Filmi shqiptar po kalon një periudhë të vështirë. Producentët thonë se janë rritur shumë kostot. Festivali mbetet vendi i vetëm ku mund t’i shohësh
Vite më parë, edhe pse nuk mund të quhej kurrsesi industri, të paktën mund të flitej për “boom” prodhimi. Sot, filmi shqiptar po vuan ende tranzicionin,
një gjendje që e mban larg nga fitimi i milionave, siç ndodh me vendet e tjera të rajonit.
Shkaqet janë të ndryshme. Një nga më kryesoret është rritja e kostove të prodhimit të filmit, në krahasim me disa vite më parë, por edhe aftësia dhe mundësia për të siguruar fonde, cilësia artistike e veprës etj.
Producentët thonë se buxheti për prodhimin e filmit shqiptar është sa gjysma e buxhetit të Maqedonisë, edhe pse për nga cilësia ka shumë dallim mes dy vendeve.
Në Shqipëri, çdo gjë më së shumti është një sfidë personale e producentëve apo regjisorëve, pasi buxheti i shtetit është shumë i ulët. Të prodhosh një film, duke e kaluar atë në të gjitha etapat deri tek ekrani i madh apo i vogël,
llogarit një kosto prej rreth 8 milionë lekësh.
Sfida për të mbijetuar
Ajo që ende mban peng industrinë e filmit është mosfunksionimi i zinxhirit drejt konsumatorit, pra të gjithë komponentët në tërësi, si: regjisorët, aktorët, stafi, buxheti, produksioni.
Këta të fundit janë zemra e një prodhimi kinematografik. Një nga regjisorët e njohur të skenës shqiptare, Fatmir Koçi, thotë se në Shqipëri, producenti është një luks.
Në më të shumtën e rasteve, këtë detyrë e përmbush vetë regjisori. Ai tregon se në Shqipëri, ky term ka nisur të përdoret përpara 14 viteve, kohë në të cilën filmat e prodhuar kanë qenë me buxhet të hapur,
duke bërë që realizimi i tyre të shtrihej në kohë. Për Koçin, nuk mund të bëhet fjalë që një film të dalë me fitim për aq kohë sa shpenzimet për ta realizuar janë të mëdha dhe tregu nuk është aq i madh sa të krijojë mundësi për shitjen e tyre,
sikundër ndodh në vendet e tjera. “Në prodhimet shqiptare, një pjesë e buxhetit sigurohet nga qendra e kinematografisë, ndërsa pjesa tjetër nga donacionet apo bashkëprodhimet me të huajt.
Producenti është elementi bazë i biznesit të filmit, është personi që i mbledh të gjitha pjesët bashkë”, thotë ai. Sipas tij, të mbijetosh në një treg si ai shqiptar, është shumë e vështirë,
pasi mungon jo vetëm infrastruktura prodhuese, por edhe ajo shpërndarëse.
“Në kushtet e një shpërndarjeje jo të duhur, me piraterinë që godet çdo ditë, nuk mund të bëhet fjalë për të siguruar të ardhura”, thotë z. Koçi.
Nga ana tjetër, regjisori i njohur përmend edhe faktin se në Shqipëri, kostot janë rritur me rreth 20% edhe për aspektin teknik të realizimit të filmit, si për pagesat, qiratë e objekteve, akomodimin, transportin.
E njëjta gjë ndodh edhe me aspektin e post-produksionit. Për këtë arsye, ai mendon që një projekt që ka, ta përfundojë në Angli, ku kushtet janë më të favorshme. Përballë këtyre vështirësive,
regjisori i hedh sytë te vlerat, si një mundësi e vetme për ta bërë filmin që flet shqip të shohë dritën e ekraneve të festivaleve në botë.
“Në tregun europian, ku producentët shqiptarë trokasin shpesh për të gjetur fonde, mënyra më e mirë për t’i arritur ato janë vlerat artistike.
Është arritur të kuptohet se, për të paraqitur një projekt të mirë, është i nevojshëm marketingu.
Kur aplikon për të përfituar fonde, duhet të tregosh besueshmëri, mesazhe të qarta, punë cilësore profesionale”, thotë Koçi.
Sipas tij, producentët dhe regjisorët e kanë të qartë se një vepër e mirë i hap vetë dyert. Ndaj dhe kjo mbetet sfida kryesore.
