Të dhënat e fundit të tregut të sigurimeve treguan se INSIG pati rritje të aktivitetit të saj në treg. Në sigurimin e “Jo-Jetës”, rritja e primeve të shkruara bruto, për vitin 2012, ishte modeste në rreth 3% (606 milionë lekë në total), por gjithsesi pozitive. Pavarësisht kësaj ecurie, kompania e sigurimeve me kapital shtetëror në tregun e Jo-Jetës gjatë vitit 2012 krahasuar me një vit më parë ka humbur terren, duke zënë rreth 7.5% të tregut (nga 8.1% në vitin 2011). Megjithatë, në këto kushte, u ndodhën edhe një pjesë e kompanive të tjera në mbylljen e vitit.
Krejt tjetër paraqitet dinamika sa i përket ecurisë së tregut të sigurimit të “Jetës”, ku ishte kompania e vetme që pati rritje të primit të shkruar bruto me rreth 7% (rreth 222 milionë lekë vlera totale). Falë kësaj performance, kompania në fund të vitit zotëronte rreth 25.2% të tregut nga rreth 20% që kishte një vit më parë. Edhe sa u përket dëmeve të paguara, kompania shënoi rritje me rreth 101%, duke zënë rreth 32.2% të totalit në fund të vitit 2012.
Në një intervistë për “Monitor”, kreu i kësaj kompanie tregon problemet me të cilat po përballet tregu dhe parashikon ecuri pozitive gjatë vitit 2013.
Flet drejtori i përgjithshëm i INSIG, Tomor Kalaja
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri, cilat janë disa nga problemet me të cilat ai po përballet?
Tregu i sigurimeve në Shqipëri, ashtu si edhe kudo, është tregu i dytë pas atij bankar. Duke marrë në konsideratë dhe zhvillimet që kanë ndodhur në tregjet e tjera të huaja, është përballur me vështirësitë e veta. Në treg ka shumë kompani dhe si rrjedhojë, konkurrenca është më e fortë, por jo gjithmonë “rregullat e lojës” zbatohen ashtu siç duhet.
Në vitin 2012, kompania, veçanërisht në muajt e fundit në tregun e sigurimeve motorike, pati rritje dhe performoi mirë. Nga ana tjetër, marrja e tregut sjell problemet e veta, pasi sa më shumë të marrësh, aq më shumë do të përballesh me problemin e dëmeve. Mesatarisht, INSIG ka pasur një frekuencë dëmesh prej 1.7%. Për çdo kompani, sa më e ulët të jetë frekuenca e dëmeve, aq më pozitive është. Por, kjo është një e dhënë statistikore që nuk varet nga kompanitë, pasi dëmet nuk mund të ndalohen, pavarësisht dëshirës së mirë. Në këtë aspekt, synimi i çdo kompanie është që primi i marrjes në sigurim të jetë sa më i lartë brenda parametrave të caktuar aktuarialë. Gjatë dy muajve të fundit ka pasur disa çrregullime në treg, kjo edhe si pasojë e nevojës për likuiditete në “cash” (sjellje e cila ndodh për disa arsye).
Përballë këtyre situatave, cilat do të ishin mekanizmat e nevojshëm, që do ta sillnin tregun në një gjendje të qëndrueshme?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke funksionuar dhe ndikoi pozitivisht ndaj sjelljes së aktorëve të tregut, duke treguar se ligji në këto raste është i qartë. Pra, kur kompania shet me çmime të ulëta, nëse nuk reagon si duhet, do të vijë një moment që mund të përballet deri edhe me falimentimin, por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Tregu tashmë ka reaguar dhe po sillet me pozitivitet. Çmimet e sigurimit të detyrueshëm motorik tashmë kanë shkuar pranë limiteve të pranueshme për tregun shqiptar. Të mos harrojmë që tregjet europiane aplikojnë tarifa disa herë më të larta.
Ne si kompani, përveç ecurisë së mirë që kemi pasur, nuk kemi lënë jashtë vëmendjes edhe kohën e shlyerjes së dëmeve. Një pikë e fortë kjo e kompanisë, që ka shtuar besimin te klientët. Ne jemi munduar që të shkurtojmë sa më shumë kohën fizike të dëmshpërblimeve, pasi një sjellje e kundërt do të çonte në një marketing negativ. Rregullat në fuqi përcaktojnë se koha mesatare është një muaj, por ne jemi munduar që ta ulim këtë kohë, kur nuk ka probleme të veçanta. Ndodh që për praktika të ndryshme të marrjes së primit janë të nevojshme edhe investigime më të detajuara.
Të qenët një kompani me kapital shtetëror bën që të mos u përgjigjemi në kohë reale ndryshimeve që ndodhin në treg, por nga ana tjetër, ne kemi qëndrueshmëri dhe fuqi paguese.
Gjatë vitit 2012, kompania performoi mirë në segmentin e sigurimeve të “Jetës”, ndryshe nga sjellja e këtij tregu në tërësi…
Në arritjen e shifrave pozitive të rritjes, “arma” kryesore ka qenë shërbimi korrekt ndaj klientëve dhe imazhi që gëzon kompania. Ne i jemi përgjigjur në kohë reale dëmeve të ndodhura.
Kreditimi i ulët ka “penalizuar” rritjen e sigurimit “Jetë debitori”, si një nga produktet bazë, si e parashikoni ju ecurinë për këtë vit, a prisni shenja gjallërimi?
Nuk mund të flasim me bindje të plotë për rritjen, pasi ky është edhe një vit elektoral. Ne do të shpresojmë që të mbetemi në parametra të njëjtë, gjë të cilën do ta kërkojmë me këmbëngulje. Por, gjithmonë, synimi ynë do të jetë rritja.
A ka hapësira që ky treg të rritet, por edhe të përmirësohet cilësia e shërbimit?
Për një kompani sigurimesh nuk duhet të jetë e rëndësishme vetëm rritja e shifrave, por edhe përmirësimi i shërbimeve, si detyrë ndaj konsumatorit, që në rastin e INSIG, si kompani me kapital shtetëror, është më e madhe. Me rëndësi është edhe hedhja në treg e produkteve të reja, gjë për të cilën po punohet.
Shqipëria renditet ndër vendet që ka një prim tepër të ulët për banorë, çfarë mund të bëhet për rritjen e kulturës së sigurimit?
Veçanërisht në tregun e sigurimeve vullnetare, ndërgjegjësimi luan rol primar. Megjithatë, këtu duhet të merret në konsideratë edhe gjendja ekonomike që kanë konsumatorët. Kompanitë duhet të bëjnë më shumë për rritjen e kulturës, pasi sigurimi nuk është një shërbim i domosdoshëm, që nuk ka kosto të lartë dhe që nuk duhet të bëhet vetëm kur një e keqe ndodh. Duhet të bëhet edhe më shumë për të promovuar produktet e sigurimit. Madje në ndonjë rast, ai mund të bëhet edhe i detyrueshëm me ligj, siç mund të jetë sigurimi për njësitë hoteliere të akomodimit, njësitë e shitjeve, por edhe rastet e katastrofave. Megjithatë ky mbetet një projekt që duhet parë në një këndvështrim më të gjerë.
Avantazhi
Ne si kompani, përveç ecurisë së mirë që kemi pasur, nuk kemi lënë jashtë vëmendjes edhe kohën e shlyerjes së dëmeve. Një pikë e fortë e kompanisë, që ka shtuar besimin te klientët. Ne jemi munduar që të shkurtojmë sa më shumë kohën fizike të dëmshpërblimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.