Flet znj.Doina Huso, Zv/Presidente, Albania Rafting Group
Prej sa kohësh zhvillohet aktiviteti i rafting në Shqipëri?
Shqipëria është e bekuar me lumenj, ndaj shumë qytete e fshatra kanë pasur lumin si të vetmin vend argëtimi dhe pushimi. Të rinjtë e këtyre zonave përdornin gomat e vjetra të kamionëve për t’u bërë pjesë e rrjedhës dhe adrenalinës së lumit.
Ai nuk ishte rafting i mirëfilltë, pasi mungonin gudiat profesionale, gomonet, kostumet e neoprenit dhe mjetet e tjera të sigurisë, por adrenalina ishte e lartë, dhe kjo ishte e mjaftueshme për të nisur sportin amator të rafting në vendin tonë. Para rreth një dekade, kur u themelua dhe Albania Rafting Group, sporti i rafting kaloi në nivel profesional. Albania Rafting Group nisi të ofronte turet e para të eksplorimit në kanionet e Osumit, gradualisht rafting u bë një nga sportet dhe aktivitetet e preferuara të shqiptarëve e turistëve të huaj.
Si ka evoluar interesi në vite, nëse i keni në shifra?
Si çdo risi dhe për sportin e rafting ka pasur vështirësi në bindjen e opinionit publik mbi sigurinë e sportit apo argëtimin që do të provonin në lumë. Kujtojmë, mbi të gjitha, fytyrat e habitura dhe dyshimin e vizitorëve të parë, të cilët me të drejtë shqetësoheshin pasi nuk kishin provuar më parë të bëheshin pjesë e një rrjedhe të rrëmbyeshme apo të kalonin nëpër ngushticat e kanioneve. Situatat e para i kaluam pa aksidente e me shumë të qeshura, të cilat tani guidat i tregojnë si histori komike për të qetësuar dhe vizitorët e rinj.
Nëse vitin e parë mund të kenë qenë 30 apo 50 vizitorë, më së shumti miq e të afërm të skuadrës, vitin e dytë kjo shifër u dhjetëfishua, e vitin e tretë po ashtu, derisa vitin e kaluar kemi pasur një shifër të pabesueshme prej 6000 vizitorësh në lumenjtë e Osumit dhe Vjosës, dhe në udhëtimet me kajak në Butrint e Gjirin e Krorëzës. Sipas të dhënave të Bashkisë së Skraparit janë 17.000 vizitorë të cilët kanë vizituar kanionet e Osumit dhe kanë shkuar më tej në eksplorime drejt luginës së Vjosës.
Si ndahet raporti mes të huajve dhe vendasve?
Vitin e kaluar, rreth 45% e vizitorëve ishin të huaj dhe 55% ishin vendas, por ky raport nuk ka qenë gjithmonë në këto nivele. Mund të themi se me rritjen e cilësisë së shërbimit turistik të viteve të fundit, sidomos në turizmin e aventurës, numri i vizitorëve të huaj është rritur, ndërsa ai i turistëve shqiptarë vrullshëm, duke e kthyer rafting në një aktivitet që duhet provuar në Shqipëri.
Cili është potenciali i turizmit të aventurës në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë për ta nxitur?
Turizmi i aventurës është tashmë një trend botëror dhe pjesë e fokusit strategjik afatgjatë (deri në vitin 2030) të UNWTO për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Nga studimet e kryera gjatë viteve të fundit, është vënë re ndikimi i turizmit të aventurës në rritjen e mirëqenies dhe mundësive për komunitetin e zonave ku ai zhvillohet e gjithashtu për mbrojtjen e natyrës. Brezi i ri i “Fëmijëve të Mileniumit” (millennialls) kërkon gjithnjë e më shumë pushime aktive dhe marrjen e përvojave autentike duke u angazhuar me banorët e zonës. Fëmijët e Mileniumit, në të njëjtën kohë, janë më të ndjeshëm ndaj problemeve të komuniteteve rurale, ndaj pëlqejnë turizmin e aventurës, i cili gërsheton përvojën autentike me ndikimin pozitiv dhe kontributin ndaj banorëve të zonës.