Ndërsa në tregun shqiptar, ajo që vazhdon të garantojë shitje të suksesshme është padyshim filmi i para viteve ‘90. Për drejtuesin e Forumit të Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë,
regjisorin Esat Mysliu, shqiptarët kanë nostalgji për prodhimet e asaj kohe. Në radhë të parë konsumatorët e kësaj kategorie filmash janë shtëpitë diskografike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Këto të fundit çdo vit bëjnë kontrata me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Por blerës të mëdhenj konsiderohen edhe televizionet, një pjesë e të cilave ka marrë të drejtën e transmetimeve si në sistemin analog,
ashtu edhe në atë dixhital. Për filmi artistik, në përgjithësi, ka kërkesë të madhe në treg. “Me dy apo tri filma në vit është e pamundur të ngopësh tregun, ndaj dhe filmi shqiptar i viteve para ‘90-s arrin të mbizotërojë më shumë në shitje.
Brezi i ri i shikon ato edhe për t’i kompletuar historinë”, thotë Mysliu.
Por, cili është filmi më i shitur? Për këtë, regjisori, thotë se nuk ka sondazhe apo statistika, por filmat historikë që janë para epokës së komunizmit janë më të kërkuarit dhe më të dashurit, jo vetëm për vlerat artistike,
por dhe për epokën historike që pasqyrojnë. Në treg, sidomos në atë jashtë, sipas regjisorit Mysliu, ngjall interes edhe filmi dokumentar. Ai që nuk arrin të gjejë treg është filmi vizatimor sepse konkurrohet nga ai i huaj,
që është më cilësor dhe i dubluar në shqip.
Një buxhet në dietë
Për vitin 2011, buxheti i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u rrit pothuajse në mënyrë të pandjeshme, edhe pse shumë herë drejtuesit e saj kanë pohuar se projektet artistike kanë nevojë për shuma më të mëdha investimi.
Për vitin 2011, buxheti u llogarit në 115 milionë lekë, nga rreth 111 milionë lekë që ishte në vitin 2010.
Një strategji që nuk funksionon
Gati dy vjet më parë, Ministria e Kulturës hartoi një strategji për kulturën, ku ndër të tjera, si zë të veçantë kishte edhe filmin. Për producentët shqiptarë, kjo strategji nuk ka funksionuar.
Madje ata thonë se në pjesën më të madhe iu duhet të luftojnë pas dyerve për të tërhequr financime. “Nëse nga shteti arrijmë të marrim fonde, dy të tjera arrijmë t’i sigurojmë nga burimet e huaja të financimit.
Nga njëra anë, kjo tregon qartë për suksesin e producentëve tanë në tregun ndërkombëtar, nga ana tjetër tregon se në çfarë gjendjeje ndodhemi”, thotë Koçi.
Sipas tij, për shkak të mosparashikimit të saktë të zhvillimeve, pasaktësive në ligjin për kinematografinë, mungesës së interesimit nga institucionet përgjegjëse,
po dëmtohet struktura e distribucionit dhe rrjeti i sallave të projeksionit të filmit, duke ulur në mënyrë dramatike numrin dhe cilësinë e shërbimeve të kinemave në vend.
“Është kjo arsyeja që Shqipëria është ndër vendet e pakta në Europë që nuk është bërë ende anëtare e një prej qendrave më të fuqishme të mbështetjes së prodhimit kinematografik ‘Euroimazh’”,
thotë regjisori. Për regjisorin, pirateria e produktit filmik, vendas dhe të importuar mbetet shkaku kryesor i dëmit të shkaktuar, ndaj dhe lufta për zhdukjen e saj është sfida kryesore e shtetit.
Për regjisorin Mysliu, përballë rënies së numrit të spektatorit, një mënyrë e rritjes së shikueshmërisë janë edhe kinematë “multiplekse”, të cilat ofrojnë më tepër fleksibilitet në ekspozimin e filmave,
si dhe një mjedis më atraktiv për klientët se sa kinemaja klasike.
Maqedoni, prodhuesit e filmave e shikojnë të ardhmen te reforma në taksa
Ndërsa shtete të tjera në rajon fitojnë miliona çdo vit nga kompanitë e filmave, Maqedonia, po e humbet këtë mundësi, pasi vendi nuk iu ofron prodhuesve të filmave ndonjë mundësi financiare,
shkruan Balkan Insight. Prodhuesit kërkojnë nga shteti që të ndjekë shembullin e Republikës Çeke, Rumanisë, Bullgarisë, Irlandës, Belgjikës, Gjermanisë, Luksemburgut apo Islandës,
ku falë ligjeve stimuluese, arrijnë të sigurojnë miliona euro të ardhura.
Prodhuesit maqedonas të filmit besojnë se për ta është krijuar një mundësi, tani që Bullgaria dhe Rumania janë kthyer në një treg më të shtrenjtë, që kur iu bashkuan familjes europiane në vitin 2007.
Si rezultat, kompanitë e produksionit po kërkojnë për lokalitete të reja.
Darko Baseski, kryetar i Fondacionit maqedonas të Filmit, thotë se krijimi i lehtësirave në taksimin për prodhimin e filmave do të krijonte një klimë më të favorshme.
