Intervistë me Selman Lamaj, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank Kosovë
Indikatorët e performancës së sektorit bankar në Kosovë tregojnë se sektori është i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës.
Kjo performancë u mundëson bankave që të injektojnë kapitalin e nevojshëm për ekonominë e vendit, që ekonomitë familjare dhe bizneset të tejkalojnë këto kriza, duke qenë të sigurt që tregjet dhe inflacioni do të stabilizohet me kalimin e kohës, edhe pse kohëzgjatja e këtyre efekteve nuk mund të parashikohet.
Credins është banka më e re në tregun e Kosovës. Në një intervistë për “Monitor”, Selman Lamaj, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank Kosovë, thotë se banka e nisi aktivitetin në përputhje me objektivat e planit të biznesit, pavarësisht sfidave të lidhura me efektet e pandemisë në mjedisin ekonomik.
Sipas tij, inflacioni i lartë, pasiguria globale dhe rritja e shpejtë e interesave shtrojnë sfida të reja për sektorin bankar në Kosovë. Megjithatë, z. Lamaj mendon se shëndeti i mirë i sektorit bankar në Kosovë do të bëjë që mbështetja për ekonominë me financime të vazhdojë e qëndrueshme, për të mundësuar që ekonomitë familjare dhe bizneset të tejkalojnë edhe këtë sfidë.
Për sa i takon Credins, ai thotë se parashikimet e bëra në plan-buxhetin e vitit 2022, si pjesë përbërëse e planit të biznesit afatmesëm, janë mjaft premtuese dhe përparësi do t’i jepet politikës kredituese, që synon të sjellë rritjen e shëndetshme të biznesit të Bankës, si dhe vlerësimin e saktë të rreziqeve të investimeve.
Si e vlerësoni ecurinë e sektorit bankar në Kosovë në vitin 2021 dhe në pjesën e parë të këtij viti? Cilat do të nënvizonit si zhvillimet më të rëndësishme për bankën tuaj?
Banka Credins Kosovë e mbylli me sukses vitin financiar 2021. Jam krenar për këtë, sepse viti 2021 ishte i vështirë dhe me mjaft sfida. Megjithatë, ne qëndruam stabël dhe arritëm objektivat tona, ruajtëm pozicionin në të gjithë treguesit kryesorë të planifikuar në strategjinë tonë dhe tani jemi gati për një vit të suksesshëm 2022.
Viti 2021, sikurse për të gjithë sistemin bankar në Kosovë, edhe për Bankën Credins Kosovë, ishte një vit i sfidave të rëndësishme, si pasojë e efekteve financiare të shkaktuara nga pandemia.
Efekti i saj u shfaq logjikshëm edhe në ekonominë e Kosovës, duke sjellë ngadalësim të rritjes së saj dhe rënie të likuiditetit. Në këtë situatë, duke marrë parasysh të gjithë faktorët ndikues, rezultatet e Bankës Credins Kosovë mbetën të kënaqshme, duke treguar performancë të mirë krahasuar me ritmin e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Viti 2021, si viti i parë i aktivitetit, rezultoi i kënaqshëm për Bankën Credins Kosovë, gjatë të cilit jo vetëm u realizuan, por edhe u tejkaluan të gjitha objektivat e synuara në funksion të objektivit strategjik.
Ndërsa, nga njëra anë, u plotësuan dhe tejkaluan objektivat e aksionerëve, për një kthim të mirë në parashikimet e investimeve të tyre, nga ana tjetër, kjo u arrit duke plotësuar dhe duke kënaqur klientët tanë, si ata individë ashtu dhe kompanitë e biznesit.
Objektivi ynë është të jemi “one stop shop” për çdo individ, duke ofruar zgjedhje të shumëllojshme për çdo shërbim bankar. Duam të jemi zgjedhja numër një e çdo shqiptari, bazuar në ndërtimin e një marrëdhënie të konsoliduar dhe profesionale.
