Prodhimi i tullave ka vijuar rënien në dy vitet e fundit, në kushtet ku ky sektor përballet me ndalimin e lejeve të ndërtimit, “shuarjen” e kërkesës në tregun e brendshëm, kostot në rritje të prodhimit, si dhe të transportit për eksport. Aktorët e tregut ngrenë zërin për ndihmë, teksa fabrikat e tyre punojnë nën kapacitetin e prodhimit dhe vetëm disa muaj gjatë vitit…
Nga Deada Hyka
Sektori i prodhimit të tullave, prej më shumë se dy vitesh, duket në regres: ka ulur prodhimin për shkak se nuk ka shitje, disa kanë falimentuar, të tjerë po shkojnë drejt falimentimit. Pasojat janë të dukshme: fabrikat nuk punojnë gjatë gjithë vitit sipas operatorëve në treg, jo pak raste kanë hasur shkurtim të vendeve të punës, kanë shitje të pakta, fitime të tkurrura. Kjo panoramë, e marrë nga disa nga kompanitë kryesore të tregut, sugjeron se është thuajse një pamundësi objektive riaktivizimi i këtij sektori.
Fabrikat e prodhimit të tullave, jo vetëm që kanë ulur prodhimin, por kanë reduktuar ndjeshëm çmimet.
Shkaqet e rënies së shitjeve, sipas administratorit të kompanisë Kid ALB, lidhen me ndalimin e ndërtimeve, kostot e larta të aktivitetit të këtij lloj sektori, si dhe krizën ekonomike që prej vitesh ka përfshirë të gjithë.
Z. Asllan Baraj, administratori i Kid Alb, tregon për ‘Monitor’ se një ndër problemet më të mëdha të aktivitetit të kompanisë që drejton është skanimi në doganë. Sipas tij, për artikujt e “tullave” nuk ka kuptim të kryhet skanimi, duke qenë se përveç kostove, koha që humbet është e pashlyeshme.
“Tregu i shitjeve të tullave në vend ka qenë në rënie në dy vitet e fundit. Ne kemi konstatuar se, në rast se vitin 2014 kemi eksportuar 25% të prodhimit, në vitin 2015 kemi dërguar për eksport rreth 40%, duke qenë se tregu i brendshëm ka rënie të kërkesës. Mirëpo, edhe për eksport, kryesisht në vendet fqinje, kemi hasur problematika. Një ndër të cilat është padyshim skanimi. Ne dërgojmë zakonisht 1 kamion në ditë për eksport, me rreth 700 tulla. Skanimi na merr shumë kohë në dogana, kemi pranuar edhe procesin e testimit që të mos vonohemi, tulla s’është një produkt që ka nevojë patjetër për skanim një nga një”, – tregon z. Baraj.
Ai tregon më tej për ‘Monitor’ se fabrikat e tullave në vend punojnë duke shfrytëzuar 30-40% të kapaciteteve të tyre, madje edhe pezullojnë aktivitetin pasi rreziku i mbiprodhimit mbetet i lartë.
“Volalba ka falimentuar prej 3 vitesh, ndërkohë që fabrikat e tjera nuk punojmë gjatë gjithë vitit. Fabrika e Korçës punon vetëm 2-3 muaj në vit, fabrika në Fushë-Krujë rreth 5 muaj ndali prodhimin vitin e shkuar, po ashtu edhe disa kompani të tjera të vogla. Ne përpiqemi duke ecur zvarrë, duke u mbështetur tek eksporti, se treg të brendshëm nuk ka më”, – pohon administratori i Kid Alb.
Zef Shtjefni nga kompania Milis Brick sh.a., tregon për ‘Monitor’ se rënia e shitjeve në dy vitet e fundit për të gjithë kompanitë prodhuese shqiptare të tullës ka ardhur nga dy arsye kryesore. E para, lidhet me ndalimin për dy vite të lejeve të ndërtimit në vend, që ka vënë në vështirësi këto kompani, tregu i brendshëm i të cilëve u tkurr ndjeshëm duke e çuar fokusin tek eksportet. Megjithatë, edhe këta të fundit, sikurse pohon edhe z. Shtjefni, kanë kosto të larta transporti.
“Në ndërtimet pa kriter të ndodhura ndër vite në vendin tonë, nuk na e kanë fajin as llaçi, as tullat dhe as ndërtuesit. E kanë fajin ata që na kanë qeverisur keq, ata që ishin të paaftë dhe që lejuan apo krijuan këtë katrahurë. Zgjidhja e një emergjence, duke krijuar një tjetër me bllokimin e bërë, nuk është aspak zgjidhje e mençur. Të gjithë po e vëmë re ditët e sotme”,- pohon ai.
