Flet Enrik Mehmeti, Gazetar, ekspert i çështjeve turistike
Mjetet e vogla detare janë një nga alternativat që shqiptarët po zgjedhin për të zbuluar bregdetin, por së fundmi ka një tendencë edhe për anijet e mëdha turistike, me më shumë kapacitet.
Enrik Mehmeti, njohës i mirë i zhvillimeve në sektorin e turizmit, thotë se Jugu ngjall interesin më të madh për ture dhe eksplorim ndaj edhe flota detare turistike po zgjerohet dita-ditës. Sipas tij, Saranda këtë vit po ndjek shembullin e Vlorës, duke shtuar dy anije për ture ditore, ndërkohë që edhe itineraret priten të rriten. Ishulli i Sazanit mbetet ndër më të preferuarit.
Si ndikoi pandemia në industrinë detare, e lidhur kjo me turizmin, duke pasur parasysh anijet që përdoren për ture dhe jahtet?
Pandemia pati ndikimin e saj, duke bërë që ky treg të pësojë ulje të numrit të turistëve. Ata që munguan ishin kryesisht emigrantët, si dhe të huajt, ku vendin e parë e zënë italianët. Këtë vit, nëse Italia dhe vende të tjera, nuk do të hapin “dyert”, do të jetë gati e njëjta situatë me vitin e kaluar.
Si kanë qenë investimet e biznesit në këtë lloj industrie ndër vite, duke mos marrë parasysh vitin e pandemisë? A është rritur flota?
Është rritur numri i anijeve dhe në njëfarë mënyre, ka dhe mbingarkesë në raportin e kërkesës në Vlorë, ndërsa Saranda është një treg ku ky lloj biznesi po hyn te risitë, me dy anije të reja që janë shtuar, një e re e prodhuar në Vlorë dhe një e ardhur nga Turqia.
Specifikisht, a vini re nëse ka rritje të përdorimit të jahteve, gomoneve apo varkave dhe cilat kategori i preferojnë më shumë (çiftet, grupet shoqërore, familjet etj)?
Përpara pandemisë, kishte një tendencë për përdorimin e mjeteve ujore në masë të madhe. Nëse hapen “dyert”, them që do të ketë përsëri interes të lartë. Aktualisht, operimi bëhet kryesisht me tregun vendas dhe më pak, atë të vendeve, që kanë nisur të vizitojnë Shqipërinë.
Cilat janë turet apo itineraret më të pëlqyera në Jug?
Në Vlorë, destinacioni më i pëlqyer është ishulli i Sazanit dhe Gadishulli i Karaburunit, kryesisht për anijet e mëdha. Ata që dëshirojnë të shkojnë në pjesën e pasme të gadishullit, zgjedhin gomone apo mjetet e vogla ujore. Edhe Dhërmiu apo Himara, guidat i realizon me mjete të vogla në gjire. Ndërsa Saranda, e cila këtë vit vjen me dy anije të reja, pritet që të organizojë një turizëm pak a shumë si Vlora.
Si janë kostot për qiratë ditore apo javore të një mjeti lundrues?
Për sa u përket anijeve që udhëtojnë nga Vlora për në Karaburun dhe Sazan, bileta në anijet e mëdha është rreth 2000 lekë të reja, ndërsa mjetet e vogla ujore kanë kryesisht destinacion plazhet e Karaburunit, për vlerën e rreth 3000 lekëve të reja për person. Për sa u përket qirave, një mjet i vogël mund të prenotohet por me “kapitenin, pilotin” të përfshirë kundrejt vlerave të rëna dakord.
Cilat janë pengesat për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie (flasim këtu për marina jahtesh apo elemente të tjera të lidhur me to)?
Në fakt, Vlora pritet që të zhvillohet me portin e ri të jahteve, punimet e të cilit do të nisin në shtator dhe do të bëhet i mundur ankorimi i anijeve dhe mjeteve të tjera luksoze. Ndërsa për mjetet e vogla ujore, është pontili i vogël pluskues, ku organizimi i mjeteve të vogla bëhet në mënyrën e duhur.
Historia e ka treguar që transporti i lëndëve narkotike është bërë nëpërmjet gomoneve dhe vendosja e tyre vend e pa vend, e kthen në një rrezik potencial përdorimin e tyre. Kjo është arsyeja pse mjetet ujore duhet të jenë siç edhe janë, të kontrolluara nga strukturat përkatëse si dhe të organizuara pranë portit.
Ju investuat vetë pak vite më parë në një trimaran, si e shihni këtë investim sot, a ia ka vlejtur?
Investimi në trimaranin e vetëm në Shqipëri, Julka Unique, mendoj se është gjëja e duhur. Kjo sepse anijet mund të hyjnë shumë në treg, siç edhe kanë hyrë, por formati është unik ,pasi ka stabilitet të lartë, qëndrueshmëri ndaj detit të trazuar, siguri. Nëse do ishte anije si gjithë të tjerat, fakti që po shtohen çdo ditë, mendoj se nuk do t’ia vlente, por me veçantitë që ka, mendoj ia ka vlejtur. Jemi përpjekur që në atë anije, çdo detaj të jetë i veçantë, nga stabiliteti, detajet e brendshme dhe deri te numri i telefonit që të jetë i lehtë për udhëtarët dhe bashkëpunëtoret
Si e parashikon sezonin turistik në Vlorë këtë vit, duke pasur parasysh heqjen e kufizimeve edhe nga shumë shtete europiane, por edhe marketimin e vendit tonë si COVID-Free?
Vaksinimi i popullsisë dhe ulja e ndjeshme e shifrave për personat e infektuar, është një mesazh shumë i fortë për vende të ndryshme të botës. Ndikimi nga moshapja e rrugëve nga Italia fqinje apo vende të tjera, të cilët vijnë me transport nga deti apo ajri ndihet.
Vë re gjithsesi se si vitin e kaluar edhe këtë vit ka turistë nga tregje të reja turistike për Shqipërinë. Të joshur nga bukuritë e vendit tonë dhe informacioni se jemi vend COVID-FREE, ka pasur shumë turistë që me makinat e tyre i janë drejtuar Shqipërisë duke kompensuar disi mungesën e italianëve.
Cilat janë tendencat që vihen re në zonën e Jugut sa i takon turizmit këtë vit?
Pjesa jugore nga Vlora në Sarandë, ngelet në vendin e parë për sa u përket destinacioneve të preferuara. Pozitiv është fakti që shumë biznese po rriten profesionalisht edhe në këtë aspekt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.