Rritja e kostos së jetesës me 3.1% në vitin 2021 u nxit kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë, nga pengesat në zinxhirët e furnizimit dhe nga përfundimi periudhës së reduktimit të përkohshëm të TVSH-së.
Çmimet e konsumit në Gjermani u rritën me 3.1% në vitin 2021, sipas të dhënave paraprake të publikuara të enjten nga Zyra Federale e Statistikave.
Kjo është norma më e lartë e inflacionit që nga viti 1993.
Rritja e kostove të energjisë dhe pengesat në zinxhirët e furnizimit patën një ndikim të madh në rritjen e kostos së jetesës.
Në vitin 2020, inflacioni mesatar në Gjermani ishte ende relativisht i ulët, në shifrën 0.5%. Në dhjetor të vitit 2021, rritja e çmimeve nga viti paraardhës ishte 5.3%.
Kjo ishte hera e dytë që nga ribashkimi i Gjermanisë që inflacioni e kaloi nivelin 5%, pasi arriti në 5.2% në muajin nëntor.
Inflacioni do të mbetet i lartë edhe në vitin 2022
Ekonomistët thonë se mund të duhet pak kohë deri në momentin kur normat e inflacionit në Gjermani të bien sërish.
Rritja e çmimeve të energjisë pritet të mbetet faktori kryesor që do të rrisë çmimet.
“Rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të gazit natyror nuk ka gjasa të arrijë tek konsumatorët deri në fillimin e vitit 2022, për shkak të kontratave afatgjata që janë lidhur me furnizuesit e gazit në shumicën e rasteve”, tha Instituti për Kërkime Ekonomike Leibniz për agjencinë e lajmeve dpa.
“Ekziston ende mundësia që inflacioni i eurozonës të vazhdojë të rritet për një periudhë më të gjatë nga sa pritej, kështu që tregjet duhet të përgatiten për skenarin që Banka Qendrore Europiane mund të kapitullojë dhe të ndryshojë më shpejt normat e interesit,” tha për agjencinë e lajmeve Reuters strategu i normave të interesit në Mizuho, Peter McCallum.
Banka Qendrore Europiane përpiqet të ruajë një normë vjetore të inflacionit prej 2%./ DW