Ndonëse i përmirësuar, niveli i besimit në ekonomi nga individët vazhdon të qëndrojë nën mesataren e tij historike…
Ndryshe nga bizneset, të cilët vazhdojnë që të mbeten pesimistë për ecurinë e biznesit të tyre dhe të ekonomisë, tek individët tendenca ka ndryshuar, teksa po vihen re shenjat të rritjes së optimizmit prej dy tremujorësh radhazi, me individët që deklarojnë se kostoja e jetesës është ulur në tremujorin aktual. Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) u rrit 1.3 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012, sipas vrojtimit të besimit të bizneseve e konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse i përmirësuar, ky tregues vazhdon të qëndrojë nën mesataren e tij historike (me 0.93 pikë përqindjeje). Përmirësimi i besimit konsumator gjatë këtij tremujori u ndikua nga përmirësimi i tre prej balancave përbërëse të tij. Rritje të ndjeshme pësoi balanca e situatës së kursim shpenzimeve e cila u rrit me 5.6 pikë përqindjeje. Në të njëjtin drejtim, por në shkallë më të ulët ndikuan balancat mbi blerjet në shuma të mëdha dhe situata e pritshme financiare, të cilat u rritën me përkatësisht 1.1 dhe 0.4 pikë përqindje. Tendenca e shtuar e konsumatorëve për kursim është shoqëruar me përkeqësimin e pritjeve për situatën ekonomike në të ardhmen. Balanca e kësaj të fundit është ulur me 1.8 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012.
Në tremujorin e tretë të vitit 2012, vlerësimi i konsumatorëve për situatën financiare të familjeve dhe situatën e përgjithshme ekonomike në vend vlerësohet në rritje. Balancat përkatëse rezultuan me rritje përkatësisht 5.7 dhe 3.4 pikë përqindjeje. Konsumatorët shprehen se kostoja e jetesës është ulur në tremujorin aktual. Ato gjithashtu presin ulje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.