Pranvera po afron dhe, në Japoni, kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë – po vjen sezoni i ҫeljes së luleve të qershisë!
Për ekipin ndërkombëtar të artit teamLab, ky ndryshim i sezonit sjell një pamje të re në instalacionet e tyre. Si mjeshtra të krijimit të artit gjithëpërfshirës, ata rinovojnë instalacionet e tyre teksa viti ecën përpara. Në muzeun e teamLab, Forest Fukuoka, kjo do të thotë që lulet e qershisë do të shfaqen nëpër instalcione të shumta në dhoma të ndryshme.
Ky muze, i cili ndodhet në Japoninë jugperëndimore, përfshin një pyll ku vizitorët nxiten të eksplorojnë vetë dhe të “kapin” atë që zbulojnë, ose fizikisht ose nëpërmjet telefonit të tyre. Duke filluar nga 1 marsi, dhomat do të marrin nuancat rozë të luleve të qershisë dhe do t’u japin vizitorëve një arsye të re për të përjetuar këtë eksperiencë.
Në Shifting Valley ekziston një botë e përbërë nga lule që përhapen nëpër dysheme dhe lart në mure. Këto lule madje formojnë kafshë që kur preken, shpërndahen si petale. Në këtë mënyrë, teamLab përfshin ciklin natyror të jetës. Në Terrenin e Butë dhe Topografinë Granulare, ngjyrat e shumta derdhen dhe grumbullohen në lartësi të ndryshme. Teksa njerëzit ecin mbi to, grimcat shumëngjyrëshe shpërndahen në modele të ndryshme.
Fluturat rozë dhe të verdha janë protagonistet e Flutter of Butterflies, Ephemeral Life. Ky është një punim i bukur, në qendër të të cilit vendoset fuqia e njerëzve për të krijuar ose për të shkatërruar. “Kur askush nuk ndodhet në hapësirën e veprave të artit, është errësirë totale dhe asgjë nuk ekziston,” shkruan teamLab.
“Kur njerëzit hyjnë në këtë hapësirë dhe qëndrojnë pa lëvizur, fluturat ‘lindin’ nga vendi ku ndodhen këmbët e tyre, ose nga duart kur ata prekin murin. Fluturat fluturojnë përreth, duke ndryshuar ngjyrat sipas stinëve të vitit dhe ‘vdesin’ kur preken nga njerëzit.”
Të gjitha instalacionet janë unike dhe individuale. Nuk ka asnjë cikël të regjistruar paraprakisht. Ashtu si me të gjitha instalacionet e tjera të teamLab, ka një kompjuter që e transmeton veprën artistike në kohë reale, bazuar te ndërveprimi midis njerëzve dhe hapësirës. Instalacionet e pranverës do të zgjasin deri në qershor, kur fillon sezoni i verës. / My Modern Met