Arsyen e dytë, administratori i një ndër operatorëve kryesorë në treg Milis Brick sh.a., e lidh me situatën në Kosovë, në të cilën janë shtuar në dy vitet e fundit ndërtimet dhe janë krijuar shumë kompani të mira të prodhimit të tullave. “Kosova e dy viteve të fundit është si Shqipëria e para 10 viteve. Me një bum ndërtimesh dhe me shumë kompani prodhimi tulle, ajo që ishte tregu kryesor i eksportit për shqiptarët, po shndërrohet në konkurrentin kryesor”,- tregon për ‘Monitor’ z. Shtjefni.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e këtij produkti drejt Kosovës ranë me 18% në vitin 2015 në raport me një vit më parë. Në total, eksportet e qeramikës ishin 30% më të ulëta në 2015-n, në krahasim me 2012-n, kur ato arritën kulmin.
Bien çmimet
Z. Shtjefni shton se një ndër vështirësitë e kompanive vendase është edhe amortizimi i pajisjeve. “Në një biznes të tillë si ai i prodhimit të tullave kërkon përdorimin e pajisjeve të një teknologjie të caktuar. Por, këto teknologji amortizohen brenda 5 viteve. Kjo na shton barrën e kostove”,- tregon z. Shtjefni.
Një tjetër fakt që kompanitë e atribuojnë si tregues i tkurrjes së aktivitetit dhe vështirësisë së sektorit është ulja e çmimeve të tullave.
“Çmimet e tullave janë sot më të lira se 3-4 më parë, kjo sepse kemi ulur çmimet me shpresë për të ruajtur shitjet dhe tregjet. Çmimi dikur arrinte në 70 lekë/tullë, sot është veçse 25 lekë/tullë, i cili nuk kompenson as kostot e prodhimit”, tregojnë operatorët.
Bie prodhimi i tullave
Sipas të dhënave të marra nga operatorët vendas të kontaktuar, volumi i prodhimit ditor ka rënë ndjeshëm. N.q.s. u referohemi shifrave të 4 viteve më parë, ata pohojnë se prodhimi në total arrinte 4000 tonë/ ditë, ndërsa tani shifrat sugjerojnë deri në 2000-2500 ton/ditë dhe ka raste që mbeten stok.
Kompanitë tregojnë se prodhimi ka rënë sidomos dy vitet e fundit (2014 dhe 2015), gjatë kësaj periudhe ata prodhuan vetëm sipas nevojës së tregut, tashmë në ngërç.
Kjo situatë shoqërohet me prodhimin nën kapacitet të secilës fabrikë në vend, si dhe reduktimin e kohëzgjatjes së punës, në 4-5 muaj në vit.
Energjia elektrike dhe lënda djegëse, kosto e lartë
Në industrinë e tullave, energjia elektrike e shpenzuar përbën rreth 20% të kostos totale, vlerësojnë operatorët e tregut. Nga ana tjetër, edhe lëndët djegëse janë shumë të nevojshme për prodhimin e tullave nga fabrikat.
Përfaqësuesit e disa prej kompanive kryesore tregojnë se këto dy variabla bëjnë që kostot e prodhimit të tullave të jenë shumë të larta. Sipas tyre, çmimet e tyre janë rritur vitet e fundit, duke vështirësuar aktivitetin dhe duke çuar në reduktimin e prodhimit të tyre.
Kërkohet ndërhyrje
Administrator i kompanisë Milis Brick thekson se, qeveria duhet të kryejë ndërhyrjet e veta në disiplinimin e ndërtimeve, por kurrsesi nuk duhet të ndalonte ndërtimet. “Ndërhyrja e qeverisë për ndalimin e lejeve të ndërtimit prej më shumë se 2 viteve i krijoi një ngërç tregut. Qeveria duhet të disiplinojë ndërtimet, jo të ndërhyjë në treg. Me çfarë të drejte i thotë një shqiptari me pagë mesatare 30 mijë lekë që të blejë një apartament me 800 euro/m²? Duhet të krijojë liri në treg, sipas nevojave. Kjo na krijoi vështirësi në të gjithë sektorin të ndërtimit, duke përfshirë edhe ne të prodhimit të tullave. Duhet pasur parasysh se qeveria duhet të nxisë zhvillimin e këtij sektori që sjell zhvillim ekonomik, kudo nëpër botë. S’ka logjikë, në asnjë vend tjetër, që leja e ndërtimit të shndërrohet në luks”,- pohon në fund z. Shtjefni.
“S’ka shpresë për përmirësime gjersa qeveria të merret vërtet me ekonomi”- deklaron administratori i Kid ALB, Asllan Baraj. Ai sugjeron se qeveria duhet të marrë masa që të zhbllokojë tregun, të ndihmojë kompanitë vendase.
“Po ecim zvarrë me aktivitetin tonë, nuk është normale që çmimi i një tulle ka pësuar një rënie kaq të madhe. Kostot e prodhimit janë shumë të larta, qeveria të ndihmojë kompanitë vendase, na vjen keq që të heqim punëtorët”,- thotë z. Baraj.
Tkurret aktiviteti i operatorëve vendas
Aktiviteti i kompanive vendase të prodhimit të tullave ka ardhur me ulje të dukshme në dy vitet e fundit të deklaruar.
