Prej më shumë se 10 vjetësh, qeveritarë, bankierë qendrorë e privatë, investitorë apo konsumatorë, jetojnë në një botë me inflacion të ulët dhe norma interesi thuajse në zero, e në disa raste, edhe negative. Këto masa të politikës monetare kanë qenë të qëllimshme.
Ato kanë pasur si synim nxitjen e aktivitetit ekonomik, konsumit dhe investimit, në një dekadë ku ekonomia botërore është karakterizuar nga rritja e ngadaltë. Një brez i tërë profesionistësh dhe ekspertësh të rinj nuk kanë punuar në ambient ndryshe nga ky.
Por, mjafton të hedhësh vështrimin pas në histori për të kuptuar se sa e rrallë dhe e pazakontë ka qenë kjo periudhë. Gjatë shekullit të kaluar, edhe ekonomitë më të zhvilluara prekeshin rëndom nga periudha të inflacionit të lartë dhe problemet që ai shkaktonte.
Pavarësia e bankave qendrore u krijua pikërisht për të luftuar këtë fenomen. Gjasat janë që njerëzimi do të përballet sërish me këtë problem, dhe jo me inflacionin e ulët të zgjatur të dekadës së fundit. Shenjat e para janë që inflacioni mbase po rikthehet, që tani.
Federal Reserve (Banka Qendrore e SHBA) ka sinjalizuar ngadalësimin e politikave monetare lehtësuese brenda vitit. Banka Qendrore Europiane apo Banka e Anglisë nuk kanë përcaktuar ende data, por duket se edhe ato pritet të ndjekin këtë hap. Bankat e vendeve në zhvillim, si Shqipëria, ende nuk kanë komunikuar prerazi qëllimet e tyre, duke sinjalizuar për momentin qëndrimin se e konsiderojnë si të përkohshme rritjen e inflacionit.
Në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera, politikat fiskale dhe monetare të këtyre viteve, si dhe vendimet për investime e huamarrje, janë zhvilluar nën supozimin e inflacionit dhe normave të interesit të ulët. Ndryshimi i këtyre tendencave do kishte efekte të menjëhershme në këtë proces vendimmarrës dhe për rrjedhojë, edhe në ekonomi.
Niveli i lartë i euroizimit do të shkaktonte probleme të menjëhershme, nëse monedha jonë do zhvlerësohej, fenomen ky që shoqëron shpesh periudhat e inflacionit në vendet në zhvillim. Kjo do ta ekspozonte qoftë qeverinë, qoftë sektorin privat, si dhe individët ndaj një sërë risqesh të reja e të ndryshme nga ato me të cilat ata janë përballur.
Niveli i lartë i borxhit publik është bërë i mundur kryesisht falë uljes drastike këto vite të normave të interesit. Rritja e këtyre të fundit do të rriste interesin që paguhet mbi këtë borxh, duke përkeqësuar situatën fiskale.
Nga ana shoqërore, inflacioni gjithmonë prek më shumë dhe më shpejt shtresat në nevojë. Janë ata që shpenzojnë më shumë mbi produktet ushqimore, të cilat janë rritur këto ditë. Nëse për një pjesë të madhe të shoqërisë, inflacioni i rritur është një proces kalimtar, për shtresat në nevojë, ai rrezikon qoftë edhe mbijetesën e tyre.
Gjasat, që të gjithë këto risqe të materializohen, janë të ulëta. Rritjet aktuale të çmimeve mund të jenë thjesht kalimtare. Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare duhet të përgatitet për çmime dhe norma interesi që rikthehen te mesataret historike, së bashku me pasojat që kjo do të shkaktonte.
Në një ekonomi me varfëri të përhapur, pa përmendur problemet e tjera strukturore, këto bëjnë që rritja e inflacionit të përjetohet më ashpërsisht sesa në vende me ekonomi më të qëndrueshme. Por, mbi të gjitha, lind nevoja të paktën të fillojë të analizohen pasojat mbi borxhin publik dhe koston e shërbimit të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.