Institucionet e mikrofinancës kërkojnë ndryshime ligjore që do të mundësojnë ofrimin e më shumë shërbimeve financiare në distancë.
Një anketë e kryer nga Shoqata e Mikrofinanca Shqiptare (AMA) me nëntë institucione financiare jo-banka, vuri në dukje rëndësinë në rritje që ka digjitalizimi në aktivitetin e këtij sektori.
Sipas Shoqatës, duhet një bashkëpunim më intensiv midis aktorëve të mikrofinancës dhe rregullatorëve në mënyrë që të ketë përshpejtim të adaptimit të mjeteve të teknologjisë në ligj për të ofruar më shumë shërbime online. Nga ana tjetër, AMA vë në në dukje nevojën për një bashkëpunim mes grupeve të interesit për të rritur nivelin e edukimit financiar dhe për të implementuar shërbimet financiare totalisht online, në mënyrë më efektive dhe në shkallë të gjërë. Vetëm 44% e kompanive të anketuara mendojnë se politikat qeverisëse të vendit janë mbështetëse për zhvillimin e industrisë financiare jo-bankare duke siguruar mjedis të përshtatshëm për të nxitur risi në produkte dhe shërbime. 22% e ndërmarrjeve e shohin situatën më të vështirë në sjelljen e risive të reja pikërisht prej politikave frenuese rregulluese.
Vitet e fundit, brenda mikrofinancës ka marrë një zhvillim të shpejtë segmenti i kredive të shpejta konsumatore. Këto institucione aplikojnë më pak filtra rreziku krahasuar me bankat, por ana tjetër e medaljes është se normat efektive të interesit janë shumë të larta, ndonjëherë edhe në nivele treshifrore. Këto kompani po kërkojnë hapësira që procesin e kredidhënies ta kryejnë të plotë përmes kanaleve dixhitale, duke përdorur instrumente si identifikimi biometrik apo firma elektronike. Por, për momentin, kuadri ligjor nuk mundëson akoma nënshkrimin e kontratave pa praninë fizike të huamarrësit.
Sipas institucioneve të mikrofinancës, efektet e krizës janë duke u zbehur dhe pritet që periudha në vijim të jetë më pozitive, por në 12 muajt e ardhshëm nuk parashikohet rikthim i ritmit të sipërmarrjes në nivelet para pandemisë. 67% e ndërmarrjeve të anketuara të mikrofinancës janë duke planifikuar rritjen e numrit të punonjësve, por njëkohësisht ato do të synojnë të ulin kostot dhe të rrisin efiçiencën. Shumica e kompanive presin të ecin me hapa shumë të kujdesshëm në të ardhmen e afërt. Vetëm 22% e kompanive planifikojnë të rrisin pagat deri në 5% në të ardhmen, ndërsa asnjë prej tyre nuk planifikon një rritje më të lartë.
Shumica e kompanive, 56% e tyre, kanë një perceptim negative për klimën e biznesit në vend.
Sistemi financiar aktualisht numëron 30 institucione financiare jo banka (IFJB) të licencuara, me një total aktivesh prej rreth 550 milionë eurosh. Pjesa më e madhe e këtij segmenti të sistemit financiar përbëhet nga IFJB-të që kryejnë aktivitet kreditues në segmentin e mikrofinancës, ndjekur nga ato që kryejnë pagesa dhe transferta. Rreth 70% e kapitalit aksioner të këtyre subjekteve është me kapital vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.