Dhjetëra drejtues të industrisë së IA, akademikë, madje edhe njerëz të famshëm kërkuan të martën reduktimin e rrezikut të zhdukjes globale, për shkak të Inteligjencës Artificiale, duke dalë me një deklaratë të shkurtër se kërcënimi i një rasti të zhdukjes nga IA duhet të jetë përparësi kryesore globale.
“Zbutja e rrezikut të zhdukjes nga IA duhet të jetë përparësi globale së bashku me rreziqe të tjera sociale si pandemitë dhe luftërat nukleare” – lexohet në deklaratën e publikuar nga Center for AI Safety.
Deklarata u nënshkrua nga përfaqësues të rëndësishëm të sektorit, mes të cilëve CEO i OpenAi, Sam Altman; i ashtuquajturi “kumbari” i IA, Geoffrey Hinton; drejtues dhe kërkues të Google, DeepMind dhe Anthropic; Kevin Scott, përgjegjës i teknologjisë te Microsoft; Bruce Schneier, pionier i sigurisë dhe kriptografisë në internet; avokati i klimës Bill McKibben; dhe muzikanti Grimes.
Deklarata thekson shqetësimet e gjera mbi rrezikun final të Inteligjencës Artificiale së pakontrolluar. Ekspertët e IA deklaruan se shoqëria është ende larg zhvillimit të llojit të Inteligjencës Artificiale të përgjithshme që është lëndë e fantashkencës; chatbot-et avangardë aktualë riprodhojnë kryesisht modele të mbështetura në të dhënat e trajnimit që ata janë mësuar dhe nuk mendojnë vetë.
Deklarata vjen pas suksesit viral të ChatGPT të OpenAI, që ka ndihmuar në rritjen e një gare armatimesh në industrinë e teknologjisë mbi Inteligjencën Artificiale.
Në përgjigje, një numër në rritje ligjvënësish, grupe të mbrojtjes dhe punonjës në sektorin e teknologjisë kanë dhënë alarmin mbi mundësinë që një gjeneratë e re chatbot-ësh, të trajnuara nga
IA do të përhapë informacione të rreme dhe do të zëvendësojë vendet e punës.
Edhe pse letra e publikuar dje nuk është e para, ajo bëri bujë, për shkak të numrit të madh të nënshkruesve dhe shqetësimit të saj ekzistencial – sipas Michael Osborne, profesor i machine learning në Universitetin e Oksfordit dhe bashkëthemelues i Mind Foundry.
“Është e jashtëzakonshme që kaq shumë njerëz e nënshkruan këtë letër – deklaroi ai. – Kjo tregon që po rritet vetëdija tek ata që punojnë në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe se rreziqet e zhdukjes janë një rrezik real”.
Në një email dërguar CBS MoneyWatch, Dan Hendrycks, drejtues i Center for AI Safety, shkroi se “janë të shumta rrugët drejt rreziqeve në shkallë sociale që vijnë nga IA”.
“Për shembull, IA mund të përdoret nga aktorë keqdashës për të projektuar armë të reja biologjike më vdekjeprurëse se pandemitë natyrore – shkroi Hendrycks. – Si alternativë, aktorët keqdashës mund të përpiqen, në mënyrë aktive, të dëmtojnë njerëzimin.
Nëse një IA e tillë do të ishte mjaftueshëm inteligjente, apo e aftë, mund të përfaqësojë një rrezik të madh për shoqërinë në
tërësi”.
Edhe rreziqet në afat të gjatë përfaqësojnë një kërcënim për njerëzimin, si në rastin kur IA automatizojnë pjesë të ekonomisë dhe njerëzit të heqin dorë nga teknologjia për të mbetur konkurrues.
“Në këtë skenar, ne do të mbështetemi gjithnjë e më shumë tek IA për të lundruar në tablonë gjithnjë e më të shpejtë dhe komplekse” theksoi ai.
“Kjo varësi në rritje mund ta bëjë idenë e thjesht ‘fikjes së tyre’ jo vetëm shkatërruese, por potencialisht të pamundur, duke çuar në rrezikun e humbjes së kontrollit të njerëzimit mbi të ardhmen tonë”