Viti 2021 ka qenë një vit zhvillimi në drejtim të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, të cilat u profilizuan sipas nevojave specifike financiare të klientëve. Shërbimi Credins Online u dha mundësi klientëve tanë, të kryejnë veprime nga llogaritë e tyre, nëpërmjet celularit apo kompjuterit.
Cili është ndikimi aktual dhe ai i pritshëm i inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit në aktivitetin e sektorit bankar në Kosovë?
Inflacioni është bërë shqetësimi i sotëm i ekonomive në të gjithë botën. Presionet inflacioniste që shoqëruan shumë ekonomi, u reflektuan edhe në ekonominë e vendit.
Rritja relativisht e lartë e çmimeve globale të inputeve të ndërmjetme dhe energjisë, që ka nisur në vitin e kaluar, është përshpejtuar me fillimin e luftës në Ukrainë. Indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar rritje prej 14% në TM2 2022.
Ndikimi mbi vendet në zhvillim si Kosova është shumë herë më i lartë se në vendet të cilat janë ekonomikisht të konsoliduara mirë. Rritja në vijim e inflacionit dhe e normës bazë të interesit do të ndikojë në rritjen e normës së interesit të kreditimit, të depozitave dhe letrave me vlerë të qeverisë në tregjet financiare. Rritja e fundit nënkupton rritje të borxhit të qeverisë dhe deficitit buxhetor vjetor.
Rritja e normës së interesit të kredisë do të rrisë rrezikun kreditor të huamarrësit dhe do të kërkonte shtrëngim të politikave dhe procedurave të kreditimit të bankave.
Kjo ka dëshmuar edhe një herë se, asnjë vend, sado i vogël apo me shkallë të ulët të integrimit në ekonominë ndërkombëtare, nuk është imun ndaj zhvillimeve të rëndësishme globale dhe se ato ndikojnë në formë zinxhir në ekonominë e secilit vend të botës, duke përfshirë me këtë rast edhe Kosovën dhe vendet e rajonit.
Në gjithë këtë situatë të pasigurisë ekonomike dhe politike globale, sektori bankar i Kosovës vazhdon të punojë fuqishëm për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm financiar dhe kreditim sa më të qëndrueshëm për qytetarët dhe bizneset e vendit.
Indikatorët e performancës së sektorit bankar në Kosovë tregojnë se sektori është i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës.
Kjo performancë u mundëson bankave që të injektojnë kapitalin e nevojshëm për ekonominë e vendit, që ekonomitë familjare dhe bizneset të tejkalojnë këto kriza, duke qenë të sigurt që tregjet dhe inflacioni do të stabilizohet me kalimin e kohës, edhe pse kohëzgjatja e këtyre efekteve nuk mund të parashikohet.
Cilat do të jenë sfidat kryesore për bankën tuaj dhe më gjerësisht për sektorin bankar në Kosovë për pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe në vazhdim?
Republika e Kosovës, përpara pandemisë, vazhdonte të performonte me rritje ekonomike që nga viti 2000. Kosova është një nga vendet e pakta në Europë, që kishte rritje pozitive ekonomike, e cila tregon një potencial shumë të madh zhvillimi në sistemin bankar. Sektori bankar në Kosovë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, duke dëshmuar qëndrueshmëri ndër vite dhe duke financuar pa ndërprerje bizneset dhe ekonomitë familjare.
Gjatë periudhës së pandemisë që u përfshimë, si në çdo vend të botës, sfidë mbetet rimëkëmbja ekonomike, kthimi në normalitet i shumë sektorëve të ekonomisë së ndikuar negativisht nga pandemia, kthimi i besimit tek individët për të rritur konsumin dhe investimet. Banka Credins Kosovë ka si pjesë të strategjisë së saj mbështetjen e ekonomisë, duke ofruar produkte financimi si për individët, edhe për bizneset, duke qenë mbështetës në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Sfidat e veprimtarisë në tregun financiar të Kosovës, tani kanë pësuar ndryshim, normaliteti i ri pas pandemisë mund të kërkojë masa shtesë dhe riformatim të strategjisë së biznesit që kishim planifikuar, të cilat do të vlerësohen më tej.
