Normat e ngadalta të vaksinimit dhe transmetimi më i shpejtë i virusit mund të kontribuojnë në vdekjen e mbi një çerek milionë europianësh nga koronavirusi, para Krishtlindjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shprehu shqetësimin në lidhje me nivelet e transmetimit të koronavirusit në Europë.
“Javën e kaluar, pati një rritje prej 11% të numrit të vdekjeve në rajon dhe sipas një parashikimi të besueshëm, në Europë do të ketë 236 mijë vdekje, deri më 1 dhjetor”, tha drejtori i agjencisë për Europën, Hans Kluge, në një konferencë shtypi në Kopenhagen.
Deri tani, Europa ka regjistruar rreth 1.3 milionë vdekje nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë.
Pse vdekjet nga COVID-19 pritet të rriten në Europë?
Shefi i OBSH-së në Europë shpjegoi se kishte tre faktorë shqetësues: nivele të larta transmetimi, ngadalësimi i vaksinimeve dhe lehtësimi i kufizimeve.
Kluge tha se 33 nga 53 vendet anëtare të OBSH-së në Europë kishin një shkallë infeksioni më të madhe se 10% në dy javët e fundit, të nxitur kryesisht nga varianti Delta.
Përhapja e shpejtë e virusit ishte “thellësisht shqetësuese, veçanërisht duke marrë parasysh nivelin më të ulët të vaksinimit në një numër vendesh”, tha Kluge.
“Në gjashtë javët e fundit, ai ka rënë me 14%, i ndikuar nga mungesa e qasjes në vaksina në disa vende dhe mungesa e pranimit të vaksinave në të tjerë”, shtoi ai.
Edhe pse rreth gjysma e europianëve tani janë plotësisht të vaksinuar, numri i njerëzve që po marrin vaksinat është ngadalësuar. Shkalla e vaksinimit është më e ulët në vendet më të varfra europiane, dhe disa kanë arritur të vaksinojnë vetëm 10% të punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Një “lehtësim i ekzagjeruar” i kufizimeve dhe një rritje e njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit për sezonin e verës, gjithashtu kanë shtuar përhapjen e virusit.
Qëndrimi i OBSH-së ndaj dozave përforcuese kundër COVID-19
OBSH Europe e kundërshtoi një pretendim të bërë nga organi global i OBSH-së në fillim të muajit se të dhënat nuk mbështesin marrjen e dozave përforcuese kundër COVID-19.
“Një dozë e tretë e vaksinës nuk është një luks që po i merret dikujt që nuk ka marrë ende dozën e parë. Ajo në thelb është një mënyrë për të mbajtur më të rrezikuarit të sigurt”, tha Kluge në konferencën për shtyp.
“Ne duhet të tregohemi pak të kujdesshëm me dozën përforcuese, sepse ende nuk ka prova të mjaftueshme”, shtoi ai.
“Por gjithnjë e më shumë studime tregojnë se një dozë e tretë i mban njerëzit e rrezikuar më të sigurt, dhe kjo po bëhet nga gjithnjë e më shumë vende në rajonin tonë”, tha ai.
Disa vende europiane tashmë kanë filluar të administrojnë injeksione përforcuese për më të rrezikuarit pas sugjerimeve se vaksina humbet një pjesë të efektivitetit pas disa muajsh./DW