INSTAT: Zënia e peshkut, me rritje dyshifrore; Ja arsyet

12/09/2019 11:41 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

INSTAT ka publikuar statistikat e peshkimit për vitin 2018, ku sipas të dhënave, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 14.875 tonë nga 12.719 tonë që ishte në vitin 2017, duke shënuar një rritje në terma vjetorë me 17,0%.

Të dhënat për zënien e peshkut (prodhim peshku dhe akuakulturë) grumbullohen sipas kategorive ujore. Kategoritë ujore të peshkimit janë: peshkimi detar, bregdeti, laguna, ujëra të brendshme, akuakulturë dhe molusqe. Struktura e zënieve sipas kategorisë ujore, për vitin 2018 përcakton peshkimin “Detar” si kategorinë me prodhimin më të lartë për sektorin, me 37,2%, ndaj prodhimit total, ndjekur nga “Akuakultura” me 34,5%, si dhe Ujërat e brendshme me 16,3%, ndaj totalit.

Në vitin 2018, rritjen më të madhe vjetore, e ka shënuar kategoria “Molusqe” me rreth 157,7%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, me rritje kanë rezultuar dhe zëniet nga kategoria “Akuakulturë” me 28,5 %, kategoria “Ujërat e brendshme” me 20,9% dhe nga “Peshkimi detar” me 20,2 %. Kategoria ujore “Peshkim bregdetar” ka shënuar rënie me 70,6%, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Peshkim lagunor” me 41,7 %.

Në vitin 2018, për sa u përket kategorive ujore detare, bregdetare dhe lagunore, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Açuga” me 24,4% ndaj totalit, ndjekur nga “Karkaleci i thellësisë” me 20,6% dhe “Merluci” me 14,1%. Për sa u përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Krap” ka përqindjen më të madhe të zënë ndaj totalit, me rreth 23,6%, pasuar nga “Skorta” (19,9%) dhe specia “Karas” (19,8%).

Flota detare në zgjerim

Të dhënat e fundit nga regjistri i flotës tregojnë se deri në vitin 2018 janë 632 subjekte të licencuara për aktivitet peshkimi. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Janë 73 subjekte të licencuara më shumë se një vit më parë. Kjo tregon zhvillimin që po merr sektori vitet e fundit.

Në vitin 2018, porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara është Durrësi, me 37,0% të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 31,0% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga Porti i Sarandës me 16,0%. Portet e peshkimit të Himarës dhe Lushnjë-Fier janë ato me përqindjet më të vogla të subjekteve të licencuara për peshkim, përkatësisht me nga 2,0%.

Flota detare, shqiptare nisur nga qëllimi i anijes, ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica (67,0 %) si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike), me 27,0%, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Arsyet kryesore pse sektori po rritet me shpejtësi

Sipas ekspertëve të sektorit, arsyeja kryesore e kësaj rritje lidhet me përjashtimin e karburantit që përdorin anijet nga akciza. Kjo ka rritur gjithashtu edhe formalizmin e sektorit, pasi është rritur deklarimi i sasive të zëna, por edhe i numrit të të punësuarve.

Një nga kriteret për të përfituar nga kjo lehtësi është që vlera totale e karburantit të furnizuar (konsumuar) gjatë një 6-mujori nuk mund të jetë më e madhe se 80% e vlerës totale të produktit të peshkimit të shitur me faturë tatimore me TVSH, gjatë kësaj periudhe.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of