Inflacioni në Eurozonë vazhdon me kryeneçësi të jetë i lartë këtë muaj, duke rënë lehtë në 2.6%, duke ndërlikuar detyrën e Bankës Qendrore Europiane, ndërkohë që ekonomia e Eurozonës lufton për t’iu rikthyer rritjes.
Rënia modeste në normën vjetore të inflacionit, nga 2.7% në shkurt, ishte më pak se sa pritej nga analistët dhe ndoqi rritjet në çmimet e energjisë.
Kjo do të rrisë rezistencën brenda këshillit qeverisës të BQE-së, për të bërë “relaksim” të mëtejshëm të politikës monetare, edhe pse brishtësia e Eurozonës do të thotë se çdo rritje në normat e interesit do të jetë e vështirë në muajt në vazhdim.
Megjithatë, BQE synon të mbajë inflacionin “nën por pranë” 2% në terma afatmesëm, norma vjetore ka qenë mbi 2% që nga nëntori i 2010-s. Në fillim të këtij muaji, presidenti i BQE-së, Mario Draghi, paralajmëroi se inflacioni do të mbetej mbi 2% në 2012-n.
Shqetësimet e BQE-së do të mbeten nën kontroll për sa kohë nuk ka të dhëna për nivele më të larta të normës së inflacionit, të nxitura nga çmimet e naftës, që mund të çojnë në paga më të larta apo rritje çmimesh të tjera. Z.
Draghi është gjithashtu i bindur se injektimi i më shumë se 1 trilion eurosh kredi në tre vjet në sistemin bankar të Eurozonës nuk po shkakton presione shtesë iflacioniste në të gjithë rajonin.
Megjithatë, Jens Weidmann, president i “Bundesbank”, ka shprehur shqetësimet për presionet e çmimeve në rritje në Gjermani, e cila ka ecur shumë më mirë se ekonomitë e tjera europiane gjatë krizës së borxhit në Eurozonë.
“Bundesbank” thotë se janë vrojtuar me kujdes çmimet e shtëpive në Gjermani, që u rritën 5.5% vitin e kaluar – por çdo veprim për të kontrolluar një bum të pronës do të merret nga rregullatorët kombëtarë.
Në pjesën tjetër të Eurozonës, perspektivat e rritjes së dobët dhe rritja e papunësisë janë duke ushtruar presion për ulje pagash dhe çmimesh. Indeksi i blerjes së menaxherëve në Eurozonë në fillim të javës së kaluar tregoi se 17 vendet e rajonit ishin në recesion, (që rezulton kur ka rënie të aktiviteti ekonomik në dy tremujorë radhazi).
Inflacioni bazë i Eurozonës, ka të ngjarë të lehtësohet në mars, thonë analistët. Me një ekonomi të Eurozonës që pritet të tkurret këtë vit dhe rënien e mëtejshme të shfrytëzimit të kapaciteteve,
“do të jetë e vështirë për kompanitë për të rritur çmimet dhe pagat në një klimë të tillë”, tha Christoph Weil, ekonomist në “Commerzbank” në Frankfurt.