“Interes nga tregu bullgar dhe ai serb për turizëm të organizuar”

22/05/2021 10:04 PM 0 komente

Flet Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve Royal G

 

Teksa vëmendja viteve të fundit ka qenë në tregjet europiane si gjermanët, nordikët, çekët apo polakët, vëmendja nga rajoni duket se ishte zbehur disi. Por pandemia dhe kufizimet sollën si rrjedhojë që secili vend të shqyrtojë nga afër mundësitë.

Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, vlerëson se tregu serb, i cili deri dje përkufizohej me vizitë sporadike individuale, duket se ka interes për t’u organizuar me charter drejt Shqipërisë këtë verë. Edhe Bullgaria po e sheh mundësinë e testimit me një charter të bregdetit tonë këtë vit.

 

Në këndvështrimin tuaj, si ka nisur sezoni turistik veror këtë vit?

Turizmi ka qenë kryesisht i fundjavave këto kohë, por ka pasur frekuentim edhe gjatë javës, edhe pse jo shumë i lartë. Këtë vit është pak e çuditshme, edhe në raport me vitet e tjera të para pandemisë, që frekuentimi gjatë javës ka qenë më i gjallëruar. Mendoj se ka qenë pasojë e mbylljes së aplikuar Kosova, që ka qenë më drastike dhe për të shmangur qëndrimin brenda, janë nisur drejt Shqipërisë. Kjo na ka dhënë avantazh. Në fundjavë ne kemi pasur okupancë (zënie dhomash) deri në 90-95 për qind nga Kosova.

 

Përgjithësisht si ka qenë qëndrimi i tyre në kohëzgjatje në tipologjinë e vizitorëve, rezervimet?

Shumica qëndrojnë dy net, rrallëherë tre. Janë qëndrime të shkurtra. Përgjithësisht vijnë familjarët, që do të thotë se 70 për qind e vizitorëve janë familje, ndërsa më pak të rinj. Rezervimet janë alternuar me agjenci dhe direkt në recepsion. Më shumë se 60 për qind janë direkte nga recepsioni, ose nga rrjetet sociale. Kemi hartuar dy paketa, mëngjes dhe fjetje, ose fjetje dhe dy vakte dhe familjet zakonisht zgjedhin këtë të dytën. Të rinjtë duan më shumë liri dhe zgjedhin paketën e thjeshtë.

 

Si kanë qenë rezervimet e turizmit të organizuar, cilat janë grupet e turistëve nga ku keni pasur interes?

Nuk kemi turizëm të mirëfilltë të organizuar. Kemi pasur rezervime, por jo në numra shumë të mëdhenj. Për shembull, nga Ukraina, kemi pasur rezervime që po shtohen dita-ditës. Është rritur interesi nga Bullgaria. Për Pashkë, kishim disa grupe bullgarësh. Janë ato agjenci me të cilat kemi bashkëpunuar edhe më herët për organizimet e festave të fundvitit. Këtë herë kanë vendosur të testojnë tregun shqiptar në verë, me një charter.

 

Cilët do të jenë turistët kryesorë që prisni këtë vit në pikun e sezonit veror?

Me situatën e vaksinimit presim që të ketë një lloj sigurie te turistët e huaj. Pjesa e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk e kanë pasur këtë problem dhe kriter me sa kam konstatuar. Mendoj se ky vit do të jetë më i mirë se viti i kaluar, pasi shoh që edhe tani jemi më mirë.

Turisti ynë kryesor, nëse lëmë mënjanë pjesën shqipfolëse, do të jetë ai polak, pasi ka shumë rezervime, por edhe Ukraina. Në rajon Kosova është pjesa më e madhe dhe e orientuar drejt Shqipërisë. Vërej se është rritur interesi edhe nga Serbia. Më parë turisti serb ka qenë sporadik, ndërsa këtë vit duan të organizohen me chartera dhe ka kompani të cilat po merren seriozisht me këtë pjesë. Përqendrimi dhe gjithë piku këtë vit do të jetë korrik-gusht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of