Të gjithë ata klientë biznese apo individë që do duan të instalojnë një sistem që u mundëson atyre furnizim nga një burim dytësor energjie, në rastet kur ndërpritet furnizimi kryesor, do të duhet të ndjekin disa procedura. Në një rregullore të nxjerrë nga Enti Rregullator i Energjisë posaçërisht për këtë aspekt nënvizohet se ajo zbatohet për çdo klient që dëshiron të instalojë një burim dytësor rezervë dhe që është i lidhur në rrjetin e shpërndarjes pavarësisht nivelit të tensionit dhe statusit të tij.
Kështu së pari pjesa më e rëndësishme lidhet me faktin që të gjitha shtesat, modifikimet ose ri-konfigurimet në instalimet e brendshme elektrike të klientit që nevojiten për instalimin e burimit dytësor duhet të kryhen nga një person i licencuar. Po kështu për çdo modifikim të pikës së instalimit të burimit dytësor duhet marrë miratimi paraprak nga OSSH-ja(Operatori i Sistemit të Shpërndarjes). Së treti instalimi i burimit dytësor duhet të projektohet, instalohet, testohet, kolaudohet në përputhje me standardet teknike të aplikueshme.
Rregullorja përcakton mbrojtjet që duhet të ketë burimi dytësor i energjisë për të mos dëmtuar rrjetin dhe për të rritur shkallën e tij të sigurisë.
OSSH si pjesë e rëndësishme e sistemit energjetik sipas Rregullores duhet të vihet në dijeni dhe çdo klient duhet të bëjë njoftimin pranë kësaj hallke 30 ditë nga data e instalimit. Në këtë njoftim duhet të bashkëngjiten të dhëna që lidhen me emrin dhe adresën, planimetrinë e burimit dytësor, përshkimin e sistemeve të kontrollit pjesën teknike të tij si dhe një sërë aspektesh të tjera.
“Klienti mund të vijojë me instalimin e burimit dytësor 30 (tridhjetë) ditë mbas dërgimit të njoftimit ose menjëherë mbas marrjes së miratimit nga OSSH-ja . Instalimi i burimit dytësor duhet të kryhet nga një person i liçencuar” thuhet në rregullore.
Pas instalimit është OSSH e cila kryen testimet e nevojshme që instalimi është kryer sipas parametrave të kërkuar dhe nëse rezultatet janë të duhurat atëherë procedohet me lidhjen e burimit dytësor në skemën elektrike.
Në rast se një burim i dytësor planifikohet të instalohet në një objekt të ri, projekti i burimit dytësor do të integrohet me projektin e përgjithshëm elektrik të objektit dhe instalimi dhe testimi i tij do të kryhet në të njëjtën kohë me instalimet e tjera elektrike të objektit në përputhje me Rregullat e lidhjeve të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.