Në një hulumtim për çështjet e emigrimit, që ka realizuar Insituti i Statistikës (INSTAT), gjatë vitit 2013, për emigrantët e kthyer gjatë dekadës së fundit, renditen tre faktorët kryesorë tërheqës të emigracionit kanë qenë: Papunësia me (71.8%) e ndjekur nga mundësi më të mira pune 67.7% dhe mundësi për të ardhura më të larta me 64.7%. Edhe pse jo në përqindje të lartë, bashkimi familjar është arsye migracioni për 16.3% të të intervistuarve dhe për 43.8% të femrave. Pasiguria e përgjithshme në vend është perceptuar gjithashtu nga 8.8% e të pyeturve si një faktor shtytës për emigracionin.
Shumica e emigrantëve, 58.8% përpara se, të migronin ishin të papunë; 11.7% kishin punë të përhershme, 7.4% ishin të vetë punësuar dhe 11.8% ishin studentë. Një përqindje e vogël prej 3.7% ishin në pension në kohën që kishin vendosur të migronin. Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit.
Përqindja e papunësisë u ul nga 58.8 % në 27%, një ulje e ndjeshme. 55 për qind e të pyeturve paguheshin me rrogë me vendin e destinacionit, që ishte pothuajse pesë herë më e lartë krahasuar më situatën përpara migracionit. Kjo gjetje përforcon faktin që arsyeja kryesore për migracionin ka qenë përmirësimi i situatës ekonomike të emigrantit në
Shumica e emigrantëve, si meshkuj ashtu edhe femra, kanë qenë të papunë përpara se të migronin, por përqindja e papunësisë mes meshkujve ka qenë më e lartë krahasuar më femrat, 66.3% dhe 38% përkatësisht; ky boshllëk i konsiderueshëm mes meshkujve dhe femrave lidhet edhe me faktin që përqindja më e lartë e grave ka deklaruar që kanë qenë shtëpiake (21.5%) përpara se të migronin.
Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Përqindja e papunësisë është ulur për të dy, por me më shumë se gjysma për meshkujt krahasuar me situatën përpara migracionit. 61 për qind e meshkujve dhe 37 për qind e femrave ishin të punësuara në vendin e destinacionit, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me situatën përpara migracionit.
Kjo analizë nuk vlen për fenomenin e tanishëm të emigrimit, bëjnë të ditur burime brenda INSTAT. Pasi të ikurit janë deklaruar në momentin e ikjes, për qëllime turizmi apo vizita tek te afërmit dhe në momentin e mbërritjes, janë deklaruar si azilantë. Shkaqe të sakta të ikjeve të fundit do të mësohen pasi kjo kategori të jetë kthyer, qoftë edhe pjesërisht, bëjnë të ditur të njejtat burime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.