“Momentalisht, kemi një apo dy produksione me buxhet të ulët që kanë ardhur në Maqedoni për pak javë”, thotë ai.
Kompani nga Sllovakia dhe Gjermania kanë konfirmuar se synojnë të xhirojnë filma në Maqedoni e po kështu ka tërhequr interes edhe një trupë xhirimi nga Turqia.
“Këto janë shembuj të vegjël dhe individualë. Një ligji me natyrë stimuluese do të sillte producentë më seriozë dhe për një periudhë më të gjatë kohore”, thotë Baseski.
Dy muaj më parë, Fondi i Filmit i dërgoi një draft Ministrisë së Kulturës për të ndryshuar ligjin për taksimin e filmit, duke nënvizuar faktin se kjo do të sillte përfitime.
Anita Jovanoska, nga Ministria e Kulturës, tha se qeveria pranon faktin se një ligj i tillë do të ndihmonte zhvillimin e industrisë së filmit, do të krijonte vende të reja pune për aktorë, drejtues, producentë,
pra duke ndikuar drejtpërdrejtë në normën e punësimit.
Në vitin 2009, Maqedonia fitoi 900,000 euro kur një film irlandez “As if I’m not there”, u xhirua për gjashtë javë në këtë vend. Por, lokalitetet mund të fitojnë miliona euro nga produksionet e mëdha.
Në Bullgari, prodhuesit e huaj të filmave shpenzojnë mesatarisht 2 deri në 4 milionë euro, ndërsa projekte të tilla si “Conan the Barbarian”, bëri që vendi të fitonte vetëm nga vënia në skenë 26.5 milionë euro.
Përveç se shpenzojnë shumë të mëdha, për periudha të shkurtra kohore, producentët e mëdhenj të filmave, punësojnë një numër të madh njerëzish. Të ardhura ekstra nënkuptojnë për hotelet e shërbimet e tjera të kësaj industrie.
Nga ana tjetër, vetë filmat, duke treguar peizazhet më të bukura, tërheqin producentë të tjerë.
Robert Naskov, drejtues i kompanisë “Kino Oko”, thotë se kur një film xhirohet në një lokalitet ndikon në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si në tekstile, ndërtim, telekomunikacion, katering e turizëm.
“Është njësoj si të kesh hapur një ndërmarrje, pasi punësohen shumë njerëz”, thotë ai.
Ognen Antov, një producent filmi që ka punuar shpesh me ekipe të huaja thotë se kur një producent filmash shpenzon miliona euro, atëherë ai është një investitor në shumë sektorë.
“Imagjinoni si do të ishte tani sikur të xhirohej një film tjetër i përmasave hollivudiane, si ‘The Peacemaker’, i cili është xhiruar në Maqedoni në vitin 1997”.
Producenti Vladimir Anastasov thotë se Maqedonia ndien edhe konkurrencën që vjen nga vende si Rumania dhe Bullgaria, që prej kohësh kanë nisur të ofrojnë këtë shërbim.
Secili nga këto shtete fiton afërsisht rreth 200 milionë euro nga prodhimi i një filmi.
Dy vjet më parë, Anastasov tha se kompania e tij “Sektor film”, mori një ofertë nga një kompani e mirënjohur hollivudiane për të xhiruar një pjesë të një filmi në Maqedoni,
por kompania u tërhoq për shkak të mungesës së një ligji për reduktimin e taksave për të inkurajuar investimin.
“Filmi u xhirua në një vend që kishte iniciativa të tilla. Një tjetër kompani shfaqi interes dhe ne humbëm një projekt që vlente 40 milionë euro, pasi edhe këtë herë producenti
u josh nga një vend që aplikonte politikën e taksave të ulëta. Shteti i kthehu producentit 20% të totalit të buxhetit të shpenzuar”, tha Anastasov.
Aneta Lesnikovska, e cila drejtoi Festivalin e Parë të Filmit Ballkanik, tha se lehtësitë fiskale ndihmojnë organizatat dhe institucionet kulturore ndaj dhe duhet të merret seriozisht në konsideratë rishikimi i ligjeve.
“Është shumë e rëndësishme që fragmentizimi i ligjit të lihet në dorë të ekspertëve lolakë, pasi ata e njohin më mirë situatën dhe janë njerëzit më të informuar, për kushtet në të cilat punojnë”, tha Lesnikovska.
Vladimir Blazevski thotë se autoritetet maqedonase duhet të shpejtojnë për të bërë ndryshimet në ligj. “Republikës Çeke iu deshën gjashtë vjet për të ndryshuar ligjet”.
Serbia, kohët e fundit ka prezantuar nismën për ndryshime në taksim për kompanitë e filmave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.