Janë të paktën 13 rekomandime që Këshilli i Investimeve (KI) ka bërë lidhur me inspektimet, një reformë që ka vite që ka nisur por që ka avancuar pak në disa drejtime. Në dokumentin e bërë publik nga ky Këshill nënvizohet sidomos rëndësia që ka sot një koordinimi më i mirë i gjithë inspektorateve që janë nën ombrellën e Inspektoratit Qendror duke shmangur së pari mbivendosjet. “Shmangia e mbivendosjes së inspektimeve si rezultat i rishikimit të ligjeve sektoriale dhe qartësimit të kompetencave si në nivelin e inspektorateve shtetërore ashtu edhe atyre vendore do të sjellë rritjen e eficencës së inspektimit drejt shkallës optimale. Ulja eventuale e numrit të inspektorateve dhe e bashkimit të funksioneve të tyre sipas objektit të inspektimit nuk duhet të kushtëzojë zbatimin e funksioneve monitoruese dhe rregullatorë që garantojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të konkurrencës së drejtë midis bizneseve” thuhet në dokumentin e KI.
Asistencë falas për bizneset, të vegjlit nuk e përballojnë dot me pagesë
Ekzistenca e shumë inspektorateve, nën varësi të disa ministrive të linjës, rregullon aktivitetin e tyre me një kornizë ligjore të gjerë. Për Këshillin e Investimeve është e rëndësishme që të bëhet një inventarizim i gjithë kuadrit për të gjithë inspektoratet dhe ai të bëhet i aksesueshëm për palët e interesit. Kjo sipas tij do t’i shërbente mbi të gjitha efikasitetit të inspektimeve dhe forcimit të rolit mbikëqyrës të inspektimeve duke ulur kostot e përputhshmërisë së biznesit. Nga ana tjetër nënvizohet se për hir të dinamikës që ka pasur pjesa e ndryshimeve ligjore në fushën e inspektimeve do të ishte me vend ofrimi i ndihmës ligjore falas dhe në distancë për subjektet nga ana e trupave inspektues. Kjo sipas dokumentit lidhet me faktin që struktura e ekonomisë sonë dominohet nga bizneset e vogla dhe të mesme, me kapacitete të kufizuara, për të cilat ndihma dhe këshillimi është i nevojshëm. Ndaj asistenca ligjore në modelin e një shërbimi call-center/numër i gjelbër për subjektet e inspektimit do të lehtësonte procesin e përputhshmërisë së bizneseve me ligjet/kuadrin rregullativ” thuhet në dokument.
Gjobat të vihen në proporcion me dëmin e shkaktuar
Në rekomandimin 7 të tij Këshilli I Investimeve ndalet në masat administrative që aplikohen nga ana e inspektorateve ndaj bizneseve që janë pjesë e procesit të inspektimit. Ndër të tjera propozohet që të përmirësohet dhe të bëhet publike metodologjia e aplikuar nga inspektorët për vendosjen e masave administrative e të përshtatshme dhe proporcionale, çka konsiderohet si një mjet për të kufizuar vendimet arbitrare dhe selektive. “Standardizimi i procedurave të inspektimit e bën të domosdoshme hartimin dhe standardizimin e metodologjive për vendosjen e masave administrative, duke përdorur parimin e proporcionalitetit në raport me dëmin ekonomik/pasojën e shkaktuar nga shkelja e kryer. Për këtë qëllim në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Neni 48, pikat 7 dhe 8, të Ligjit Nr. 10433, Këshilli i Ministrave/IQ duhet të miratojë Rregulloren e Përgjithshme mbi Metodologjinë e Vendosjes së Dënimeve Administrative, ndërsa inspektoratet shtetërore dhe vendore Metodologjitë përkatëse për dënimet administrative në fushën e tyre të inspektimit” nënvizon Këshilli i Investimeve.
Unifikimi i praktikave administrative për të reduktuar ankimimet
Vetëm 14 për qind e masave administrativë që vendosen nga inspektoratet dhe ankimohen nga biznesi mbyllet me një vendim në favor të këtij të fundit. Kjo duket se shkakton edhe dekurajimin për të ndjekur hallkat në rastet kur mendohet se nga inspektimi ka vendosur në mënyrë arbitrare. Në këtë kontekst Këshilli i Investimeve ka propozuar disa përmirësime që do të rezultonin me ulje të numrit të ankimimeve. Një ndër to është unifikimi i praktikave administrative nëpërmjet publikimit të komentarëve.
“Në këndvështrimin e bizneseve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të kontaktuara nga Sekretariati, unifikimi i praktikave të konsoliduara shikohet si një ndër elementët më të domosdoshëm, të cilët do të reduktonin në një masë të konsiderueshme numrin e ankimeve ndaj vendimeve të administratës tatimore dhe përmirësimin e treguesit të perceptimit të bizneseve lidhur me të. Një rol shumë të rëndësishëm në unifikim mund të luajë edhe Avokatura e Shtetit, nëpërmjet rolit të saj aktiv me interpretime për çështje ligjore me karakter përgjithësues për të gjithë administratën publike” nënvizon KI. Po kështu theksohet se është e nevojshme që të bëhen ndryshime ligjore në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit” që të sanksionojë pikërisht këtë pjesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.