Indeksi i shëndetit bankar tregon që situata e përgjithshme e sektorit bankar është përmirësuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti.
Indeksi shënoi vlerën 0.394, duke shfaqur një përmirësim të lehtë ndaj situatës së gjashtë muajve më parë.
Kjo ecuri u diktua kryesisht nga përmirësimi i notës së treguesit të përfitueshmërisë, që erdhi si rezultat i rritjes së kthimit nga aktivet dhe të fitimit të sektorit bankar.
Nënindeksi i kapitalizimit të veprimtarisë gjithashtu tregoi për një përmirësim të lehtë gjatë periudhës, ndërsa nënindekset e cilësisë së aktiveve dhe të likuiditetit nuk shënuan ndryshime. Treguesi i eficiencës është dobësuar në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar për shkak të rritjes së peshës së shpenzimeve të veprimtarisë për periudhën.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, indeksi i shëndetit bankar tregon përmirësim të dukshëm në 4 prej 5 nëntreguesve të tij. Përjashtim bën nëntreguesi i cilësisë së aktiveve i cili ishte 0.38, duke reflektuar rritjen e lehtë të raportit të kredive me probleme. Megjithatë, kontributi i këtij nëntreguesi në nivelin e agreguar të rrezikut përgjatë kohës, ka ardhur në rënie si rezultat i rënies së konsiderueshme të raportit të kredive me probleme në vitet e fundit.
Për grupin e katër bankave sistemike (BKT, Credins, Raiffeisen dhe OTP), indeksi sinjalizon përmirësim të dukshëm në krahasim me një vit më parë, ndërsa në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar përmirësimi është më i lehtë.
Këto banka shfaqin përmirësim në katër nëntregues, veçanërisht në atë të përfitueshmërisë, që tregon rritjen e kthimit nga aktivet dhe të marzhit neto nga interesat. Indeksi i shëndetit bankar tregon një ecuri më të mirë të bankave me kapital të huaj në krahasim me bankat me kapital shqiptar. Për bankat me kapital vendas vërehet përmirësim në drejtim të
përfitueshmërisë dhe cilësisë së aktiveve, ndërkohë që treguesit e tjerë dhe në mënyrë të veçantë likuiditeti dhe eficienca paraqiten në nivele më pak të mira në krahasim me dy periudhat paraardhëse.
Në tërësi, gjatë viteve 2014-2023, indeksi i agreguar i shëndetit bankar flet për përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së të gjithë sektorit bankar. Ky përmirësim lidhet në mënyrë të veçantë me përmirësimin e cilësisë së aktiveve dhe të niveleve të likuiditetit dhe kapitalit. Në të njëjtën kohë, ndjeshmëria e indeksit ndaj niveleve të përfitueshmërisë është bërë më e rëndësishme që nga tremujori i parë i vitit 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.