INSTAT: Ulet papunësia në tremujorin e tretë

12/12/2018 11:55 AM 0 komente

Niveli i papunësisë ka shënuar rënie gjatë tremujorit të tretë, raporton INSTAT. Referuar shifrave të INSTAT, papunësia për moshën 15 vjeç e lart ra në 12.2%, rreth 1.4% në krahasim me një vit më parë.

Tek të rinjtë, shkalla e papunësisë është 23,2% . Sipas INSTAT, shkalla e papunësisë së të rinjve ka shfaqur tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2018 është 2,8 pikë përqindje më e ulët. Ndërsa shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 8,9%.

Në terma vjetorë, ky tregues pësoi rënie prej 1,7 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë u ul me 0,7 pikë përqindje.

Punësimi u rrit

Në tremujorin e tretë 2018, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,7%. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2017, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,3%. Sektorët kryesorë që kanë kontribuar në rritjen e punësimit në vend janë: sektori i industrisë me një rritje 3.9%, sektori i shërbimeve me 2.5% dhe bujqësia me 1.2%.

Popullsia ekonomikisht joaktive, pjesa më e madhe duke përmbushur detyrat shtëpiake

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, 20,7% e popullsisë ekonomikisht joaktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake. 12,5% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10,6% në paaftësi të përhershme. INSTAT raporton se 9,0% e popullsisë ekonomikisht joaktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of