Gjithsesi, sot që flasim jemi më të mirorganizuar në kuadër të përvojës bankare nga Banka Credins Shqipëri, për të përballuar efektet e shkaktuara nga pandemia, si dhe duke mbajtur në vëmendje të lartë planet tona strategjike të zhvillimit të Bankës Credins Kosovë.
Pas sfidave të vitit 2021, Banka Credins Kosovë vazhdon të rritet dhe t’i ofrojë më shumë ekonomisë së vendit. Konkurrenca do të mbetet e lartë në vitin 2022, por ne e dimë se çelësi i suksesit tonë është afrimi me klientët dhe bashkëpunimi me ta për t’ia dalë mbanë në këtë mjedis sfidues, ndërkohë që do të vazhdojmë investimet në produkte, shërbime dhe teknologji të reja.
Cilësia e shërbimit ndaj klientit në të gjithë segmentet tona do të vazhdojë të jetë përparësi. Trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve, përmirësimi i eficiencës, proceset e thjeshtësuara dhe aksesi gjithmonë e më i përshtatshëm nëpërmjet kanaleve të shpërndarjes do të ndihmojnë për të arritur këtë qëllim.
Në vitin 2022, ne synojmë të zhvillohemi, duke e vënë theksin në veçanti te rritja e cilësisë së portofolave të ndryshëm të kredive. Një rëndësi e veçantë do t’i jepet rritjes së segmenteve tona të biznesit, duke filluar nga klientët Individë, Mikro, Bizneset e Mesme dhe deri tek ata Korporatë.
Në segmentet e biznesit të Mesëm do të vazhdojmë të fokusohemi jo vetëm te kreditë, por edhe tek ofrimi i një game të gjerë shërbimesh bankare, si për bizneset, ashtu edhe për punonjësit e tyre. Zgjerimi i shërbimeve dixhitale nëpërmjet Credins Online do të vazhdojë të mbetet përparësi në vitin 2022 dhe ne gjithashtu do të hedhim në treg produkte dhe shërbime të tjera risi.
Banka do të vazhdojë t’u ofrojë klientëve produkte depozitash nëpërmjet kushteve të reja dhe interesave mjaft tërheqëse.
Bankingu dixhital për individët dhe bizneset do të plotësohet më shumë, duke mundësuar për klientët, fleksibilitet maksimal dhe mënyra të ndryshme për t’i kryer transaksionet bankare nëpërmjet telefonit celular, kudo dhe në çdo kohë. Rrjeti i degëve vazhdon të rritet, duke aplikuar standarde cilësore për t’u ofruar klientëve tanë shërbim më të mirë.
Parashikimet e bëra në plan-buxhetin e vitit 2022, si pjesë përbërëse e planit të biznesit afatmesëm, janë premtuese. Përparësi do t’i jepet politikës kredituese, e cila do të sjellë rritjen e shëndetshme të biznesit të Bankës, si dhe vlerësimin e saktë të rreziqeve të investimeve. Modeli ynë i bankingut është i diversifikuar, i cili ofron shërbime dhe produkte për të gjitha segmentet e klientëve.
Në përmbushje të këtyre parashikimeve, një nga objektivat e bankës do të jetë zgjerimi i pranisë së saj në qytete të reja dhe rritja e mëtejshme e numrit të degëve në qytetin e Prishtinës. Arritje e këtij viti, gjithashtu, mendojmë të jetë edhe shtimi i gamës së produkteve dhe shërbimeve bankare dixhitale ,për të plotësuar nevojat e klientëve tanë drejtpërdrejt nga celulari apo kompjuteri i tyre.
Mbështetur në arritjet tona të deritanishme, duke njohur forcën dhe energjinë e stafit tonë, dhe duke pasur si gjithmonë mbështetjen e aksionerëve tanë, ne kemi besim se do të përmbushim më së miri objektivat dhe parashikimet për vitin 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.