Bashkimi Europian kërkon që të nxisë më tej bashkëpunimin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar një zonë të përbashkët ekonomike për një treg me 20 milionë konsumatorë.
Projekti synon lehtësimin e qarkullimit të të mirave, shërbimeve dhe kapitalit, të sigurojë lëvizje të lirë të forcës punëtore, të ndihmojë në zbatimin e axhendës dixhitale dhe të krijojë një hapësirë më tërheqëse investimesh për të gjithë rajonin…
Tri vite më parë, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, u takuan në Berlin për t’i sjellë bashkëpunimit në rajon një dinamizëm të ri. Që atëherë, Komisioni Europian ka marrë masa konkrete në mbështetje të rajonit.
Në 2015-n, Bashkimi Europian përcaktoi rreth një miliard euro grante deri në vitin 2020 për të mbështetur Axhendën e Ndërlidhjes me projektet infrastrukturore. Këto grante do të jenë në mbështetje të 4 miliardë eurove investime dhe do të krijojnë mbi 45 mijë vende pune.
Deri më sot, ku përfshihen edhe shtatë projektet e reja të paketës së Samitit të Triestes, BE-ja ka përmbushur gjysmën e premtimit prej 1 miliard eurosh, duke dhënë grante për 20 projekte infrastrukturore në rajon.
Mbështetja e BE-së ka gjeneruar 1.4 miliardë euro investime në të gjithë rajonin, duke krijuar më shumë se 20 mijë vende pune deri më tani.
Bashkimi Europian është angazhuar që të përmirësojë lidhjen midis Vendeve të Ballkanit Perëndimor: Në 2014-n, Bashkimi Europian mbështeti investimet me vlerë mbi 3 miliardë euro për projekte infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet granteve me vlerë 660 milionë euro.
Lidhshmëria mbulon shumë më tepër se ndërtimi i korridoreve të transportit apo të energjisë. Infrastruktura ndërkufitare merr kuptim vetëm nëse do të plotësohet në rang rajonal, institucional dhe me anë të reformave rregullatore, nga të cilat përfitojnë njerëzit.
Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord për të hapur tregjet, për të krijuar një kornizë ligjore transparente që do të forcojë besimin e investitorëve dhe do të heqë barrierat në mënyrë që shërbimet të menaxhohen me eficiencë dhe me efektivitet. Këto reforma janë pjesë e rëndësishme e Integrimit Europian të vendeve dhe në vitet e fundit është bërë shumë progres. Është e rëndësishme vazhdimi i përpjekjeve, duke shtuar vlerë në investimet infrastrukturore të mbështetur që sot.
Projektet me bashkëfinancim në Ballkanin Perëndimor
Nga viti 2015 deri sot, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë përfituese të 501.3 milionë eurove grante në mbështetje të investimeve që kapin një shifër totale prej 1.3 miliardë eurosh. Për çdo 3 euro investime në rajon, Bashkimi Europian financon 1 euro. Deri më sot Shqipëria ka qenë përfituese e 50.2 milionë eurove që janë dhënë në mbështetje të investimeve me vlerë 151.5 milionë euro.
Vlerën më të lartë të granteve të përfituara e ka Serbia, ku prej vitit 2015 ka qenë përfituese e 190.1 milionë eurove në mbështetje të projekteve që kapin një vlerë totale prej 332.5 milionë euro. Ndërsa vlerën më të ulët e ka Mali i Zi, ku BE-ja ka mbështetur me 45 milionë euro grante projektet me vlerë totale investimi 190.6 milionë euro.
Maqedonia është e dyta për sa u përket granteve të përfituara, ku është mbështetur nga Bashkimi Europian me 82 milionë euro në realizimin e projekteve me vlerë totale investimi prej 201.3 milionë eurosh.
Vlerën më të ulët të investimeve në projektet infrastrukturore e ka Kosova me 123.2 milionë euro, në mbështetje të të cilave BE-ja ka dhënë 50,1 milionë euro.
Integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor
Bazat për një integrim ekonomik rajonal më të ngushtë në Ballkanin Perëndimor janë hedhur tashmë. Në dekadën që lamë pas, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë iu afrua më afër mesatares europiane me thuajse 8.6%, por në vitin që lamë pas, hendeku u ngushtua me vetëm 1%. Nga të gjitha ekonomitë e rajonit po bëhen përpjekje për reforma në mënyrë që dobësitë e brendshme strukturore të gjejnë zgjidhje, si dhe të përfitohet një rritje më e konsiderueshme prej integrimit ekonomik më të ngushtë.
Strategjitë e rritjes do të jenë më të suksesshme në rast se do të zbatohen në një sistem të konsoliduar të bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat përkatëse.
Procesi i pranimit në BE ka ndihmuar në rritjen e harmonizimit midis ekonomive, duke qenë se: Të gjitha vendet po afrojnë legjislacionin e tyre dhe sistemet institucionale me ato të BE-së; Korniza e konvergjencës për t’u pranuar në BE, “Europa Juglindore 2020”, shpaloste objektiva të njëjtë rajonalë; Nën kontekstin e CEFTA-s janë eliminuar tarifa dhe kuota për shumë produkte industriale dhe bujqësore; Do të ndërmerren iniciativat për të hequr pengesat në lëvizjen e lirë të forcës punëtore të kualifikuar; Axhenda e Ndërlidhjes do të ndihmojë në integrimin e sistemeve të energjisë dhe të transportit brenda rajonit dhe me BE-në; Kostot e komunikimit për qytetarët dhe bizneset janë reduktuar duke ulur tarifat e roaming-ut.
Përmirësimi i mëtejshëm i stabilitetit makroekonomik dhe reformat strukturore në kontekstin e programit të reformave ekonomike do të krijojë kushtet për rritje më të madhe ekonomike. Integrimi rajonal ekonomik mund të ndihmojë sektorin privat që të përfitojë nga ekonomia e shkallës në një treg me 20 milionë konsumatorë dhe të fokusojë modelin e rritjes në vend, nxitës afatgjatë të rritjes, si për shembull përmirësim i kapitalit njerëzor, investime në infrastrukturën e inovacionit dhe në dixhitalizimin e ekonomive dhe shoqërive për t’i bërë ato më fleksibël ndaj sfidave të shekullit 21.
Në fakt, në kontekstin e zhvillimit të zinxhirit global të vlerës (75% e tregtisë globale përbëhet nga inputet e ndërmjetme, si dhe mallrave dhe shërbimeve kapitale), është e rëndësishme që operatorët ekonomikë të Ballkanit Perëndimor të arrijnë standardet e pranuara ndërkombëtare. Kështu rajoni do të jetë pjesë e zinxhirit të vlerës europiane dhe jo vetëm, duke qenë se standardet europiane njihen në tregun global.
Që kjo të materializohet, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuar që të nxisin, mbështetur edhe në kornizën ligjore të CEFTA-s dhe marrëveshjeve bilaterale që kanë midis tyre, integrim progresiv ekonomik në fushën e tregtisë, investimit, lëvizshmërisë dhe dixhitalizimit që do të mundësonte rrjedhën e lirë të të mirave shërbimeve, investimeve dhe forcës së punës së kualifikuar në të gjithë rajonin, duke zhvilluar Zonën Rajonale Ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.