Tegola Edil Centro sh.p.k është kompania që ka parë tkurrjen më të madhe të xhiros ndër kompanitë e tjera, me – 28%. Kjo kompani po ashtu, rezulton me rreth 18 mln lekë fitim në vitin 2013 dhe panorama e këtij biznesi përmbyset krejtësisht në vitin 2014, ku rezulton me humbje -14,8 mln lekë.
Sa i përket kompanisë Milis Brick sh.a, xhiroja vjetore ka pësuar tkurrje me rreth -11% në 2014, po ashtu edhe fitimi, i cili në 2013 ishte 21,7 mln lekë dhe në 2014 shkon në 14,7 mln lekë.
Kid ALB sh.p.k., nga ana tjetër, sërish rezulton me ulje të xhiros vjetore në dy vitet e fundit me rreth -10%, e me ulje të lehtë fitimit, nga 37,5 mln lekë në 2013, në 33,5 mln lekë në 2014.
Rrënimi i Volalbës
Kompania me kapital italian Volalba, dikur lider i prodhimit të tullave në vend, shpalli falimentin në maj të 2013-s dhe rruga e ndjekjes së procedurave ligjore në Gjykatën e Tiranës, duket shumë e gjatë, gjersa ende pas dy ankandeve nuk është shitur.
Pasi dështoi ankandi i planifikuar të mbahej më 15 qershor 2015 për shitjen e kompanisë së falimentuar Volalba, ambientet e prodhuesit të dikurshëm të tullave dolën sërish në shitje në tetor të vitit të shkuar, me një çmim të përgjysmuar prej 2.7 mln euro, nga 6 mln euro që ishte në fillim.
Në fillim të majit, si nismë e administratores së falimentit, znj. Shpresa Breçani, është kërkuar që të zëvendësohen ekspertët e vlerësimit të pronave. Gjykata e Falimentit mori në konsideratë kërkesën e administratores, duke miratuar ndërrimin e ekspertëve të vlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Sipas burimeve të kontaktuara në zyrën e administratores së falimentit, pritet që të caktohet data e re e një ankandi, si dhe pritet një çmim i ri për asetet e kompanisë së njohur me kapital italian.
Volalba ishte biznesi më i madh në vend i prodhimit të tullave, i cili nisi aktivitetin më shumë se 15 vite më parë në ish-fabrikën shtetërore të tullave, në Lushnjë. Por megjithëse është ndër të parat që ka hyrë në treg dhe gjithashtu më e madhja, ajo është gjithashtu e para në largimin nga ky sektor duke shpallur falimentin.
Ish-drejtuesit e kompanisë kanë pohuar asokohe se shkaku kryesor që çoi në performancën tepër negative të kompanisë ishte kriza e thellë që ka goditur sektorin e ndërtimit dhe si pasojë, pamundësia për të ruajtur shitjet në treg. “Kemi shënuar rënie të xhiros nga viti në vit që prej 2008-s. Kriza e ndërtimit ishte ajo që na dha goditjen”, pohonin drejtuesit e shoqërisë Volalba në vitin 2013.
Sektori i tullave është ndër sektorët më të goditur në biznesin e materialeve të ndërtimit, i cili jo vetëm përballet me një krizë të thellë të likuiditeteve për shkak të borxheve të mëdha nga klientët e ndërtimit, por edhe nga mbiprodhimi, në kushtet kur numri i firmave që prodhojnë tulla u rrit me shpejtësi gjatë viteve 2007-2009.
Importet, kryeson Spanja
Spanja kryeson si shteti ku importet e produkteve qeramike (që përfshijnë edhe tullat, tjegullat, pllakat etj.) janë më të larta. Ky shtet ndiqet nga Italia, Kina dhe më pas, vendet e afërta si Greqia, Turqia, Serbia. Peshë disi më të ulët duket se kanë vendet ballkanike si Bullgaria, Maqedonia, Kroacia. Megjithatë, ajo që vihet re edhe nga shifrat e INSTAT, është se importi ka ardhur në rënie nga viti 2013- 2015, thuajse në të gjithë këto shtete, arsye të cilën operatorët e tregut e lidhin me mungesën e lejeve të ndërtimit në këto vite. Në total, importet e vitit të shkuar kanë pësuar tkurrje 6%.
Sa i përket eksportit, kompanitë tona vijojnë të eksportojnë më tepër në Kosovë, e cila zë peshën më të madhe tregtare gjatë tre vjet më parë. Por, duhet theksuar se kjo tregti ka ardhur në rënie. Kompanitë kryesore në treg tregojnë se shkaku për këtë rënie është zhvillimi i vetë kompanive të prodhimit të tullave në Kosovë, si nevojë nga bumi i ndërtimeve në këtë vend.
E njëjta panoramë duket edhe për shtetin tjetër fqinj Italinë dhe Greqinë, eksportet me të cilët i kemi në rënie. Eksportet e produkteve të tilla kanë pasur rritje të lehtë në Malin e Zi dhe Maqedoninë, nga 2014 në 2015, sugjerojnë shifrat e INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.