Kur prodhuesit e birrës po presin t’i gëzohen akcizës së reduktuar, shumë prodhues të tjerë mendojnë se po operojnë në një treg jo të favorshëm.
Prodhuesit e ujit, verës dhe pijeve alkoolike nuk shohin asnjë “rreze të ngrohtë” mbështetje nga Qeveria.
Vendimi i fundit ndërmarrë nga Qeveria për lehtësimin e barrës fiskale të një pjese të industrisë (prodhimin e birrës) ka ngjallur debate mes prodhuesish,
të cilët prej gati një viti paguajnë (bashkë me birrën) akcizë për ambalazhin e plastikës dhe qelqit. Vendimi i përshkallëzimit në ulje të akcizës së birrës,
u arsyetua nga ministria e Financave si një hap për të mbështetur prodhimin vendas dhe për të ulur informalitetin.
Por, ndërsa ulet barra fiskale për prodhimin e birrës, sipërmarrës të produkteve shumë më të konsumuara si uji, kujtojnë se vetëm sa janë rënduar nga taksat e shtetit.
Luciano Cirillo, Drejtor i Përgjithshëm i stabilimentit “Uji i Ftohtë Tepelenë”, tregon se, “vendosja e akcizës së vitit të kaluar ka peshuar në rezultatet e kompanisë”.
Kostoja e prodhimit të ujit vlerësohet të jetë rritur mbi 40%, vetëm për shkak të kësaj takse. Tashmë, kur çështjet ambientale janë bërë të ndjeshme për të gjithë,
vetë prodhuesit pranojnë se duhet të paguajnë kostot e ambientit, pavarësisht se dyshojnë nëse duhet paguar për produkte që janë të riciklueshme si plastika, apo qelqi.
Për, më tepër, ata dyshojnë që këto të ardhura të shpenzohen për ambientin.
Stefan Pinguli, prodhues i birrës dhe ujit njëkohësisht pranon se nevojitet një organizim i duhur nga ana e biznesit, në mënyrë që ai të dëgjohet.
Ndërsa ka paguar taksën e ambalazhit për të dyja këto produkte prej tashmë 8 muajsh, ai mendon se, “çështja që mund të debatohet është ajo e nivelit të kësaj takse, duke u nisur nga pesha që zë ajo në prodhimin vendas”.
Diferenca vërehet edhe brenda vetë sektorit të prodhimit të pijeve alkoolike. Si tek pijet e forta alkoolike edhe tek vera (flasim për ndërmarrjet e regjistruara), rëndon pesha e akcizës së mallit, dhe asaj të ambalazhit.
Por, në kushtet kur vendi përballet me një ulje të ndjeshme të dërgesave të emigrantëve, një deficit të lartë tregtar dhe një nivel relativisht të lartë të borxhit të brendshëm, nuk do të mjaftonte një lobim çfarëdo për të zbutur “dorën” e shtetit.
Përfaqësuesit e industrisë së pijeve alkoolike, mendojnë se një lobim i fortë i industrialistëve të birrës i bëri ata të gjejnë mbështetje. Ata pranojnë se brenda sektorit nuk kanë arritur të organizohen mjaftueshëm.
Mes ujit dhe birrës…
Shumë ekspertë të tregtisë, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht që të mbështetet prodhimi vendas, pohojnë se mbështetja duhet të fillojë tek prodhimet bazë të konsumit të përditshëm.
Uji i ambalazhuar është shumë më i konsumuar në treg krahasuar me birrën dhe ka një gamë më të gjerë konsumatorësh (përfshirë edhe ata me të ardhura të ulëta).
Sigurisht që taksa e ambalazhit ka rritur edhe kostot e pijeve freskuese, lëngjeve të frutave në shishe, birrës dhe pijeve të forta alkoolike, por tek uji,
pesha ndjehet më shumë për shkak të vlerës së ulët të tij në treg. Luciano Cirillo, Drejtor i Përgjithshëm i “Uji i Ftohtë Tepelena”, pohon se, “vendosja e akcizës së vitit të kaluar peshoi në rezultatet tona,
të cilat në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar u përkeqësuan”. Rënia vazhdon edhe këtë vit, sipas tij, ndonëse konkurrenca nuk i ka ndryshuar tërësisht çmimet.
Luan Leka, sipërmarrësi i “Uji Qafshtama”, shprehet se, “ta konsiderojmë këtë industri të penalizuar është shumë pak. Efekti më i madh bie mbi konsumatorin e penalizuar, pasi të gjithë pinë ujë në shishe”.
