Banka e Shqipërisë nisi zbatimin e projektit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian” i financuar nga fondet e Bashkimit Evropian. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se ky projekt është konceptuar dhe udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane, në partneritet me 11 Banka qendrore të Bashkimit Evropian.
Duke shpresuar që pranvera e 2020 do të hapë dritën jeshile të negociatave, Sejko tha se, Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i angazhuar në përmbushjen e prioriteteve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Objektivat madhorë të përsosjes afatgjatë të institucionit përkojnë me përafrimin e kuadrit të saj ligjor, rregullator dhe operacional, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Projekti i parë i Binjakëzimit u zbatua gjatë vitit 2012–2013 dhe, ashtu si sot, Banka e Italisë – në atë kohë, në partneritet edhe me Bankën e Francës – kontribuoi me sukses në arritjen e rezultateve konkrete në 6 fusha të rëndësishme të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Projekti i dytë “Identifikimi i nevojave për përafrimin e Bankës së Shqipërisë”, i financuar nga fondet e BE-së, u udhëhoq nga Banka Qendrore Evropiane dhe u zbatua gjatë vitit 2014. Projekti me kohëzgjatje 6 mujore synonte vlerësimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, në krahasim me standardet dhe praktikat më të mira të bankave qendrore evropiane. Nga ky këndvështrim duhet nënvizuar se rekomandimet e lëna në përfundim të projektit, përbëjnë listën e prioriteteve kryesore për përafrimin institucional të Bankës së Shqipërisë me modelin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Më tej, për të mundësuar adresimin e prioriteteve të sipërpërmendura, Komisioni Evropian vendosi të akordojë një mbështetje financiare në vlerën 800 mijë euro, si pjesë e Instrumentit të Para-Anëtarësimit të vitit 2015. Pas një procesi të gjatë konsultimesh dhe shkëmbimi informacionesh, për herë të parë, nga vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, u përgatit projekti i Binjakëzimit, i cili iu dorëzua Delegacionit Evropian të akredituar në Shqipëri. Në përfundim të procesit përzgjedhës, fituese për zbatimin e Projektit të Bankës së Shqipërisë, rezultuan Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë. Pjesë e skuadrës fituese për lëvrimin e komponentëve të veçantë do të jenë dhe Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.