Inflacioni vjetor bazë pësoi rënie për të tetin muaj radhazi në tetor.
Sipas llogaritjeve të bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë ra në 3.67%, nga 3.77% që kishte qenë në muajin tetor.
Inflacioni bazë ndodhet në nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022 dhe në nivele pak më të ulëta se inflacioni total, që për muajin tetor zbriti në 3.8%. Megjithatë, rritja mujore e indeksit të inflacionit bazë vazhdon të jetë e ndjeshme. Për tetorin, inflacioni mujor bazë u rrit me 0.2%, nga 0.34% që kishte qenë rritja e muajit të mëparshëm.
Duke qenë se te inflacioni bazë faktorët sezonalë mund të vlerësohen më pak të rëndësishëm krahasuar me inflacionin total, vazhdimësia e rritjes e mujore të këtij komponenti të inflacionit mund të jetë tregues se presionet inflacioniste në ekonomi ngelen të konsiderueshme.
Inflacioni bazë është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë mbi 69.2% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Ky tregues mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.
Një komponent edhe më i ngushtë i inflacionit, inflacioni bazë neto, për tremujorin e tretë të vitit rezultoi në nivelin 3.5%, nga 3.9% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Inflacioni bazë neto përjashton nëngrupet e ushqimeve të përpunuara, përfshirë bukën dhe drithërat dhe matet në mbi rreth 44.6% të indeksit të përgjithshëm të çmimeve të konsumit.
Sipas raportit të fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, ecuria e këtij treguesi dëshmon praninë e presioneve të larta dhe relativisht të qëndrueshme nga ekonomia e brendshme. Banka e Shqipërisë vëren se ngadalësimi në tremujorin e tretë ishte më i zbutur dhe vlera përkatëse vijoi të shfaqë qëndrueshmëri mbi mesataren e tre viteve të fundit, periudhë kjo me goditje të forta për inflacionin.
Në fillim të këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës I bankës së Shqipërisë rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, në nivelin 3.25%. Raporti i politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit konstaton se pasiguritë për të ardhmen janë shtuar dhe rreziqet ndaj inflacionit janë rritur.
Banka e Shqipërisë vlerëson se, ashtu si edhe në ekonomitë partnere, kthimi i inflacionit në objektiv pritet të jetë një proces gradual, në kushtet kur presionet e brendshme mbi çmimet, veçanërisht nga tregu i punës, shfaqen të qëndrueshme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike ka gjeneruar një kërkesë të lartë për punësim, kërkesë e cila po has vështirësi të plotësohet nga tregu i punës. Kushtet në këtë treg vijojnë të jenë të shtrënguara, të shfaqura në nivelet e ulëta historike të shkallës së papunësisë, në nivele të larta historike të mungesës së fuqisë punëtore dhe në rritjen e shpejtë të pagave.
Këto të fundit përshpejtuan normën rritëse në 16.9% në nivel ekonomie dhe 15% në sektorin privat, në tremujorin e dytë. Në analizën e Bankës Qendrore, rritja e pagave siguron mbështetje për të ardhurat e familjeve, por ajo rrit kostot e prodhimit dhe mban të larta presionet e brendshme inflacioniste.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.