Në fund të vitit 2015 (tetor-dhjetor), Ministria e Financave nisi një aksion të rreptë antiinformalitet, që krijoi një gjendje terrori tek bizneset, ku “viktimë” rabë subjektet e vogla. Ky aksion u shoqërua me shtim të ndjeshëm të masave ndëshkuese, nga shumëfishimi i gjobave e deri te kërcënimet për burg për shkelësit. Në atë kohë u miratuan dhjetëfishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë; Gjobë 500 mijë lekë dhe kallzim penal për mosdeklarim të pagës reale; gjobë 500 mijë lekë për mos deklarim adrese; Konfiskim deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime; Gjobë 10 milion lekë për tregtuesit e shumicës që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore; Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10 fishohet nga 50 mijë lekë në 500 mijë lekë.
Ministri i atëhershëm i financave, Shkëlqim Cani tha se ata do të rikuperonin 300 milionë euro që në muajt e parë të aksionit.
Për fat të keq, një vit më pas, rezultatet peshuan nga efektet negative. Qeveria u detyrua të tërhiqej shpejt nga masat e shtuara ndëshkuese, të cilat u rrëzuan nga Gjykata si antikushtetuese dhe jo proporcionale me dëmin.
Të ardhurat për arkën e shtetit, jo vetëm që nuk i sollën 300 milionë eurot, por përkundrazi performanca fiskale e vendit u përkeqësua edhe më shumë gjatë vitit të kaluar, kur ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore ranë në 3.7% nga më shumë 14% që ishin më 2014, viti i parë i qeverisjes së socialistëve pas rotacionit të 2013-s. Të ardhurat në 2015-n ishin 26.4% e prodhimit të brendshëm bruto, pothuajse të pandryshuara në raport me një vit më parë. Klima e biznesit u përkeqësua, me indekset e shoqatave që prekën nivelet minimale historike. Bizneset nuk ishin kundër liftës ndaj informalitetit përkundrazi e mbështetën atë, por u kundërshtuan format agresive me të cilat u veprua dhe sidomos fokusi te biznesi i vogël dhe masat e rrepta ndëshkimore deri në kërcënime me burg.
Për shkak se aksioni u konceptua si shantazh deri në burgosje, kryesisht ndaj bizneseve ambulante dhe atyre të vogla për moslëshimin e kuponit tatimor, në një periudhë kur ekonomia po vuante nga pasojat e krizës dhe konsumit të dobët, mijëra biznese panë falimentin. Pas formalizmit të 37 mijë bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, 90 mijë biznese të tjera kaluan në status pasiv, ndërsa borxhi tatimor vetëm në vitin 2015 u rrit me 100 milionë euro, ritmi i lartë vjetor që kur institucioni taksambledhës (tatimet) nisën të arkivojnë borxhet që u ka biznesi.
Në fillim të vitit 2016, me ardhjen në krye të ministrit të ri Arben Ahmetaj, qasja ndryshoi. Institucionet u bënë më bashkëpunuese dhe të njëjtën frymë kishin dhe drejtuesit e rinj të tatimeve, duke krijuar një frymë të re dhe në marrëdhëniet me bizneset. Fryma e “terrorit” u zbeh, ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore ishin me kah lehtësues dhe përqasja e re ishte e ornientuar nga informimi sesa nga ndëshkimi. https://www.monitor.al/lufta-dhe-paqja-antiinformalitet-3/
Të ardhurat në 2016-n u rritën në 27.6% të PBB-së, në 2017-n në 27.7% dhe në 2018-n ranë lehtë në 27.3%. Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë theksonte se evazioni është tepër i lartë, sidomos në drejtim të TVSH-së dhe sigurimeve shoqërore dhe vendi kishte hapësirat të rriste të ardhurat në këtë drejtim dhe nuk ishte e nevojshme rritja e taksave.
Rifillojnë “kërcënimet”
Sot, kryeministri Rama u tregua i ashpër gjatë prezantimit të drejtores së re të tatimeve Delina Ibrahimi. “Kush nuk arrin indikatorët nuk mund të jetë pjesë e kësaj administratë, as e tatimeve as inspektoratit të punës”, tha Rama. ” Si mundet të pranohet sot që flasim që të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 112 mijë të tilla”.
Kryeministri, që ishte ideator i masave ndëshkuese në 2015-s, por tashmë me drejtoë dhe ministra të tjerë, u tregua më i drejtpërdrejtë më pas, në një status në facebook, ku paralajmëroi se tashmë po kalohet nga qasja këshilluese në atë ndëshkimore:
“Prej thuajse një viti jemi përpjekur me qasjen sensibilizuese, informuese, këshilluese të biznesit në raport me detyrimet tatimore, duke minimizuar qasjen ndëshkimore. Tani boll me konkurencën e paligjshme dhe me hilerat në kurriz të konsumatorit!
KOHA QE KUSH NUK JEP KUPON, NUK REGJISTRON DHE NUK FATURON, TE BLLOKOHET LIGJERISHT”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.