Në muajin maj, inflacioni në Gjermani arriti nivelin më të lartë në gati gjysmë shekulli, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve, duke shtuar mundësitë për një rritje më të madhe prej gjysmë pikë përqindjeje të normës së interesit nga Banka Qendrore Europiane në muajin korrik.
Çmimet janë rritur ndjeshëm në të gjithë Europën gjatë vitit të kaluar, fillimisht për shkak të problemeve në zinxhirët e furnizimeve pas pandemisë, më pas për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke treguar kështu se epoka e re e rritjes së shpejtë të çmimeve ka zëvendësuar dekadën me norma tepër të ulëta të inflacionit.
Çmimet e konsumit në Gjermani, të harmonizuara për t’i bërë ato të krahasueshme me të dhënat e inflacionit në të gjithë Bashkimin Europian, u rritën në 8.7% nga 7.8% një muaj më parë, shumë më tepër sesa pritshmëritë për një shifër prej 8%, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Zyra Federale e Statistikave.
Për herë të fundit, inflacioni arriti këto shifra të larta në dimrin e viteve 1973-1974, kur kriza e parë e naftës solli një cikël të ri dhe të vështirë të inflacionit.
Edhe pse BQE-ja iu përgjigj relativisht vonë çmimeve në rritje krahasuar me bankat e tjera homologe në botë, ajo e bëri të qartë javën e kaluar se normat e interesit duhet të rriten për të ndaluar këto shifra të larta të inflacionit.
Tani, pyetja është se në ҫfarë përmasash do të jenë lëvizjet të saj të ardhshme.
Megjithëse shefja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe kryeekonomisti Philip Lane propozuan një rritje graduale të normës minus 0.5% të depozitave, me 25 pikë bazë në muajt korrik dhe shtator, ekonomistët thonë se një rritje më e madhe prej 50 pikë bazë është opsioni më i mundshëm.
“BQE e ka kaluar fazën e diskutimeve nëse dhe kur duhet të rriten normat e interesit,” tha ekonomisti i ING, Carsten Brzeski. “Diskutimi i vetëm lidhet me faktin nëse BQE duhet të fillojë me një rritje të normës prej 25 pikë bazë apo 50 pikë bazë në korrik.”
“Nëse inflacioni bazë në eurozonë vazhdon të rritet në maj dhe në qershor, Lane dhe Lagarde mund të rimendojnë deklaratat e tyre të mëparshme”, shtoi Brzeski.
Megjithëse shumica e politikëbërësve duket se mbështesin një rritje prej 25 pikë bazë në korrik, guvernatorët e bankave qendrore të Austrisë, të Letonisë dhe të Holandës kanë thënë se rritja me 50 pikë bazë është një mundësi që duhet të mbetet e hapur për momentin.
Politikëbërësit janë të shqetësuar për faktin se çmimet e larta të energjisë dhe të produkteve të tjera po kalohen nga firmat te klientët, duke bërë që inflacioni të depërtojë në të gjithë ekonominë.
Ky trend rrezikon ta kthejë atë që dikur shihej si një rritje e vetme dhe e përkohshme e inflacionit, në një fenomen më të qëndrueshëm.
“Presionet e çmimeve gjithashtu nuk kanë gjasa të reduktohen në të ardhmen e afërt,” tha ekonomisti i Commerzbank, Marco Wagner. “Kompanitë po i kalojnë gjithnjë e më shumë te klientët kostot e tyre të shtuara nga energjina dhe lëndët e para.”/ Reuters