Presionet e çmimeve janë tashmë në nivelin më të ulët të një viti.
Inflacioni i Eurozonës ka rënë ndjeshëm, në nivelin më të ulët të një viti, pas rënies së kostove të energjisë.
Çmimet e harmonizuara të konsumit në Eurozonë, patën një rritje vjetore 6.9% në muajin mars, nga 8.5% një muaj më parë, duke arritur nivelin më të ulët që nga shkurti 2022.
Rënia, e shkaktuar nga rënia 0.9% e çmimeve të energjisë, ishte më e madhe se parashikimet e ekonomistëve, të cilët prisnin se inflacioni i marsit në Eurozonë do të ulej në 7.1%.
Kjo shifër do të forcojë kërkesat për Bankën Qendrore Europiane (European Central Bank, ECB), për të ndaluar rritjen e normave të interesit, tashmë në nivelin më të lartë që nga kriza financiare e vitit 2008.
Trazirat e muajit të kaluar në sektorin bankar, kanë rritur gjithashtu perspektivën e një krizë kredie, që mund të frenojë inflacionin dhe rritjen ekonomike në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, zyrtarët e ECB-së kanë sinjalizuar, se ka të ngjarë të vazhdojnë të rrisin normat në takimin e tyre të ardhshëm të politikave në maj, nëse nuk përkeqësohen trazirat bankare.
Rënia e inflacionit total, erdhi pavarësisht një përshpejtimi të mëtejshëm të ritmit të rritjes së çmimeve për ushqimet dhe shërbimet.
Inflacioni bazë, i cili përjashton kostot e energjisë dhe ushqimit, për të dhënë një pamje më të mirë të presioneve kryesore të çmimeve, arriti një nivel të ri të lartë të Eurozonës, prej 5.7% në mars, nga 5.6% muajin e kaluar. / The Financial Times