Vendosja e akcizës mbi plastikën, e përdorur për shishen, tapën, filmin që përdoret për pakot e rrit koston e lëndëve të para me 40%, sipas Lekës. “Kjo rritje e kostove është reflektuar në të njëjtën masë në shtrenjtimin e çmimit të produktit.
Nuk mund të ishte ndryshe, pasi kompanitë e prodhimit të ujit, në një analizë që bëj unë, janë ose pa fitim ose me një fitim tepër minimal”, shprehet z.Leka. Sipas tij,
“në kushtet kur pothuajse kudo aplikohet TVSH më e ulët për produktet ushqimore të nevojës së parë, përveç TVSH-s ne i shtojmë ujit edhe akcizën, duke rënduar xhepat e konsumatorit.
Ndërkohë, produkteve me pak të nevojshme apo të dëmshme (alkooleve), u ulet akciza. Edhe për Stefan Pingulin, prodhues i ujit, “taksa e ambalazhit tek uji peshon ndjeshëm për vetë vlerën e ulët të shtuar të këtij prodhimi”.
Sipas tij, “taksa është e lartë dhe ka vend për debate në këtë drejtim”.
Por, duket se ideja për ta kundërshtuar këtë taksë është ende e “papjekur” mes prodhuesve edhe për faktin se ka vetëm 8 muaj që aplikohet në industri.
Z. Pinguli, saktëson se edhe prodhimi i birrës nuk dihet ende sa do të lehtësohet nga taksa e përshkallëzuar në bazë të sasive të prodhimit. Pavarësisht se është marrë vendimi,
ka një varg udhëzimesh që duhen parë sa të aplikueshme do të jenë dhe sa do të përfitojë industria në fund të vitit. Birra vendase përballet me një konkurrencë të lartë të prodhimit të importit,
ndërkohë që uji ka kosto të larta prodhimi e transporti në raport me vlerën e tij të ulët.
Në këto kushte, stabilimentet e ujit, sipas Z. Leka, mund të rriten vetëm nëse kompania ka burime të tjera financimi. “Te rritesh bazuar në të ardhurat që krijon shitja e ujit më rezulton e pamundur.
Në rastin tonë rritjen e “Qafshtamës” e mundëson EHW, që është e fuqishme financiarisht dhe planet tona nuk ndryshojnë. “Qafshtama” rritet në treg mesatarisht 35% në vit”.
Të ndryshëm, brenda llojit
Ndërsa mes ujit dhe birrës ka pak për t’u krahasuar, duke theksuar se uji është një prodhim shumë më i domosdoshëm, politikat e qeverisë nuk janë vizionare sipas ekspertëve të tregtisë.
Ata ngrenë dyshime për “mbështetjen e prodhimit vendas” përmes kësaj forme, për sa kohë që prodhimet e tjera alkoolike, pavarësisht se mund të krijojnë një markë të mirë për eksport, nuk e gëzojnë këtë mbështetje.
Sipas tyre, “edhe brenda të njëjtës fushë nuk po operohet me të njëjtin standard”. Ndërmarrjet e prodhimit të pijeve alkoolike (përfshirë birrën) paguajnë akcizë si për ambalazhin edhe për produktin.
Edmond Ziso, Administratori i kompanisë së prodhimit të pijeve alkoolike “Aqulia Liquori” mendon se një prej arsyeve përse nuk janë përfshirë në “lehtësimin” e barrës fiskale prodhuesit vendas të pijeve alkoolike,
ka të bëjë me zërin e dobët të tyre. Sipas tij, “industria e pijeve alkoolike nuk ka krijuar një lobing të fortë, siç ka bërë ajo e birrës”. Sektori i pijeve alkoolike numëron një kompani të madhe prodhimi,
që blen rreth 90% të pullave fiskale për pijet alkoolike, disa ndërmarrje të vogla, ndërkohë që një peshë të madhe në treg vazhdojnë të zënë prodhuesit joformalë. Këta të fundit përbëjnë rrezik për prodhuesit (e zyrtarizuar),
duke u bërë konkurrencë të pandershme, por mbi të gjitha rrezikojnë shëndetin e konsumatorit me pijet e tyre.
Vera, pa mbështetje
Vitet e fundit, një sërë kantinash shqiptare të prodhimit të verës po punojnë për të krijuar një emër të tyrin në treg. Ata ndihen shpesh “të mbytur” nga importet për shumë arsye bashkë.
Përvoja e kufizuar krahasuar me kantinat italiane e franceze dhe ngastrat e vogla të tokës vënë në rrezik efektivitetin dhe cilësinë e këtij prodhimi. Kësaj kostoje i shtohet edhe taksa e ambalazhit (për qelqin) dhe akciza e verës.
