Zgjedhjet europiane janë në prag, por nëse do të ishte mundësia për të votuar z. IA, me siguri do ta gjenim veten që do të drejtoheshim nga një numër i pafundmë algoritmesh të sofistikuar. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Center for the Governance of Change (CGC) në IE University në Madrid
Inteligjenca Artificiale vs. politikanët europianë
Sipas studimit European Tech Insights 2019, që ka intervistuar 2576 persona të rritur, të moshës 18 – 99 vjeç në tetë vende europiane (Francë, Gjermani, Irlandë, Itali, Portugali, Spanjë, Holandë dhe Mbretëri e Bashkuar), një në katër qytetarë europianë do të parapëlqente që vendimet e rëndësishme në lidhje me qeverisjen e vendit të tyre t’i merrte Inteligjenca Artificiale.
Në Holandë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, përqindja është edhe më e lartë, me një qytetar në tre që pranon se do të preferonte një makinë që të përcaktonte drejtimin e vendit të vet se sa një njeri.
Diego Rubio, drejtor ekzekutiv i CGC deklaroi: “Ky mentalitet, që ndoshta i referohet mosbesimit në rritje të qytetarëve ndaj qeverive dhe politikanëve, përbën një pikëpyetje të rëndësishme në lidhje me modelin europian të demokracive përfaqësuese, si dhe sfidon nocionin e sovranitetit popullor”.
Inteligjenca Artificiale dhe puna
Studimi synon të kuptojë më mirë perceptimet dhe shqetësimet në lidhje me teknologjitë e reja. Ndër të tjera, ai tregon se si Revolucioni i Katërt Industrial po rrit pasiguritë dhe paqartësitë, ku shumë qytetarë europianë janë të bindur se, nëse nuk kontrollohen siç duhet, inovacionet e reja teknologjike mund të shkaktojnë më shumë dëme se sa përfitime për shoqërinë në dekadën e ardhshme.
Pjesa më e madhe e europianëve të intervistuar (më shumë se 70%) presin që qeveritë e tyre të krijojnë ligje dhe taksa të reja për të kufizuar automatizimin, madje duke vënë limite në numrin e vendeve të punës që kompanitë mund t’i zëvendësojnë me makineri, edhe pse kjo do të nënkuptonte të ndalësh progresin teknologjik. 60% e europianëve ankohen për një sistem arsimor të papërshtatshëm, që t’i përgatisë për t’u përballur me sfidat e reja teknologjike, në një treg pune që po zhvillohet shumë shpejt.
Teknologjitë e reja informatike, mosbesimi i qytetarëve europianë
Më poshtë po shfaqim disa shifra të tjera të rëndësishme të studimit, që tregojnë shqetësimin në rritje të europianëve kundrejt zhvillimit të shpejtë të teknologjisë:
- 25% e europianëve është në njëfarë mënyre, ose plotësisht dakord, që Inteligjenca Artificiale të marrë vendime të rëndësishme për qeverisjen e vendit të tyre.
- 56% e europianëve janë të shqetësuar që robotët mund të zënë pjesën më të madhe të vendeve të punës që sot u përkasin njerëzve.
- 67% e europianëve mendojnë që qeverisja e teknologjive të reja, si dhe ndryshimet klimatike, janë sfidat më të mëdha me të cilat duhet të përballet në këtë moment Bashkimi Europian.
- Përtej sfidave në tregun e punës, europianët i frikësohen ndryshimit në jetën e tyre sociale. Më shumë se dy të tretat e të intervistuarve (68%) mendojnë se, në të ardhmen, njerëzit do të kalojnë më shumë kohë duke u socializuar online se ballë përballë.
- 40% e europianëve mendon se kompania për të cilën punojnë do të zhduket në 10 vitet e ardhshme, nëse nuk implementon ndryshime të thella dhe të shpejta.
- 70% e europianëve të të gjitha moshave besojnë që, nëse nuk kontrollohet si duhet, teknologjitë e reja mund të shkaktojnë më shumë dëme se sa efekte pozitive në dekadën e ardhshme.
http://docs.ie.edu/cgc/European-Tech-Insights-2019.pdf
https://www.ie.edu/cgc/research/tech-opinion-poll-2019/
Burimi: Forbes, Center for the Governance of Change