Flet CEO i “Agna Group”, z. Vasil Naçi
Grupi AGNA, distributori me shumicë më i madh në vend, u është përshtatur me shpejtësi ndryshimeve të sjelljes konsumatore.
CEO i “Agna group”, z. Vasil Naçi, pohon se kompania ka ecur në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin e volumit të shitjeve, por edhe në sjelljen e risive për konsumatorin, si në produkte, edhe në aktivitete angazhuese.
Ai shton se ka pasiguri mes tyre, çka sjell hezitim në blerjet e konsumatorëve, i ndikuar nga çmimet e larta gjë që është problematike për jetën e tyre dhe tregun në përgjithësi. Një sfidë tjetër mbetet largimi i fuqisë punëtore, si të kualifikuar, ashtu dhe të pakualifikuar.
Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin 2021? Sa shpejt i arritët nivelet e parapandemisë?
Kompania ka pasur ecuri të kënaqshme në vitin 2021. Nivelet e parapandemisë nuk janë arritur plotësisht në të gjitha departamentet, por është e rëndësishme që kompania ka ecur në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin e volumit të shitjeve, por edhe në sjelljen e risive për konsumatorin, si në produkte, edhe në aktivitete angazhuese.
Aktiviteti juaj është i përqendruar në tregti. Si e vlerësoni ecurinë e konsumit në vend? A konstatoni ndikime nga emigracioni i vazhdueshëm i popullsisë, sidomos të rinjve dhe ku konkretisht?
Te konsumi brenda industrisë FMCG ku ne operojmë vërehet se konsumatorët priren drejt blerjeve ekonomike. Janë më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre. Duket se ka një tërheqje, apo kujdes të shtuar.
Si në bisedat me stafin e shitjeve, që është më pranë klientëve dhe konsumatorëve, edhe në studimet kërkimore me konsumatorët, vërehet se ka pasiguri mes tyre, çka sjell hezitimin në blerje. Emigracioni sigurisht që tkurr ekonominë, si në fuqi punëtore, edhe në konsum.
Sa e vështirë është gjetja e fuqisë së kualifikuar punëtore dhe çfarë efektesh sjell ajo në ecurinë e pritshme të aktivitetit? Në cilët sektorë është më problematike mungesa e fuqisë punëtore?
Ky aspekt është një sfidë, sepse vërehet tendencë për largim jashtë Shqipërisë, kryesisht nga rinia, dhe kjo nuk është gjë e mirë. Gjithashtu largohen si punonjës në pozicione ku nuk nevojitet kualifikim i lartë, ashtu edhe nga pozicione ku ka nevojë për më tepër kualifikime.
Të gjithë sektorët preken nga ky fenomen, por më shumë sfiduese është ai i IT-së. Kjo nuk ndihmon aspak, pasi punonjësit tek ne trajnohen sipas programeve të “Agna Leadership Academy”, investohet tek ata në mënyrën e duhur, sipas pozicionit të punës, dhe shpesh ndodhemi para largimeve të papritura.
Viti 2022 po karakterizohet nga një nivel i lartë inflacioni. Sa e ndiejnë kompanitë tuaja presionin e çmimeve të larta në konsum dhe si ka ndryshuar sjellja konsumatore në këtë periudhë?
Ky është problem shumë serioz. Sfidat shumëdimensionale në nivel global, reflektohen në presion të vazhdueshëm të rritjes së çmimit në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit. Mes klientëve dhe konsumatorëve ka hezitim dhe pasiguri, çka është problematike për jetën e tyre dhe tregun në përgjithësi.
Si e ka ndryshuar pandemia dhe situata globale aktuale përqasjen ndaj menaxhimit të riskut dhe burimeve njerëzore?
Në “Agna” ne punojmë me bindjen se suksesi nuk është kurrë statik, apo i garantuar dhe se mundësitë shfaqen vazhdimisht, si në kohë të qeta, ashtu edhe në kriza, por vetëm duke qenë të përgatitur, mund t’ia dalim. Ne nuk e kemi parashikuar dot pandeminë, apo luftën, por prej vitit 2011, kemi ngritur një sistem për rritjen e vazhdueshme të stafit, “Agna Leadership Academy”.
Kjo na ka ndihmuar të rrisim vazhdimisht punonjësit tanë, si ata që janë prej vitesh me “Agna”, si ata që vijnë të rinj.
Kemi mësuar vazhdimisht nga partnerët tanë që në fakt, janë liderë botërorë. Gjithashtu, kemi diversifikuar portofolin tonë në mënyrë strategjike. Të gjitha këto na kanë ndihmuar si në aspektin e burimeve njerëzore, edhe në menaxhimin e riskut, i cili gjithsesi mbetet sfidë e vazhdueshme.
Cilat janë planet tuaja për zgjerim të mëtejshëm dhe si kanë ndryshuar ato pas zhvillimeve të fundit globale?
Prej disa vjetësh, ne tashmë operojmë edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi dhe do të vazhdojmë të operojmë duke konsoliduar projektet në ndërtim, prodhim dhe distribucionin që kemi në rajon.
Cilët sektorë i vlerësoni më potencialë për të investuar në të ardhmen e mesme dhe afatgjatë?
Ne si kompani jemi të fokusuar në projektet e energjisë së rinovueshme.
Emigracioni
Ky aspekt është një sfidë, sepse vërehet tendencë për largim jashtë Shqipërisë, kryesisht nga rinia, dhe kjo nuk është gjë e mirë. Gjithashtu largohen si punonjës në pozicione ku nuk nevojitet kualifikim i lartë, ashtu edhe nga pozicione ku ka nevojë për më tepër kualifikime. Të gjithë sektorët preken nga ky fenomen, por më shumë sfiduese është ai i IT-së.
200 VIP-at e vitit 2021. Rreziqet pas rimëkëmbjes së shpejtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.