Shqipëria si një vend që vazhdon të zhvillohet, ka të gjithë potencialin e mundshëm për të ruajtur pasuritë natyrore dhe për të zhvilluar pikën e saj të fortë, turizmin e aventurës dhe të kulturës. Ka ardhur momenti që të rinjtë shqiptarë ta shohin investimin në një karrierë në turizmin e aventurës, si një mundësi shumë të mirë për të ardhmen e tyre. Bizneset e turizmit dhe institucionet e edukimit publik e privat duhet të bashkojnë forcat, për të ngritur programe edukimi koherente dhe për të përgatitur ofertën turistike me shërbime cilësore, që do të na bëjnë më konkurrues në rajon dhe Europë.
Si mund të kombinohen llojet e ndryshme të turizmit në Shqipëri, si mund të kontribuojnë institucionet në këtë drejtim?
Një nga avantazhet e të qenët një vend i vogël në epiqendrën e qytetërimeve mijëravjeçare, është pikërisht aksesueshmëria e një shumëllojshmërie destinacionesh turistike e arkeologjike brenda një kohe mjaft të shkurtër. Pasurimi i ofertës turistike me elemente të aventurës, gastronomisë, kulturës është mjaft e thjeshtë në vendin tonë, ku densiteti dhe variacioni i atraksioneve turistike nga Vermoshi deri në Konispol, është po aq i lartë sa densiteti folklorik, gastronomik dhe kulturor. Megjithatë duhet bërë më tepër për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave. Disa zona vuajnë ende nga paqëndrueshmëria e energjisë elektrike, vështirësi në marrjen e ujit të pijshëm dhe mungesës së informacionit mbi atraksionet që gjenden pranë vendbanimeve të tyre.
Cilat janë planet e Albania Rafting Group në drejtim të infrastrukturës së rafting?
Planet tona janë zhvillimi i plotë dhe përurimi i Albania Adventure Resort, qendra që do të mbledhë 15 sporte të aventurës, e do të ofrojë kushtet e duhura për zhvillimin e tyre gjatë 12 muajve të vitit.
Si e prisni ecurinë këtë sezon?
Sezoni ka filluar rrëmbyeshëm prej shkurtit të këtij viti dhe do të vazhdojë me ritme e adrenalinë të lartë në kanionet e Osumit, në Vjosë deri në nëntor. Rafting është një sport rekreativ dhe përherë e më shumë po praktikohet nga të gjithë personat që gëzojnë një gjendje të mirë shëndetësore, nisur nga fëmijët 5 vjeç.
Dua të ngre vëmendjen për të gjithë të interesuarit për rafting që të kontaktojnë me instruktorët e certifikuar nga Federata Shqiptare e Rafting (www.fshr.al). Rafting në Shqipëri është një sport i ri që duhet të organizohet nga kompanitë/personat juridikë të kompletuar me pajisjet dhe veshjet e destinuara për këtë përdorim dhe duhet të drejtohet nga instruktorë sporti të federuar nga FShR dhe të pajisur me lejen përkatëse të drejtimit. Subjektet turistike nuk duhet të marrin përsipër organizimin dhe drejtimin e udhëtimeve të rafting pa pasur instruktorët profesionalë dhe pa pajisjet e kompletuara, miratuar nga FShR, duke vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e turistit.
Sigurohuni që gjatë sportit rafting t’ju shoqërojnë guidat e certifikuara nga Federata e Rafting (instruktorët e rafting) të cilat janë të ligjshme dhe mbajnë përgjegjësi për sigurinë e jetës suaj gjatë zbritjes në lumë. Na kanë ardhur sinjalizime që kompani pirate të papërgjegjshme po mashtrojnë turistët për rafting, duke përdorur fotot dhe imazhin e guidave të federuara. Personat joprofesionistë, pa pajisjet e duhura për rafting dhe guidat jashtë standardeve rrezikojnë jetën tuaj. Kërkojmë bashkëpunimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë e turistëve në lumë. Kemi të bëjmë me jetën e njerëzve dhe turizmi shqiptar nuk e ka luksin të mbajë në imazhin e vet aksidente turistësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.