Përdorimi i infrastrukturës pasive nga ana e operatorëve të rrjetit bëhet kundrejt pagesës së një “qiraje” për përdorimin.
Vendosja e këtij çmimi për aksesin do të bëhet në bazë të një metodologjie të veçantë që aktualisht është objekt konsultimi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por kush quhet në fakt infrastrukturë pasive? Bëhet fjalë për tubacionet, kanalet/gypat, pusetat, instalimet e antenave, kullat, godinat ose hyrjet në godina. Përdorimi i këtyre infrastrukturave nga operatorët e rrjetit që ofrojnë komunikime elektronike bëhet kundrejt pagesës e cila do të rezultojë pas përllogaritjes në bazë të metodologjisë.
“Autoriteti përgjegjës rregullator për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, përcakton çmimin e aksesit, bazuar në një nga metodologjitë e miratuara në këtë vendim. Vendimi për përcaktimin e çmimit të aksesit, kryhet nga autoriteti në konsultim me kërkuesin (operatori përfitues) dhe operatorin e rrjetit ofrues. Në rastet kur mosmarrëveshja për çmimin e aksesit, është midis operatorëve të rrjeteve të komunikimeve elektronike, AKEP vepron sipas parashikimeve në ligjin për komunikimet elektronike”, thuhet në vendim.
Metodologjitë për përcaktimin e çmimit të aksesit
Në nenin 6 të projektvendimit “Për miratimin e metodologjisë së përcaktimit të çmimit të aksesit në infrastrukturë dhe çmimet referuese të aksesit” jepen në detaj metodologjitë.
“Metodologjitë e rekomanduara për përcaktimin e çmimit të aksesit në infrastrukturë pasive, janë përkatësisht:
a) Çmimi bazuar në kosto – LRIC/BULRIC. Kjo metodë siguron që çmimi i aksesit të reflektojë kostot efektive, të operatorit të infrastrukturës. Çmimi i aksesit, duhet të mbulojë vlerën përkatëse të infrastrutkurës të kërkuar për përdorim/bashkëpërdorim. Në ndërtimin e modelit BU- LRIC, autoriteti përgjegjës, nuk supozon ndërtimin e një rrjeti të ri të tërë inxhinierik për rrjetin e komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
b) Aseti Bazë i Rregulluar –RAB (Regulatory Asset Base), që i korrespondon kostove të justifikuara të aseteve të infrastrukturës, që ofrohen për ripërdorim mbi bazën e kostove aktuale. Çmimi i llogaritur me këtë metodologji merr në konsideratë kohëzgjatjen në kohë “elapsed time”. Në rastin e aksesit në infrastrukturën inxhinierike ekzistuese, Autoriteti përgjegjës do të vlerësojë të gjitha asetet përbërëse, bazuar në RAB të rrjetit të modeluar, mbi bazën e kostove zëvendësuese, përveç “reusable legacy civil engieering assets”
c) Metoda e indeksimit, do të aplikohet për llogaritjen e kostove korrente për RAB korrespondues, në asetet e ripërdorshme të infrastrukturës ixhinierike. Autoriteti përgjegjës do të vlerësojë astetet e ripërdorshme të infrastrukturës civle inxhinierike, mbi bazën e metodës së indeksimit.
d) Benchmark – Çmimet referuese. Autoritetet përgjegjëse mund të përdorin si alternative metodën e benchmarkut, mbi bazën e praktikave më të mira në vendet e krahasueshme dhe tarifat e aplikuara në vend” thuhet në nenin 6.
Vendosja e çmimit të aksesit
Një tjetër pjesë e vendimit është ajo e vendosjes së çmimit të aksesit.
Vendosja e çmimit të aksesit të rrjetit bazohet në këto kërkesa:
a) Tarifat e aksesit në rrjet, do të pasqyrojnë kostot reale të rrjetit.
b) Tarifat e aksesit në rrjet, do të llogariten në mënyrë të tillë që, në fund të periudhës rregullatore, diferenca ndërmjet kostove reale të rrjetit (të ardhurave të realizuara) dhe atyre të lejuara nëpërmjet tarifës, të jetë sa më e vogël.
c) Tarifat e aksesit në rrjet, duhet të pasqyrojnë kostot aktuale të ofrimit të shërbimit të aksesit për operatorin kërkues dhe duhet të alokohen në mënyrë sa më të drejtë.
d) Tarifat e aksesit në rrjet, duhet të reflektojnë kostot e operimit me efiçencë të rrjetit.
e) Tarifat e aksesit në rrjet, duhet t’i lejojnë operatorit të rrjetit, të përfitojë normën e lejuar/të arsyeshme të kthimit të investimit.
f) Tarifat e aksesit në rrjet duhet të mbeten të qëndrueshme në kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.