Instituti i Financave Ndërkombëtare ka përgjysmuar perspektivën e rritjes së prodhimin global për vitin 2022, duke përmendur efektet ekonomike të pushtimit rus të Ukrainës, përgjigjen e Kinës ndaj valës së COVID-19 dhe politikat monetare kontraktuese në Shtetet e Bashkuara.
IIF gjithashtu vlerëson që flukset e kapitalit drejt tregjeve në zhvillim do të reduktohen me 42% krahasuar me vitin e kaluar.
Bazuar në vlerësimet e reja, ky grup global tregtar bankar tha se është shtuar rreziku i recesionit, pasi rritja reale pritet të jetë e ulët.
“Rreziku i një recesioni global është rritur,” shkruajnë ekonomistët e IIF në një raport. “Në këtë kontekst, ne presim që flukset jorezidente drejt tregjeve në zhvillim do të reduktohen ndjeshëm.”
IIF uli parashikimin për rritjen globale të PBB-së në 2.3% nga 4.6%, duke vlerësuar se G3 (Shtetet e Bashkuara, Eurozona dhe Japonia) do të rriten me një normë prej 1.9% gjatë këtij viti. Ekonomistët e IIF presin që rritja e Kinës të ngadalësohet në 3.5%, nga 5.1% që ishte parashikuar në vlerësimin e mëparshëm.
“Vala Omicron në Kinë ka shkaktuar shumë më tepër probleme nga sa prisnim dhe, si rrjedhojë, do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike dhe flukset e kapitalit,” tha IIF.
Rritja ekonomike në eurozonë ishte ulur në 1% nga 3%, kryesisht për shkak të efekteve të pushtimit të Ukrainës. “Për shkak se rritja statistikore e mbartuar nga viti 2021 për në këtë vit është 1.9 pikë përqindjeje, ky parashikim tregon një recesion që do të sjellë rënie të PBB-së në gjysmën e dytë të vitit.”
Rritja ekonomike në Amerikën Latine parashikohet të jetë pak më e lartë, në nivelin 2%, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të mallrave, ndërsa IIF pret “një shkallë të caktuar të qëndrueshmërisë” nga eksportuesit e naftës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.
Mungesat e ushqimeve përbëjnë një rrezik
Ndalimet e eksportit të mallrave bujqësore në Rusi dhe në Indi, si dhe ndërprerja e pritshme e sezonit të mbjelljes dhe të korrjes në Ukrainë, u përmendën në këtë raport pasi IIF paralajmëroi se ekzistonte një rrezik i madh për pasigurinë globale për furnizimet me ushqime. Lindja e Mesme dhe Afrika janë rajonet që mund të goditen më rëndë nga kjo situatë.
“Vendet aziatike janë disi më pak të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve të ushqimeve që ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë, për shkak të dietave të tyre më të përqendruara tek orizi, në një kohë kur çmimet e orizit kanë mbetur relativisht të ulëta gjatë viteve të fundit dhe në përgjithësi duken më pak të prekura nga inflacioni global i çmimeve të ushqimeve,” tha IIF.
Flukset e kapitalit drejt tregjeve në zhvillim pritet të reduktohen “ndjeshëm”, sipas raportit, me flukset jorezidente që bien në 972 miliardë dollarë nga 1.68 trilion dollarë që ishin vitin e kaluar. Shifra bie në 645 miliardë dollarë nëse nuk llogaritet Kina, nga 1.0 trilion dollarë në vitin 2021.
Rusia parashikohet të ketë dalje të kapitalit prej rreth 29 miliardë dollarë, pasi pati hyrje mbi 58 miliardë dollarë vitin e kaluar. Kina, vendi me flukset më të mëdha hyrëse, pritet të thithë 327 miliardë dollarë këtë vit, nga mbi 668 miliardë dollarë në vitin 2021.
Meksika, Argjentina dhe Venezuela janë ndër të paktat vende të Amerikës Latine që pritet të kenë një rritje të fluksit të kapitalit këtë vit, edhe pse për secilin prej këtyre vendeve, kjo rritje mbetet në nivele të ulëta. Flukset drejt Brazilit pritet që pothuajse të përgjysmohen në 55.3 miliardë dollarë./ Reuters