshkuara në Manualin e Çmimeve të Produkteve Bujqësore të Eurostat. Çmimet mblidhen nga Anketa Mujore për Produktet Bujqësore në të gjithë territorin e vendit.
Mbledhja e të dhënave u krye pranë fermave, tregjeve të gjësë së gjallë, tregjeve të shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen. Informacioni merret vetëm për çmimet në nivel ferme për produktet vendase, duke përjashtuar taksat. INSTAT shpjegoi se ato janë llogaritur në Lek, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë sipas produktit. Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të produkteve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore:
Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Për prodhimet bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë industriale, bimë foragjere, perime, patate dhe drufrutorë. Për prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për mishin peshë e gjallë dhe prodhimet blegtorale.
Çmimet e mishit peshë e gjallë grumbullohen për katër kategori kryesore të kafshëve: gjedhi, të imta, derra dhe shpendë. Për prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për kategoritë: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Këtë vit indeksi i prodhimeve bujqësore pritet të ketë rritje edhe më të lartë për shkak se të gjitha prodhimet bujqësore dhe blegtorale kanë pësuar rritje jo të zakonte prej rritje së çmimeve të lëndëve të para.
Bujqësia është dega kryesore e ekonomisë që kontribuon me rreth 20% të PBB-së, mbi 44 për qind të punësimit, po sektori vuan nga mungesa e mbështetjes së buxhetore, copëzimit të lartë të tokës dhe produktivitetit të ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.