Normat e interesit të borxhit të brendshëm prekën një minimum të ri historik në fund të vitit 2020.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar zbriti në nivelin 3.65%, nga 3.71% që kishte qenë në fund të tremujorit të tretë dhe 3.84% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithë goditjen e fortë që dha në ekonomi pandemia e Covid-19, normat e interesit të huamarrjes së brendshme nuk reflektuan rreziqet në rritje, falë gjendjes likuide të sektorit bankar dhe politikave monetare më stimuluese se kurrë të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Presioni mbi normat e brendshme të interesit u ul më tej nga strategjia e qeverisë shqiptare për të shfrytëzuar tregjet e huaja për pjesën më të madhe të huamarrjes së re. Eurobondi prej 650 milionë eurosh rriti ndjeshëm likuiditetin e lirë në tregun e brendshëm financiar në gjysmën e dytë të vitit 2020, duke ndihmuar në uljen e mëtejshme të yield-eve. Daljet periodike në tregjet financiare ndërkombëtare për emetimin e eurobondeve kanë bërë që aktualisht borxhi i jashtëm të arrijë në rreth 47% të stokut total të borxhit publik, nga 43% që zinte një dekadë më pare.
Letrat me vlerë të qeverisë ngelen instrumenti kryesor benchmark në tregun financiar shqiptar, ndaj interesat e ulëta ndikojnë në terma mesatarë edhe koston e huamarrjes për sektorin privat të ekonomisë.
Megjithëse yield-et vazhduan rënien, zmadhimi i stokut të borxhit dhe maturimi i eurobondit të vitit 2015 bëri që kosto e shërbimit të borxhit, në terma realë, të rritet për herë të parë në pesë vitet e fundit. Për vitin 2020, qeveria shqiptare shpenzoi për shërbimin e borxhit një shumë sa rreth 6.11% e PBB-së, nga 3.87% që kishte qenë ky shpenzim për vitin 2019.
Shpenzimet për interesa arritën në 2.19% të PBB-së, nga 2.09% që kishin qenë një vit më parë. Kjo u përcaktuar kryesisht nga rënia e PBBB-së, ndërsa në vlerë absolute interesat e paguara pësuan sërish një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Në fund të vitit të kaluar, borxhi publik sipas shifrave zyrtare ishte 1.22 trilionë lekë, shumë që Ministria e Financave e vlerëson sa rreth 77.84% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, Në harkun e një viti, borxhi publik në terma realë është rritur me pothuajse 12 pikë përqindje.
Në fund të dhjetorit, maturiteti mesatar i letrave të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm ishte 783 ditë, me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë. Po të përjashtojmë titujt e mbajtur nga Banka e Shqipërisë, që blen vetëm instrumente afatshkurtër, maturiteti mesatar arriti në 845 ditë, po aq sa në fund të 2019. Pas vitit 2014, qeveria shqiptare nisi të zgjasë maturitetin mesatar të instrumenteve të borxhit, me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit. Aktualisht, instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit përbëjnë rreth 68% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendrore, nga 51% që zinin në vitin 2013. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.