Çmimet po vazhdojnë të rriten me ritmin më të shpejtë në 40 vjet, për shkak të shtimit të kostove të ushqimeve, veçanërisht të bukës, drithërave dhe mishit.
Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, norma me të cilën rriten çmimet, arriti 9.1% në 12 muajt deri në maj, nga 9% që ishte deri në prill, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare.
Çmimet e karburantit dhe të energjisë janë faktorët kryesorë që ndikuan në rritjen e inflacionit, por Zyra për Statistikat Kombëtare tha se kostot e ushqimit e kishin bërë atë që të rritej edhe më shumë.
Punonjësit dhe sindikatat po bëjnë presion për rritje pagash, në mënyrë që të mund të përballojnë çmimet e larta.
Por, qeveria ka paralajmëruar punëdhënësit që të mos ofrojnë rritje të mëdha pagash, për shkak të frikës së rritjes edhe më të madhe të inflacionit, si ai i viteve 1970, kur firmat rrisnin pagat dhe më pas ua kalonin koston klientëve nëpërmjet çmimeve më të larta.
Aktualisht, inflacioni është në nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 1982, kur ai arriti shifrën 9.1%. Banka e Anglisë ka paralajmëruar se inflacioni mund të arrijë shifrën 11% këtë vit.
Inflacioni është ritmi me të cilin rriten çmimet. Për shembull, nëse një shishe qumësht kushton 1 euro dhe ҫmimi i saj rritet me 5 cent në krahasim me një vit më parë, atëherë inflacioni i qumështit është 5%.
Në një anketë nga BBC ku morën pjesë më shumë se 4,000 njerëz, 82% thanë se mendonin që pagat e tyre duhet të rriteshin për të qenë të krahasueshme me rritjen e çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve.
Konsumatorët familjarë janë goditur nga një rritje e paprecedentë prej 700 £ në vit për kostot e energjisë në muajin prill, ndërsa rritja e çmimit të karburantit në qershor nënkupton se tani kushton më shumë se 100 £ për të mbushur një makinë mesatare familjare me benzinë.
Punëtorët e hekurudhave bënë një grevë të martën, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në aktivitetin e hekurudhave. Ata planifikojnë greva të tjera të enjten dhe të shtunën, për shkak të mosmarrëveshje në lidhje me pagat, punën dhe kushtet.
Sindikata e Hekurudhave, Detit dhe Transportit kërkon një rritje të pagave me 7%, ndërsa punëdhënësit kanë ofruar një maksimum prej 3%.
Unison, i cili përfaqëson punonjësit e sektorit publik, akuzoi ministrat se “po jetojnë në një planet tjetër” pas “bisedimeve për kufizimin e pagave të sektorit publik”.
“Shëndetësia, kujdesi, shkollat dhe shërbimet bashkiake kanë nevojë dëshpërimisht që stafit t’i jepet një rritje e pagave, e cila përputhet me çmimet e ngritura,” tha ndihmës sekretari i përgjithshëm, Jon Richards.
Sindikata më e madhe e mësuesve po paralajmëron gjithashtu për veprime të mundshme industriale në lidhje me pagat.
Sindikata Kombëtare e Arsimit ka kritikuar propozimet e qeverisë për një rritje të pagave prej 3% për shumicën e mësuesve në Angli dhe bëri thirrje për një “rritje më të madhe se inflacioni për të gjithë mësuesit”.
Por, Dominic Raab, tha për BBC: “Duhet të ndalojmë së përkeqësuari problemin duke nxitur kërkesat për paga më të larta, gjë e cila do ta bënte inflacionin të qëndronte në këto nivele për një kohë akoma më të gjatë dhe do të dëmtonte akoma më rëndë të varfërit.”
Zyra për Statistikat Kombëtare tha se rritja e çmimeve për ushqimet dhe pijet joalkoolike kishte ndikuar në rritjen e inflacionit gjatë muajit maj.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka kufizuar ndjeshëm furnizimet e grurit dhe të misrit, të cilat përdoren për të bërë bukë dhe drithëra, nga dy prej eksportuesve më të mëdhenj në botë.
Ukraina është gjithashtu një prodhues i madh i vajit të lulediellit, që do të thotë se edhe kostot e produkteve alternativave janë rritur gjithashtu.
Firma e studimit të tregut, Kantar, ka parashikuar që fatura mesatare vjetore e ushqimeve në Mbretërinë e Bashkuar do të rritet me 380 £ këtë vit.
Grant Fitzner, kryeekonomist në Zyrën për Statistikat Kombëtare, tha se “rritja e përhapur e çmimeve të ushqimit” nënkuptonte se kostoja e mallrave që dalin nga fabrikat ishte rritur me ritmin më të shpejtë në 45 vite gjatë muajit maj, pasi kostoja e lëndëve të para shënoi nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Por, ai tha se rritjet e mëdha të ushqimeve dhe çmimet rekord të benzinës në maj ishin lehtësuar disi nga çmimet e veshjeve, të cilat u rritën më pak krahasuar me vitin e kaluar, së bashku me një rënie në kostot e lojërave kompjuterike.
Zyra për Statistikat Kombëtare zbuloi gjithashtu se çmimet mesatare të shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 12.4% në prill krahasuar me 12 muajt më parë, me çmimin mesatar që ka arritur në 281,000 £, 31,000 £ më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Richard Lim, shefi ekzekutiv i kompanisë së konsulencës Retail Economics, tha se pasi familjet paguajnë për gjërat thelbësore, “sasia e parave rezervë që mbetet për shpenzimet kur dalin me miqtë, kur shoqërohen me të tjerët apo për shërbime të tjera, po zvogëlohet me një ritëm befasues”./ BBC