Indeksi i shëndetit bankar pësoi një përkeqësim të lehtë në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi përmbledhës i treguesve kryesorë që përdoren për të ndjekur ecurinë dhe situatën e stabilitetit bankar në qershor u ngjit në nivelin 0.44, nga 0.42 që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 0.43 në qershor 2019.
Ky indeks përfaqëson një vlerësim të përgjithshëm të kushteve bazë dhe faktorëve të qenësishëm të rrezikut që ndikojnë në stabilitetin e sektorit bankar dhe atë të bankave individuale. Rritja e indeksit përfaqëson përkeqësim të shëndetit të bankave, ndërsa rënia e tij nënkupton një performancë të përgjithshme më të mirë.
Indeksi përbëhet nga pesë tregues, të cilët përfaqësojnë pesë dimensionet kryesore të shëndetit të sektorit bankar: kapitali, cilësia e aktiveve, përfitueshmëria, likuiditeti dhe eficienca. Treguesit përbërës të indeksit, të cilët kanë shfaqur ecuri më të dobët gjatë gjysmës së parë të vitit ishin likuiditeti dhe përfitueshmëria. Kjo e fundit ka dhënë kontributin kryesor në keqësimin e vlerës së indeksit të shëndetit të bankave, duke arritur në 0.59 nga 0.48 në qershor 2019, e ndikuar nga rënia në fitimin e bankave. Në të njëjtën kohë, rënie është vënë re edhe për marzhin neto nga interesat. Treguesi i përfitueshmërisë jep kontributin kryesor në rrezik, i cili gjatë dy viteve të fundit ka rezultuar në përkeqësim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, cilësia e aktiveve ose raporti i kredive me probleme paraqitet i përmirësuar dhe kontributi i këtij treguesi në rrezik ka shënuar rënie. Që prej fillimit të vitit 2015, kontributi i këtij treguesi në rrezik ka rënë ndjeshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme, duke shkuar nga niveli 0.71 në mars 2015 në nivelin 0.44 në qershor 2020.
Përmirësimin më të dukshëm në harkun kohor të një viti e ka treguesi eficienca, i cili reflekton një menaxhim më eficient të shpenzimeve të shprehur në rënie të shpenzimeve të veprimtarisë dhe kryesisht të atyre për personelin.
Bankat sistemike kanë vlerën më të ulët të indeksit, gjë që tregon shëndet më të mirë dhe stabilitet më të lartë në krahasim me grupin tjetër të bankave. Por, përkeqësimi në fakt ka prekur më shumë pikërisht grupin e pesë bankave më të mëdha, të klasifikuara njëkohësisht edhe si sistemike. Për këtë grup bankash vërehet përkeqësim sidomos në treguesin e përfitueshmërisë dhe atë të eficiencës. Bankat e tjera, josistemike, raportojnë përmirësim të indeksit në harkun kohor të një viti. Edhe këto banka janë prekur në treguesin e përfitueshmërisë, por kanë arritur përmirësim në treguesit e likuiditetit, cilësisë së aktiveve dhe eficiencës.
Gjatë gjashtë viteve të fundit, indeksi i agreguar i shëndetit bankar ka regjistruar prirje në rënie, që do të thotë përmirësim i shëndetit dhe qëndrueshmëri më e lartë e bankave. Përkeqësimi i këtij treguesi në gjysmën e parë të këtij viti përkon me shpërthimin e pandemisë së Covid-19. Megjithëse ecuria e sektorit bankar ende nuk i reflekton shumë përmasat e krizës, disa tregues, si përfitueshmëria, kanë filluar të shfaqin pasoja. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.