Për verën akciza është 20 lekë/litër. Ndonëse asnjëra nga këto të dyja në vetvete nuk ka ndonjë vlerë të lartë, duke iu bashkuar çmimit të lartë të lëndës së parë dhe cilësisë që shpesh lë për të dëshiruar,
ul konkurrueshmërinë e tij në treg. Petrit Çobo, prodhues i verës “Çobo” tregon se kosto e prodhimit të verës në kantinën e tij është rritur për shkak të akcizës së ambalazhit.
Në tregun e Bashkimit Europian, vera është bërë tashmë pjesë e shportës së konsumit të përditshëm dhe është përjashtuar nga akciza. Ekspertë në fushën e tregtisë agroushqimore,
pohojnë se nëse do të duhej të mbështetej një prodhim tek pijet, ai do të ishte vera. “Përmes këtij produkti mund të promovohen rajone të tëra shqiptare”, pohon prof. Petraq Sotiri,
ekspert në fushën e vreshtarisë. Ekspertë të tregtisë pohojnë se nëse duhet të ndjekim normat e BE-së në industrinë ushqimore, akciza për verën duhet hequr gjithashtu.
Pas taksës së ambalazhit, lehtësohet birra
Qeveria ndërmori një ndryshim gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar në ligjin për akcizat, ku ndër të tjera futi në listën e produkteve me taksën shtesë edhe plastikën, qelqin dhe kartonin.
Të tria këto përdoren masivisht në vend, pasi janë pjesë e përdorimit të përditshëm. Për plastikën, qeveria vendosi një akcizë në masën 100 lekë për kilogram, kurse për qelqin 10 lekë për kilogram.
Ndryshimet u ndërmorën si masë mbrojtëse ndaj ambientit, pavarësisht se të tilla produkte janë lehtësisht të riciklueshme. Prodhuesit pohuan asokohe se një masë e tillë takse
nuk ekziston në vende të tjera të rajonit dhe se qeveria me ligjin rrezikon të shtojë akoma e më shumë informalitetin.
Efekti ishte direkt te produkti final që paguhet nga konsumatori. Vendosja e akcizës mbi këto ambalazhe, vitin e kaluar, u shoqërua menjëherë me rritje të çmimit të disa produkteve të ndryshme.
Në këto kushte lind pyetja nëse do të ulet çmimi i birrës pas uljes së ndjeshme të akcizës për produktin e birrës.
Pas një lobimi të fortë nga ana e industrialistëve, akciza për këtë prodhim u ul muajt e fundit me 2.5 herë, aq sa u kërkua. Me ndryshimet e miratuara tashmë, për sasitë e prodhimit mbi 250 hektolitra,
përgjysmohet niveli i akcizës. Skema e re parashikon që akciza të bjerë në 12 lekë/litër për sasitë e prodhimit deri në 200 mijë hektolitra, nga 30 lekë/litër që ishte më parë.
Me aplikimin e akcizës sipas përshkallëzimit të ri, pritet që efekti negativ vjetor në buxhetin e shtetit të jetë 227.5 milionë lekë. Por, ministria e Financave është optimiste në grumbullimin e të ardhurave,
duke vlerësuar se deklarimi i prodhimit të fabrikave do të pësojë rritje në vijim të aplikimit të sistemit të ri të pullave fiskale për birrën e prodhuar në vend.
Ulja e nivelit të akcizës për birrën pritet të zgjerojë bazën e tatueshme dhe të “zyrtarizojë” të gjithë prodhuesit e birrës në vend, sipas ministrisë së Financave.
Akciza për birrën
Ishte
Deri në 200 mijë hl 30 lekë/litri;
Mbi 200 mijë hl prodhim birrë vjetore – 40 lekë/litri.
Bëhet (2011)
Deri në 70 mijë hl: 10 lek/litri
Nga 70 mijë – 200 mijë hl: 12 lek/litri
Nga 200 mijë – 300 mijë hl: 15 lek/litri
Mbi 300 mijë hl 30 lek/litri
Burimi:Ministria e Financave
Taksa për ambalazhin (2010)
Ambalazhi plastik i ri i mallrave: 100 lek/kg
Ambalazhet e reja të qelqit: 10 lek/kg.
Ambalazhi plastik i përdorur i mallrave: 200 lek/kg
Ambalazhet e përdorura të qelqit: 20 lek/kg.
Ambalazh i ri i përzier: 20 lek/kg.
Ambalazhi i përdorur i përzier: 40 lek/kg.
Burimi:Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.