Kërkesa për kredi e individëve mori një kthesë të fortë në tremujorin e tretë të vitit, ku planet qytetarëve u zhvendosën nga huaja për konsum në atë për shtëpi.
Banka e Shqipërisë, në vrojtimin periodik për kredinë, gjeti se kërkesa për hua konsumatore ngadalësoi në minimum ritmet e rritjes në korrik – shtator me vetëm 0.2% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e dytë të vitit, kredia konsumatorë ishte rritur me 52.7%, teksa rritja me ritme të larta ishte edhe në tremujorët paraardhës.
Mirëpo siç shihet nga të dhënat, kërkesa e individëve shënoi rritje të fortë për huanë për shtëpi në tremujorin e tretë me mbi 14%, teksa në tre tremujorët paraardhës, kërkesa për kredi konsumatore u luhat ndërmjet, 0-2.5%. Rritjen e kërkesave për banesa e kanë konfirmuar edhe kompanitë e ndërtimit dhe agjencitë imobilare, sidomos në kryeqytet.
Sipas bankave, kërkesa për kredinë e banesave po vjen në rritje për shkak se kriteret për këtë linjë huaje janë vënë në kahun lehtësues, por pritshmëritë tregojnë se standardet do të mbeten të njëjta për tremujorin e fundit të vitit.
Si instrument kryesor për lehtësimin e kushteve të kreditimit për individë, bankat kanë përdorur ngushtimin e marzhit mesatar, si dhe zbutjen e kërkesave për kolateral.
Gjithashtu, në kahun lehtësues, por në një masë më të vogël, kanë vepruar edhe kushtet e tjera si rritja e raportit të këstit ndaj të ardhurave, rritja e madhësisë së kredisë, zvogëlimi i komisioneve dhe i kërkesave për kolateral.
Bankat pohojnë se faktorët që kanë ndikuar standardet e kredisë për individë në kahun lehtësues ishin niveli i likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave dhe rritja e konkurrencës në sektorin bankar.
Burimet nga tregu pohojnë një rritje të kërkesës për të blerë banesa nga individët, kërkesa po udhëhiqet nga shtresa e mesme kryesisht për objekte në periferi. Familjet e reja, migrimi i brendshëm dhe blerja për investim i një shtëpie të dytë janë faktorët që po udhëheqin kërkesën për kredi, pohojnë të njëjtat burime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.