Interesat e bonove, gjithnjë e më të qëndrueshme

22/10/2020 11:30 AM 0 komente

Interesat e bonove të thesarit paraqiten gjithnjë e më të stabilizuara. Në ankandin e bonove 12 mujore të zhvilluar këtë javë, tendenca e korrektimit të lehtë në rritje të normave të interesit u ndërpre.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 1.73%, nga 1.74% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 10.9 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur për financim prej 9 miliardë lekësh. Kjo dëshmon se kërkesa për këto instrumente ngelet në nivele të larta, çka nuk krijon presione për rritje domethënëse të yield-eve.

Yield-et e bonove me maturim 12 mujor patën një fazë të shkurtër rritjeje mes muajve mars dhe maj, të ndikuara nga efekti i shpërthimit të krizës dhe rritja e fortë e kërkesës së qeverisë për hua. Por, në gjysmën e dytë të majit yield-et nisën rënien, duke arritur në 1.63% në muajin gusht.

Pas shpërthimit të krizës, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndërsa ndryshoi formën e ankandit të REPO-ve, për të mundësuar furnizim të pakufizuar me likuiditet për bankat tregtare.

Mes gushtit dhe shtatorit, yield-et shfaqën një korrektim mjaft të lehtë në rritje, ndërsa në tetor edhe kjo rritje e lehtë është frenuar. Politika e Bankës së Shqipërisë, por edhe gjendja likuide e sektorit bankar bëri që rreziqet në rritje nga kriza të mos përktheheshin në rritje domethënëse të kostove të huamarrjes për qeverinë.

Pas një huamarrjeje mjaft intensive në tremujorin e dytë, pas tremujorit të tretë edhe qeveria e uli kërkesën për borxh. Në tremujorin e tretë, huamarrja mesatare mujore zbriti në 26.6 miliardë lekë, nga 30.6 miliardë lekë që pati qenë në tremujorin e dytë.

Në tremujorin e fundit, pritet që vlera mesatare e huamarrjes mujore të qeverisë në tregun e brendshëm financiar të ulet më tej në 26.1 miliardë lekë./E.SH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of