Sipas kreut të Shoqatës së Ricikluesve, Bardhyl Baltëza, “nuk është bërë asnjë hap përpara në 2015-n”. Industria e riciklimit dhe e paketimit, sipas tij, ka qëndruar në vendnumëro, ndërsa priste politika lehtësuese.
Planet e industrisë së riciklimit duken të zbehta për këtë vit. Baltëza, sipërmarrës i fabrikës së prodhimit të kartonit në Durrës, thotë se këtë vit do t’i kushtojë më shumë rëndësi paketimit për produktet bujqësore. Për këtë arsye, ai tregon se “do të hap një pikë tregtimi në Lushnjë për t’i shërbyer bujqësisë, ku do të punësohet 8 veta”.
Përtej investimeve modeste, planet e industrisë së riciklimit, varen shumë nga politikat e qeverisë. Vullnet Haka, administrator i Everest Ie, thotë se “pikëpyetja më e madhe për ne është nëse do të vazhdojë lufta antiinformalitet. Apo qeveria do ta lërë me kaq”. Sipas tij, luftimi i informalitetit mund të çojë në ristrukturim të biznesit dhe të përmirësim të konkurrencës. Por, ai sheh se, ata që kanë punuar në të zezë vijojnë të vazhdojnë në informalitetin e tyre. “Një pjesë e mirë e tregut e mbajnë faturën sa për “hipotekë” dhe pastaj blejnë pa faturë. Nëse do të vazhdohet kështu, nuk shoh perspektivë në rritje”. Sipërmarrësit e këtij sektori e shohin me shumë dyshim 2016-n. Drejtuesit e kompanisë së prodhimit të ambalazheve plastike fleksibël, thonë se kanë investuar vitin që lamë pas. “Brenda 2015-s kemi bërë 2 milionë euro investim, për të strukturuar produktet për tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, thotë z. Haka, ndërsa thekson se duhet nxitje edhe nga jashtë kompanisë për të investuar. A ka mbështetje?! Aktualisht, industria e riciklimit po punon me kapacitet 30-40%. Ndaj, para se të bëjë investime të reja, thotë Haka, “industria duhet të shfrytëzojë këto që ka”. Sipas tij, qeveria jo vetëm nuk e ka liberalizuar, por e ka bllokuar importin e mbetjeve të riciklueshme, ndërsa lejon eksportin e tyre”
Ndaj, gjithçka për 2016-n e ka në dorë qeveria. “Nëse ajo kupton se ka pak shanse të tërheqë investime nga jashtë, një mundësi e mirë është nxitja e riinvestimeve brenda vendit. Nëse qeveria, përmes politikave ekonomike do të japë sinjale pozitive, ne do të jemi të gatshëm për të investuar”, thotë Vullnet Haka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.