Flet Stela Dhami, “Drejtore e Colliers International Albania”
Pavarësisht se viteve të fundit është rritur interesi i markave ndërkombëtare të hotelerisë për tregun shqiptar dhe kryesisht për metropolin, edhe për bregdetin nuk ka munguar vëmendja. Stela Dhami, Drejtore e “Colliers International Albania” pohon se zinxhirët ndërkombëtarë kanë qasje pozitive për projekte sidomos në jug, por kufizohet nga mungesa e infrastrukturës.
Çfarë përfaqëson hyrja e markave ndërkombëtare në një treg si Shqipëria dhe si e ndikon kjo në përgjithësi tregun e strukturave ekzistuese akomoduese në vend, duke pasur parasysh që shumica nuk janë zinxhirë apo marka ndërkombëtare. Si e prisni efektin tek çmimet?
Hyrja e markave ndërkombëtare të zinxhirëve hotelierë globalë në Shqipëri sigurisht që është një lajm i mirë për turizmin shqiptar. Detyrimisht këta zinxhirë me rrjete ndërkombëtare marketimi do të sjellin më shumë turistë e për rrjedhojë, më shumë punësim në një sektor strategjik zhvillimi për një vend si Shqipëria. Ndikimi që do të ketë në vend do të jetë në varësi të markave që do të hyjnë.
Në qoftë se ato do të jenë marka popullore duke sjellë modelin familjar “all inclusive” të paketave me 3 apo 4 yje, atëherë hotelet lokalë do të ndiejnë më shumë konkurrencë, sepse çmimet do të jenë të ngjashme, por kërkesa për këtë shërbim do të jetë më e lartë.
Në qoftë se vijnë më shumë marka të nivelit të 5 yjeve, atëherë këto hotele do të operojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri në mënyrë paralele, por kërkesa ndaj hotelierëve lokalë si me marka si pa marka do të rritet, sepse edhe vetë përvoja dhe pritshmëritë e konsumatorëve do të rriten. E shikoj hyrjen pozitive. Me të do të rritet niveli i shërbimit hotelier, që do të na sjellë prurje të turistëve me të ardhura më të larta. Janë pikërisht ata turistë të cilët duhet të përpiqemi të tërheqim.
Shqipëria, duke qenë një vend i vogël, por me një pozitë gjeografike shumë të favorshme, duhet të jetë më selektive me prurjet dhe të mos shkojë drejt një turizmi masiv, i cili shkatërron dhe ekosistemet, por funksionon në simbiozë me ambientin dhe natyrën përreth.
A ka interes për marka ndërkombëtare në bregdet?
Në bregdet, sigurisht që ka interes për të hyrë dhe Colliers është duke punuar në një projekt të madh të rëndësishëm në Rivierën Shqiptare, që do të sjellë një prej markave më të njohura të hotelerisë me 5 yje për konsumatorët shqiptarë. Interes ka edhe nga marka të tjera, por për Jugun mbetet me shumë rëndësi krijimi i infrastrukturës së duhur, sepse turistët nuk udhëtojnë më shumë se 1 orë e gjysmë me makinë nga aeroportet, të paktën turistët, të cilët vijnë me grupe të organizuara. Me krijimin e infrastrukturës, edhe aksesi i këtyre zonave do të bëhet më i lehtë për turistët.
Si e shihni tregun e hoteleve “brand” në vend, duke pasur parasysh që në Tiranë po flitet për praninë e disa emrave si “Marriott”, “Maritim”, “Melia”, “Hilton” etj. A ka potencial për më shumë marka, apo rrezikojmë mbingopje të tregut në këtë segment?
E shikoj si një treg në zhvillim e sipër ku më profesionistët do të mbijetojnë dhe do t’ia dalin mbarë, si në çdo sektor tjetër të ekonomisë. Vihet re një shtysë vitet e fundit nga investitorët lokalë, kryesisht zhvillues godinash rezidenciale, të cilët po kthejnë fokusin e tyre në një sektor të ri që përfshin një gamë të gjerë shërbimesh siç është hoteleria.
Për investitorë të tillë, të cilët kanë krijuar përvojë ndër vite në një sektor si ndërtimi, menaxhimi i hoteleve të tyre nga marka hoteliere ndërkombëtare, është një vlerë e shtuar, sepse me menaxhim nënkuptohet aksesi ndaj profesionistëve më të mirë të fushës së hotelerisë që këto zinxhirë hotelesh posedojnë.
Përveç marrjes së ekspertizës më të mirë në fushën e menaxhimit, investitorët shqiptarë marrin akses në rrjetet më aktuale të shitjes dhe marketingut, rrjete që këto zinxhirë i kanë ndërtuar ndër vite për të marketuar hotele të ndryshme anëtarësisë së tyre dhe më gjerë. Një investitor i vetëm nuk e ka kurrsesi këtë lloj aksesi ndaj këtyre burimeve, të cilat rrisin performancën financiare të hotelit dhe në fund të ditës kthejnë më shpejt investimin e bërë.
Megjithatë duhet të theksoj, se përzgjedhja e markës është një detyrë shumë e vështirë që zakonisht kryhet midis investitorit dhe një konsulenti të fushës shumë të specializuar, i cili njeh markat që operojnë, sot për sot, në treg dhe ato të interesuara për tregun tonë. Colliers ka disa vite që operon në këtë fushë, duke bashkëpunuar me ekspertët më të mirë të fushës së hotelerisë nga zyra jonë në Londër. Nga ndërmjetësimet që kemi bërë jo vetëm që kemi arritur të sjellim marka shumë të mira në tregun shqiptar, por edhe të sigurojmë bashkinvestime nga vetë markat në këto investime të reja.
Përzgjedhja duhet bërë më shumë kujdes, sepse vetë në brendësi të portofolit të zinxhirëve të mëdhenj hotelierë ekzistojnë marka të ndryshme pikërisht për të plotësuar kërkesat e çdo nivel konsumatori. Zinxhirët kanë marka ekonomikë nga ato me 3 yje dhe përsëri me standarde të larta të hotelerisë dhe në ato me 5 yje ku ofrohet një përvojë e shkëlqyer në fushën e hotelerisë.
Në Shqipëri aktualisht janë tërhequr një nivel i përzier markash dhe secila ka një target group të vetin, pra tjetër target group ka një hotel i qytetit me vendndodhje disi më periferike dhe tjetër një hotel që ofron dhe shumë shërbime të tjera si SPA, restorante bare etj.
Një nga pikat që është lakuar më shpesh në vend ka qenë nxitja e turizmit të konferencave në Shqipëri që mund ta ndihmonin edhe sektorin e hoteleve brand. A e shihni këtë si mundësi dhe si mund të nxitet?
E shikoj si një mundësi reale, pasi të jetë krijuar një stok i mirëfilltë hotelier i menaxhuar sipas niveleve ndërkombëtare. Biznesi i konferencave është në zhvillim e sipër dhe shumë herë korporatat ndërkombëtare shkojnë në të njëjtat destinacione si Barcelonë, Londër e Vjenë për kapacitetin hotelier që ato ofrojnë, por jo vetëm. Këto kryeqytete europiane ofrojnë më shumë se një hotel, ofrojnë një destinacion kulturor, një ambient shumë frymëzues për të bërë biznes. Ne kemi shumë punë përpara në këtë drejtim!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.