Industria e tekstileve dhe këpucëve në vend po përballet gjithnjë e më shumë me një sërë sfidash, që po përkeqësojnë ecurinë ekonomike të bizneseve.
Përfaqësuesit e sipërmarrjeve dhe shoqatave të biznesit nga vendi dhe rajoni, që për tri ditë, u mblodhën në Panairin e tretë Ndërkombëtar të Tekstilit në EXpo City, Tiranë, shprehen që situata është përkeqësuar kryesisht nga rritja e çmimit të energjisë, zhvlerësimi i euros në tregun vendas, mungesa e fuqisë punëtore, si dhe konkurrenca me vendet aziatike.
Z. Edvin Prençe, kryetari i shoqatës së ProExport Albania, shprehet se situata është e paqartë dhe se duhen marrë masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së sektorit
“Sektori i manifakturës së veshjeve dhe këpucës tashmë është duke u përballur me shumë problematika, si ajo e energjisë elektrike, pasi tashmë është fiksuar çmimi 18.8 lekë dhe ende nuk e dimë si do jetë situata pas 1 janarit të viti 2023”.
Ai pohoi se një tjetër problem lidhet me luhatjet e theksuara në kursin e këmbimit, ku Euro po bie dhe Leku po forcohet vazhdimisht. Këto ndryshime të mëdha kanë sjellë rreth 5 mijë euro humbje për vetëm një biznes.
“Për bizneset që janë eksportuese siç është edhe sektori ynë, që zë më shumë se 40% të produkteve ‘Made in Albania’, patjetër që është jo vetëm një problem, pasi sjell rënie të fitimeve dhe likuiditetit në bizneset e sektorit. Humbja është me rreth 5000 euro nga bizneset vetëm për shkak të kursit të këmbimit, pasi Euro është gjithmonë në rënie.
Sektori ynë bën kontrata të gjata 1-5-vjeçare dhe nuk dihet se si do ndryshojë situata në të ardhmen” -tha ai.
Një tjetër element i sjellë në vëmendje nga përfaqësuesit e bizneseve është edhe konkurrenca e padrejtë me vendet aziatike, ku sipas tyre në këto vende, fuqia punëtore është më e lirë si dhe mbështetja dhe politikat fiskale janë më të drejta.
Si pasojë, produktet e ardhura nga këto vende blihen më lirë edhe më shumë se produktet “Made in Albania”
Z. Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, u shpreh se konkurrenca me vendet e treta aziatike po përkeqëson edhe më shumë situatën në industrinë e veshjeve, pasi ajo është shumë e ashpër dhe e padrejtë në kushtet ku gjendet sektori ynë sot.
“Sektori i tekstileve dhe lëkurës është specifik në të gjithë Ballkanin, me vështirësitë e veta si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Një nga sfidat kryesore është përballja me konkurrencën e ashpër dhe jo të drejtë nga vendet aziatike, duke i bërë prodhuesit vendas jo të barabartë.
Në shumë vende, fuqia punëtore është më e lirë si dhe mbështetja dhe politikat fiskale janë më të drejta dhe më të lira. Dhe konsumatorët shqiptarë shpeshherë zgjedhin t’i blejnë produktet nga vendet e treta dhe jo ato që prodhohen nga vendet tona” u shpreh Shahini.
Përveç krizës së energjisë dhe shtrenjtimit të kostove të prodhimit, problematika kryesore që po ndihet jo vetëm në vend, por edhe në rajon, është mungesa e fuqisë punëtore.
Sipas bizneseve, për këtë arsye, ata nuk mund të plotësojnë dot kërkesat që vijnë nga vendet europiane.
Presidentja e TTA Textile Cluster të Maqedonisë së Veriut, Marijana Perkovska, u shpreh se problemi kryesor i sektorit në vendin e saj është mungesa e fuqisë punëtore prej vitesh.
Në këtë moment kemi më shumë se një problem dhe na duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për të gjitha. Problemi kryesor është mungesa e fuqisë punëtore prej vitesh, e cila ka prekur tërë rajonin. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje fikse për këtë problem” – tha Perkovska.
Znj. Perkovska tha se për shkak të krizës globale, disa kompani kanë mbyllur dyert.
“Situata e krijuar nga lufta në Ukrainë dhe mungesa e energjisë elektrike, kanë ndikuar shumë në industrinë tonë, duke rritur kostot e prodhimit. Për disa kompani kostot janë 10 herë më të larta. Në disa raste, disa kompani janë mbyllur për shkak të kësaj situate”, – u shpreh ajo.
E njëjta problematikë është edhe në Serbi, ku drejtuesja e Klaster Facts, Sladjana Milojevic, u shpreh se pothuajse të gjitha bizneset që ajo përfaqëson kanë probleme me gjetjen e stafit të qëndrueshëm dhe të kualifikuar dhe se kriza ka rritur kostot e prodhimit në këtë sektor me rreth 15-20% për bizneset.
“Në Serbi ka më shumë se 400 biznese të këtij sektori të shpërndara në të gjithë vendin. Natyrisht që ka probleme, por po përpiqemi të gjejmë zgjidhje konkrete. Sfida më e madhe është forca punëtore, ne jemi në një kohë ku ka mungesë të theksuar të punonjësve.
Në këtë moment problem nuk është vetëm energjia, por edhe krizat e ndryshme, duke përfshirë Covid-19, konflikti në Ukrainë. Si pasojë, kostot janë rritur në 15-20% për bizneset”- u shpreh Milojevic.
Sipas z. Prençe, vendi ynë ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, por jo vetëm. Sipas tij, industria e veshjeve ka më shumë se 25 mijë vende të lira pune, të cilat nuk po plotësohen as me punëtorë të pakualifikuar, duke bërë që ata të mos i plotësojnë dot kapacitetet e tyre.
Një tjetër arsye e përkeqësimit të situatës, sipas tij, është edhe amortizimi i makinerive prodhuese, të cilat bizneset nuk mund t’i rinovojnë, pasi kanë mungesë të theksuar të likuiditetit. /Armela Toska
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.