Flet Valer Pinderi, drejtues i NetTrade, Aladini.al
Duhet të gjejmë instrumente për të ulur informalitetin. Kështu shprehet Valer Pinderi, drejtues i platformës Aladini.al, një thirrje të cilën prej vitesh e drejton në instancat drejtuese dhe rregullatore.
Sipas tij, krijimi i Shoqatës së Parë të Ecommerce është një ogur i mirë për të pasur një strukturë të qartë e të formalizuar të sektorit.
Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?
Pjesa e shitjeve online është e ndërlikuar, pasi çdo proces dhe çdo njohuri e individëve duhet të jetë ndryshe nga sa është në një retail tradicional.
Përmbajtja që hidhet në platformë është diçka e paeksploruar në Shqipëri. Në një faqe online, njerëzit nuk kanë dikë përballë që t’i flasin e ta bindin. Duhet të binden nga ajo që shohin.
Përvoja e përdoruesit është e paeksplouar gjithashtu. Kompanitë që bëjnë faqe interneti apo shitjesh online nuk e kanë idenë çfarë bëjnë, sepse s’kanë pasur kontakt me klientët. Në fillim të pandemisë, për shkak të bumit të e-commerce hynë shumë aktorë (individë dhe biznese) të rinj në lojë.
Nga ana tjetër u ul edhe cilësia e shërbimit dhe konsumatori, ndërkohë që duhet të niste të mendonte që online është zgjidhja, siç ndodh në SHBA dhe gjithë botën, filloi ta mendojë online si një formë joproduktive, madje në disa raste, edhe si mashtrim. I duket sikur e mashtron shitësi, ndërkohë që aty ka shumë procese në mes dhe kur ka shumë porosi, asnjë shitës nuk e përballon dot nëse s’ka strukturë.
Ky kompleksitet bën të duket sikur në Shqipëri nuk funksionon shitja online. Është vetëm një arsye që nuk funksionon – bizneset nuk e bëjnë siç duhet, për aq kohë sa duhet. Nuk ka lidhje konsumatori. Ai ka qenë gati, është gati dhe do të jetë gati.
Problemi nuk është problemi te pagesa me karta, pasi te ne është pagesa në momentin e marrjes dhe për paranë cash, këtu nuk ka kosto, që është diçka e jashtëzakonshme, pasi në Itali dhe Europë duhet të paguash 5 euro tarifë që të marrësh paratë cash dikujt. Është shërbim siç është pagesa me kartë krediti.
Në Shqipëri ka një ngërç në rastin e shitjeve online. Ne nuk heqim dorë, sepse e kuptojmë që e ardhmja do të jetë e tillë. Harrojnë se çfarë vlere e fuqie ka e-commerce, por kostoja e hedhjes së produktit është e lartë, sepse njerëzit nuk vijnë rastësisht si në një dyqan fizik.
Cilat janë produktet /kategoritë më të kërkuara, sipas burimeve që keni?
Nuk kemi pasur ndonjë kategori që ka qenë e vështirë apo e pamundur për t’u shitur. Aktualisht veshjet janë gjërat që shiten më tepër online, më shumë se 80% e tregut, sepse ka individë që bëjnë foto me të vërtetë të bukura.
Duke qenë se Instagram dhe Facebook ua lejon këtë, ajo është kategoria që shitet më shumë. Është elektronika që njerëzit e dinë se çfarë është dhe e dinë si funksionon. Libri është një tjetër kategori, por këtë e kemi zhvilluar shumë me Bukinistin.
Cilat janë problematikat më të mëdha të sektorit dhe çfarë mund të bëhet për t’i përmirësuar?
Informaliteti, padyshim. Tregu është copëzuar shumë nga informaliteti, janë të kamufluar dhe marrin mall edhe në vende të tjera pa TVSH.
Pjesa formale është e detyruar ta marrë me TVSH nga kompani të strukturuara. Ne kemi distributorë të mëdhenj dhe sigurisht që ata na mbrojnë deri diku, sepse jemi partner i rëndësishëm. Klienti fundor nuk e dallon dot që blerja nga platforma formale është garanci për produktin që marrin, kurse blerja në faqe informale nuk shoqërohet me garanci.
Për ta përmirësuar, duhet të bëhen disa rregullime, sepse jo çdo gjë funksionon me hartimin e një ligji të veçantë. Duhet të gjejmë instrumente për të ulur informalitetin.
Sipërmarrësit, me këto ndryshime ligjore, po bëhen të zgjuar si të bëjnë evazion dhe jo të zgjuar si të rrisin biznesin. Nëse energjinë e përdorin për informalitet, nuk e shpenzojnë më për biznes. Tani duhet të kemi të qartë që fatura është për t’u paguar dhe pikë.
Ky është ligji. Duhet të mendojmë si të rrisim biznesin. Shumica e bizneseve nuk e kanë konceptin e biznesit, por si do të operojnë informalë, si do të bëhen të vegjël, si t’u ikin tatimeve, të shkojnë në katin e 5, të shkojnë katin e 10 që te mos i gjejnë Tatimet. Ata janë të zgjuar por në një drejtim të gabuar dhe kjo e dëmton gjithë ekonominë.
Si lindi ideja e formumit të Shoqatës së Ecommerce dhe si do vijojë puna me të?
Rreth 110 subjekte që operojnë në këtë fushë, së bashku me partnerë si institucionet dhe organizatat financiare, kompanitë logjistike, të teknologjisë dhe inovacionit menduam të takoheshim për të biseduar rreth dinamikave të tregut dhe mundësisë për të pasur një zë të unifikuar për industrinë.
Ky treg shfaq mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë kompanitë që duan të punojnë në këtë treg, por e vetmja zgjidhje është formalizimi i tij, bashkëpunimi me operatorët e tregut si institucionet financiare, subjektet që operojnë në sektorët logjistikë, teknologji, dhe dialogu me institucionet politikë-bërëse në Shqipëri.
Çdo ditë shpërndahen 17 000 – 20 000 pako nga kompanitë postare drejt klientëve, ku më pak se 30% iu përkasin kompanive që operojnë ligjërisht në treg. Sfida më e madhe mbetet formalizimi i tregut, hapja ndaj tregjeve globale dhe zhvillimi i këtij sektori sipas standardeve profesionale.
Kemi ngritur propozimin që kompanitë anëtare të shoqatës të pajisen me një certifikatë sigurie për të rritur besueshmërinë në treg si dhe një tjetër plan është ngritja e një fondi garancie për klientët.
Kemi ngritur një Bord Këshillimor me pjesëmarrjen e organizave dhe institucioneve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, të ekspertëve të fushave që lidhen me tregtinë elektronike dhe partnerë të tjerë që lidhen me këtë sektor.
Duke pasur një shoqatë, edhe takimet me Ministrinë e Financës do të jenë më të strukturuara, ku do të çojnë propozimet tona për përmirësimin e kuadrit ligjor – rregullativ si dhe ndërmarrjen e hapave të përbashkët në luftën kundër evazionit fiskal dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.