Inteligjenca Artificiale, si do të jenë profesionet e së ardhmes

24/06/2019 12:04 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Puna po ndryshon për shkak të automatizimit dhe Inteligjencës Artificiale, por nuk do të zhduket

 

Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi po ndryshojnë botën e punës. Gjithnjë e më shumë po flitet se profesionet e së ardhmes do të ndryshojnë nga ato të sotme. Shumë pyesin se cilat profesione do të zhduken – dhe cilat të tjera – sot të panjohura – do të bëhen të rëndësishme. Disa ditë më parë u publikua një kërkim nga Cognizant, shoqëri amerikane e fokusuar në të ardhmen e botës së punës. Në këtë studim shfaqet një tablo me profesionet e reja që do të lindin në dekadën e ardhshme.

“Puna po ndryshon për shkak të automatizimit dhe Inteligjencës Artificiale – por nuk do të zhduket – shkruhet në studim. – Mbështetur në tendencat kryesore makroekonomike, politike, demografike, sociale, kulturore, tregtare dhe teknologjike që shihen sot, ne propozojmë 21 profesione të reja që do të lindin në dhjetë vitet e ardhshme dhe do të bëhen themelet e së ardhmes së punës”.

E nisim nga Data Detective, hetuesi i të dhënave. Ai analizon të dhënat organizative të një kompanie dhe jep përgjigje të rëndësishme biznesi dhe këshilla që mbështeten në analizimin e informacioneve. Një profesion jo shumë larg është Data Scientist, me të cilin do të bashkëpunojë ngushtë (por Data Detective ka më shumë aftësi hulumtuese dhe kërkimi).

Vlen të përmendet edhe Data Trash Engineer, një lloj analisti i të dhënave të hedhura nga kompanitë dhe konsumatorët, në kërkim të diçkaje të mirë. Më pas është Ethical Sourcing Officer, i cili do të ndihmojë kompaninë të realizojë objektivat e saj etikë dhe të ndjekë përgjegjësitë sociale dhe qëndrueshmërinë, në lidhje me furnizimet e kompanisë, si për shembull blerjen e energjisë, elementeve të tjera, pajisjeve dhe lëndëve të para.

Menaxheri përgjegjës për ecurinë e biznesit brenda një kompanie, që zhvillon prototipe të mbështetura tek Inteligjenca Artificiale, do të quhet Artificial Intelligence Business Development Manager. Ai do të ketë marrëdhënie të lidhura ngushtë me fushën e marketingut – në thelb përcakton dhe zhvillon programe që synojnë zhvillimin e biznesit në këtë sektor.

Çfarë mund të themi për Walker / Talker? Është ai që në të ardhmen, falë një platforme të lidhur, e ngjashme me atë të Uber do t’u përgjigjet kërkesave të kompanisë (për një shëtitje). Ky profesion kërkon aftësi të veçanta teknike. Nga ana tjetër, profesioni i Cyber City Analyst kërkon aftësi të larmishme. Ai do të garantojë sigurinë, mbrojtjen dhe funksionimin e qyteteve tona në lidhje me aspekte dixhitale. Më pak e mundimshme është puna e Fitness Commitment Counselor, një lloj evolucioni i trajnerit personal.

Bëhet fjalë për një profesion që do të mundësojë seanca trajnimi dhe këshillimi, për të përmirësuar mirëqenien e njeriut dhe do të ndjekë progresin nëpërmjet pajisjeve wearable. Pajisjet wearable do të jenë pjesë edhe e një profesioni tjetër në të ardhmen, AI-Assisted Healthcare Technician, një lloj infermieri që do të përdorë pajisjet dixhitale që mbështeten tek Inteligjenca Artificiale, në mënyrë që të ndihmojë pacientët në distancë. Një tjetër profesion, i lidhur ngushtë me Industrinë 4.0 do të jetë Man-Machine Teaming Manager, puna e të cilit do të jetë të gjejë kombinimin më të mirë në punë mes njeriut dhe robotit, në mënyrë që të gjejë ndërthurjen e duhur të aftësive njerëzore dhe artificiale. Ndërsa në fushën bankare do të gjejë hapësirë Financial Wellness Coach, një lloj ‘personal banker’, por me më pak funksione tregtare dhe më shumë funksione financiare.

Studimi i Cognizant ofron një panoramë të larmishme – mes profesioneve të së ardhmes: Ndër to gjejmë edhe Digital Tailor (rrobaqepësit dixhitalë që do të shkojnë në shtëpitë e klientëve me pakicë për të përsosur përshtatjen dhe detajet e veshjeve të porositura nëpërmjet e-commerce); Virtual Store Sherpa (blerësi personal që të gjithë do ta dëshironin, i cili do t’ju ndihmojë në blerjet brenda qendrave të mëdha tregtare online, si Amazon); Personal Data Broker (do të merret me shkëmbimin e të dhënave dhe të komercializimit të tyre për llogari të klientëve), si dhe Personal Memory Curator, i cili do të kujdeset për kujtesën e njerëzve. Kjo është një mënyrë për të ndihmuar të moshuarit për të luftuar humbjen e kujtesës, duke rindërtuar pjesë të kësaj kujtese në mjediset virtuale.

Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of