Indeksi i shëndetit bankar është përmirësuar sërish në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, si në krahasim me fundin e vitit të kaluar, ashtu dhe krahasuar me një vit më parë.
Ky tregues llogaritet periodikisht dhe mbështetet në ecurinë e parametrave të lidhur me fitimet, eficiencën, cilësinë e aktiveve, kapitalizimin dhe likuiditetin e bankave. Indeksi llogaritet si vlerë në intervalin nga 0 në 1, ku sa më e ulët vlera, aq më i ulët presupozohet rreziku dhe aq më i mirë shëndeti i sektorit bankar.
Në mesin e këtij viti, indeksi zbriti pranë nivelit 0.45, ndërsa në momentin e fillimit të pandemisë kishte qenë pranë nivelit 0.5. Gjatë viteve 2014-2021 indeksi i agreguar i shëndetit bankar ka ardhur në rënie, duke treguar përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Përmirësimi gjatë këtij viti është ndikuar më shumë nga ecuria pozitive në treguesit e përfitueshmërisë, eficiencës dhe likuiditetit, por edhe nga cilësia e aktiveve dhe treguesi i kapitalizimit.
Treguesi i përfitueshmërisë vijon të japë kontributin më të madh në nivelin e rrezikut të aktivitetit të sektorit bankar. Ky fakt tregon se fitimet e bankave ende nuk janë në nivelet optimale relative të parashikuara në modelin e ndërtimit të këtij treguesi. Megjithatë, në vitet e fundit rreziku i lidhur me përfitueshmërinë është në rënie dhe kjo pasqyron rritjen e fitimit të sektorit bankar dhe rritjen e marzhit neto nga interesat. Deri në fund të muajit korrik, sektori bankar raportonte një fitim neto në vlerën e 11.3 miliardë lekëve (31% më shumë se një vit më parë) dhe një kthim nga kapitali në nivelin 11.7% (2.3 pikë përqindje më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar).
Rreziku i lidhur me likuiditetin ka shënuar rënie të lehtë gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, për shkak të zgjerimit në raportin e aktiveve likuide ndaj aktiveve të përgjithshme, por kontributi tij në nivelin e agreguar të rrezikut në kohë ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Cilësia e aktiveve është përmirësuar lehtë krahasuar me një vit më parë dhe kontributi i këtij dimensioni në rrezikun e përgjithshëm ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi ra nga 0.71 në mars 2015 në 0.43 në qershor 2021 dhe rolin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë rënia e konsiderueshme në raportin e kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme ka rënë tashmë pranë kufirit të 7%, në nivelet më të ulëta të shënuara që prej vitit 2009.
Treguesi i lidhur me kapitalizimin nuk ka shënuar ndryshime në krahasim me një vit dhe gjashtë muaj më parë, ndërkohë që brenda këtij treguesi janë vërejtur lëvizje të vogla në vlerat e nëntreguesit të levës financiare dhe raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Në emsine këtij viti, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në mesine këtij viti ishte pranë nivelit të 18%, me një rënie shumë të lehtë nga niveli 18% që shënohej një vit më parë.
Dimensioni i eficiencës është përmirësuar gjatë vitit të fundit si pasojë e rënies së shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave. Rënia e këtij treguesi është ndikuar veçanërisht nga rritja e të ardhurave nga interesi dhe nga veprimtaritë e tjera.
Indeksi i shëndetit është përmirësuar lehtë në krahasim me një vit më parë edhe për bankat sistemike. Për këtë grup bankash vërehet përmirësim në të gjithë treguesit, por veçanërisht përmirësimi është regjistruar kryesisht në treguesin e përfitueshmërisë dhe atë të likuiditetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.